Ndërlidhjet

Britania vendos për një Brexit me ose pa marrëveshje 


Ligjvënësit britanikë do të mbajnë të martën një votim historik mbi propozimin e Qeverisë për të dalë nga Bashkimi Evropian përderisa kryeministrja Theresa May edhe në minutat e fundit po bën përpjekje që votimi të jetë pozitiv.

Votimi i 15 janarit në Parlamentin britanik është i fundit në përpjekjen e njohur si Brexit dhe shumë ekspertë politikë kanë parashikuar se do të dështojnë.

Përpara votimit, kryeministrja May paralajmëroi se mosvotimi rrezikon të minojë procesin e largimit të vendit nga Bashkimi Evropian. Ajo tha gjithashtu se një votim kundër do të ishte "tradhëti ndaj votës së popullit britanik".

Data 29 mars është afati i fundit kur Britania e Madhe është caktuar të tërhiqet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.

Një disfatë në votën e së martës do të hidhtë planet e Brexit në rrëmujë. Ekspertët paralajmërojnë se pa ndonjë marrëveshje, ekonomia e Britanisë do të zhytet në kaos.

"Me vetëm 74 ditë për të arritur në afatin përfundimtar, pasojat e një votimi kundër të kësaj marrëveshjeje po bëhen gjithnjë e më të qarta", tha kryeministrja May.

Kritikët e planit të May, duke përfshirë shumë ligjvënës në partinë e saj, thonë se kjo marrëveshje do ta lërë vendin të lidhur me rregullat e BE dhe të paaftë për të krijuar një politikë tregtare të pavarur.

Nëse kryeministrja Theresa May humb në votën e 15 janarit, Qeveria ka lënë të kuptohet se mund të riprezantojë versionin paksa të rishkruar të së njëjtës marrëveshje.

Nëse nuk ka marrëveshje deri më 29 mars, atëherë do të nënkuptonte një ndryshim të papritur në standarde të ndryshme që do të preknin pothuajse çdo sektor ekonomik në Britani të Madhe.

Mbështetësit e mbetjes së Britanisë në Bashkimin Evropian ndërkohë, kanë bërë thirrje për një tjetër referendum. Por nuk ka ligj që e lejon Britaninë ta bëjë atë përsëri.

Disa ligjvënës konservator kanë diskutuar gjithashtu për rrëzimin e kryeministres May dhe zgjedhjen e një kryeministri të ri, por është e paqartë nëse ka mjaft kohë për këtë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG