Ndërlidhjet

Ligjvënësit britanikë kundërshtojnë planin për Brexit


Ilustrim.
Ilustrim.

Ligjvënësit në Britani të Madhe kanë kundërshtuar planin e kryeministres britanike, Theresa May për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Plani i kryeministres May është mposhtur me 432 vota kundër dhe 202 në të mirë të planit.

Pas votimit, kryeministrja May ka treguar qëllimet e saj për të vazhduar procesin.

“Parlamenti ka folur dhe Qeveria do të dëgjojë”, ka thënë ajo.

Ish-sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson ka thënë se kundërshtimi i planit ka qenë “mposhtje më e madhe sesa që kanë pritur njerëzit” dhe nënkupton se koncepti i kryeministres May është “i vdekur”.

May kishte shtyrë votimin për Brexit nga muaji dhjetor për datën 15 janar, pasi i ishte bërë e qartë se nuk ka mbështetje për planin e saj.

Me këtë vendim ata kanë krijuar një situatë të paqartë në Britani, vetëm 10 javë para se ky shtet të largohet nga Bashkimi Evropian, përkatësisht më 29 mars.

Plani i kryeministres May është kundërshtuar si nga deputetët pro-Bashkimit Evropian, ashtu edhe nga ata pro-Brexitit.

Pas procesit të votimit, lideri opozitar nga Partia Laburiste, Jeremy Corbyn e ka quajtur këtë rezultat si mposhtje “katastrofike” për May dhe ka kërkuar organizimin e një vote mosbesimi në Qeverinë e saj Konservatore, gjë për të cilën do të debatohet më 16 janar.

Në përgjigjje ndaj këtij rezultati, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka thënë se zgjidhja e vetme pozitive është që Britania të vazhdojë të qëndrojë në BE, derisa shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ka thënë se blloku evropian do të vazhdojë përgatitjet për skenarin e Brexitit pa marrëveshje.

Ekspertët kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, ekonomia e Britanisë do të përballet me kaos.

Kritikët e planit të kryeministres britanike, duke përfshirë edhe disa ligjvënës në partinë e saj, kanë thënë se dokumenti që tashmë është kundërshtuar do të mbante shtetin shumë të lidhur me rregullat e BE-së dhe jo të pavarur në krijimin e politikave të pavarura tregtare.

Ata që kanë përkrahur qëndrimin në BE, kanë arsyetuar kundërshtimin e planit me faktin se ai do të shpërfaqte Britaninë si inferiore, duke marrë parasysh marrëdhënien ekonomike aktuale që ka Britania si anëtare e BE-së.

Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexitit.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG