Ndërlidhjet

Budapesti pas Orbanit: “Një sinjal i keq për Vuçiqin”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri në largim i Hungarisë, Viktor Orban - fotografi arkivi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri në largim i Hungarisë, Viktor Orban - fotografi arkivi.

Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës (SVM) - partia kryesore e kësaj pakice në Serbi dhe partnere prej kohësh e pushtetit serb - reagoi vetëm me një postim në rrjetet sociale, natën e zgjedhjeve në Hungari.

Në zgjedhjet e këtij vendi, ajo mbështeti Fideszin, partinë e kryeministrit në largim, Viktor Orban.

Punoi, siç e pranoi edhe vetë, për “mobilizimin maksimal” të dhjetëra mijëra votuesve nga Serbia me shtetësi të dyfishtë, të cilët kishin të drejtë të votonin në zgjedhjet e 12 prillit, për t’ia dhënë votën e tyre Orbanit.

Por, në Hungari ndodhi një ndryshim i madh politik.

Udhëheqësi i krahut të djathtë, Orban, humbi pas 16 vjetësh në pushtet.

SVM-ja përgëzoi udhëheqësin e opozitës, Peter Magyar, dhe partinë e tij Tisza për fitoren. Megjithatë, nuk hoqi dorë nga mbështetja e saj për partinë simotër, Fidesz.

“Faleminderit Fideszit dhe Viktor Orbanit për politikën kombëtare që kanë ndërtuar gjatë 16 vjetëve të fundit”, shkroi në rrjetet sociale kreu i SVM-së, Balint Pastor.

Pastor nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar rezultatet e zgjedhjeve.

Shkurtimisht tha se ka shkruar “gjithçka që, aktualisht, është e mundur të thuhet” në një postim në Facebook.

Përfshirja e SVM-së në fushatën zgjedhore në Hungari dhe mbështetja e saj e hapur për Fideszin janë pjesë e “traditës” së gjatë të kësaj partie, me të cilën Orban ka ndërtuar një aleancë të fortë që kur ka marrë pushtetin.

Pastor, së bashku me pjesën tjetër të delegacionit të partisë, ndoqi rezultatet e zgjedhjeve nga selia e Orbanit në Budapest.

Kush do të shërbejë si “urë” midis Beogradit dhe Budapestit?

“Pyetja është se sa do të ndikojë humbja e Orbanit në orientimin e hungarezëve të Vojvodinës drejt SVM-së, veçanërisht nëse shfaqen konkurrentë seriozë [midis partive politike hungareze në Serbi]. Zgjedhjet e ardhshme do ta tregojnë këtë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Aleksandar Popov, nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi pritet të mbahen në muajt e ardhshëm, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përballet me një krizë politike disamujore, të shkaktuar nga protestat masive antiqeveritare që nisën qysh në nëntor të vitit 2024 dhe akuzat për korrupsion.

SVM-ja, prej se Partia Përparimare Serbe (SNS) mori pushtetin në vitin 2012, është një nga partneret kryesore të Vuçiqit.

Kjo parti është përshkruar si “urë” midis Vuçiqit dhe Orbanit, ndërsa kreu i SVM-së, Pastor, ka theksuar vazhdimisht se bashkëpunimi me SNS-në është i mirë, sepse ata “kanë arritur një pajtim historik midis serbëve dhe hungarezëve”.

SVM-ja është partia më e madhe e pakicave në Kuvendin e Serbisë - ajo ka gjashtë nga gjithsej 250 ulëset parlamentare.

Ajo ka shtatë nga gjithsej 120 ulëset në Kuvendin e Krahinës së Vojvodinës, dhe kryetari i tij, Balint Juhas, vjen nga radhët e saj.

“Sigurisht që do të jetë një minus i madh për SVM-në nëse nuk do të ketë mbështetje nga Budapesti, dhe ndoshta nuk do ta ketë atë, marrë parasysh se sa e lidhur ishte me Orbanin dhe sa me inat e pranoi fitoren e Peter Magyarit”, thotë Popov.

Ai beson se, me fitoren e Tiszës në Budapest, është e mundur që përfaqësuesit politikë hungarezë në Serbi “të rigrupohen”.

Kryetari i Unionit Demokratik të Hungarezëve të Vojvodinës (DZVM) në opozitë, Aron Çonka, pret gjithashtu ndryshime.

Kjo parti kritikon udhëheqjen e SVM-së dhe pjesëmarrjen e saj në Qeverinë e Serbisë me SNS-në.

“Mendoj se fitorja e Peter Magyarit do të mundësojë të hyjë pak ajër i freskët brenda komunitetit hungarez të Vojvodinës”, thotë Çonka.

“Sinjal i keq për Vuçiqin”

Orban, si kryeministër i Hungarisë, ishte shënjestër e kritikave të ashpra nga Brukseli, për shkak të minimit të demokracisë në vend dhe kundërshtimit të mbështetjes për Ukrainën, pas pushtimit rus.

Megjithatë, presidenti serb e përshkroi atë si një “mik të madh” dhe tha se marrëdhëniet midis dy vendeve ishin “në një nivel të lartë dhe historik”.

Vetë Vuçiq u bë shënjestër e kritikave nga Brukseli, për shkak të marrëdhënieve të tij me Moskën dhe Pekinin, si dhe gjendjes së sundimit të ligjit në Serbi.

“Me humbjen e Orbanit, Vuçiq humbi një aleat dhe përfaqësues të rëndësishëm në Bashkimin Evropian. Ishte një vëllazëri autoritare midis dy udhëheqësve politikë, dhe kjo është ajo mbi të cilën ata i bazuan marrëdhëniet e tyre”, thotë Popov.

Ai shton se humbja e Fideszit është një “sinjal i keq” për Vuçiqin, sepse ka një efekt “inkurajues” te votuesit e opozitës.

“Është dëshmuar se Orban, i cili kishte mbështetjen si të [presidentit amerikan, Donald] Trump, ashtu edhe të [presidentit rus, Vladimir] Putin, dhe që sundoi Hungarinë për 16 vjet, mund të humbasë ndaj një njeriu që themeloi partinë dy vjet më parë dhe e udhëhoqi atë drejt fitores”, shton Popov.

Vuçiq e uroi Tiszën për fitoren e saj, i bindur se bashkëpunimi i mirë midis dy vendeve do të vazhdojë.

Megjithatë, në të njëjtin mesazh, ai shfrytëzoi rastin për të falënderuar edhe Orbanin, “që i bëri të mundura marrëdhëniet e tilla”.

Gjatë fushatës, Magyar tha se do të përpiqet të ruajë marrëdhënie të mira me vendet fqinje.

“Por, unë supozoj se prioritet i tij në këto marrëdhënie do të jetë sundimi i ligjit, të cilin Beogradi nuk do ta pëlqejë”, thotë Çonka.

Magyar fitoi shumicën prej dy të tretash në Parlament, me një pjesëmarrje të lartë votuesish.

Ai paralajmëroi luftë kundër korrupsionit, reforma dhe marrëdhënie më të mira me Brukselin.

Më shumë se një vit më parë, në shkurt të vitit 2025, ai vizitoi Serbinë dhe u bëri homazhe viktimave të shembjes së një srehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

Ishte vdekja e 16 personave në këtë qytet që shkaktoi protesta masive antiqeveritare në Serbi.

Magyar tha më pas se partia e tij mbështet “aspiratat antikorrupsion të popullit serb” dhe pranimin e hershëm të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ai e përshkroi Qeverinë e presidentit serb si “të korruptuar”, ndërsa Vuçiqin si “aleat dhe partner biznesi” të Orbanit.

Ai gjithashtu theksoi se Tisza “mbështet forcimin e mëtejshëm të të drejtave dhe mundësive të hungarezëve në Vojvodinë”, në mënyrë që ata të mund “të jetojnë dhe punojnë me sukses në atdheun e tyre”.

A janë në rrezik fondet e Orbanit për mbështetje jashtë Hungarisë?

Çonka pret që Magyar ta përmbushë premtimin e tij të fushatës dhe të vazhdojë me stimujt për diasporën hungareze, përfshirë atë në Vojvodinë.

Ai thekson se këta stimuj janë një kategori kushtetuese në Hungari.

“Unë pres që ai ta bëjë shpërndarjen e atyre parave në mënyrë shumë më transparente se më parë”, shton Çonka.

Gjatë fushatës, Magyar theksoi se paratë publike duhet të shpërndahen sipas kritereve të qarta, jo përkatësive partiake.

“Premtimet parazgjedhore janë një gjë dhe realiteti politik është një tjetër. Por, është e sigurt se hungarezët do të duhet të bëjnë një ndërprerje në lidhjet me Qeverinë e Orbanit në shumë fusha, përfshirë këtë”, thotë Popov.

Që kur mori pushtetin në vitin 2010, Qeveria e Orbanit nisi disa programe ekonomike në Vojvodinë, por edhe në Serbinë qendrore, në bashkëpunim me Aleancën e Hungarezëve të Vojvodinës, përmes fondacionit “Prosperitati” të drejtuar nga kjo parti.

“Prosperitati” u themelua në vitin 2016, si një fondacion rajonal jofitimprurës, i emëruar nga Qeveria hungareze, për të “zbatuar strategjinë e zhvillimit ekonomik dhe rajonal” të komunitetit hungarez.

Gjatë dhjetë vjetëve, siç thuhet në faqen e internetit të fondacionit, ai ka mbështetur më shumë se 16.000 projekte, me vlerë rreth 500 milionë euro.

Paketat nxitëse kishin për qëllim zhvillimin e ekonomisë, përkatësisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, bujqësinë, turizmin.

Fondacioni, gjithashtu, ndihmoi në blerjen e rreth 1.300 shtëpive dhe disa mijëra hektarëve tokë.

Projektet u zbatuan në 40 komuna, ose rreth 190 vendbanime.

Sipas vlerësimeve të fondacionit “Prosperitati”, pothuajse 70.000 hungarezë në Vojvodinë u përfshinë në programet e tij.

Një nga kushtet për financim në konkurse ishte që aplikantët të kishin shtetësi të dyfishtë - serbe dhe hungareze.

Partia i ka hedhur poshtë kritikat se vetëm njerëzit e lidhur me SVM-në marrin para.

“Faktet tregojnë se pjesa më e madhe e këtyre fondeve përfundoi te sipërmarrësit dhe njerëzit pranë SVM-së dhe se një pjesë e vogël përfundoi tek ata që nuk kanë lidhje me të”, thotë Çonka.

Fondacioni “Prosperitati” nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me punën e tij dhe shpërndarjen e parave në konkurse.

“Fushatë e pistë zgjedhore” në Vojvodinë

Sipas regjistrimit të popullsisë më 2022, mbi 184.000 hungarezë jetojnë në Serbi dhe janë pakica më e madhe kombëtare në këtë vend.

Ata janë popullsi shumicë në disa komuna në Vojvodinë.

Një numër i madh i hungarezëve në Serbi kanë shtetësi të dyfishtë dhe kjo u jep atyre të drejtën për të votuar në zgjedhjet në të dyja vendet.

Në zgjedhjet e së dielës në Hungari, më shumë se 60.000 votues nga Serbia votuan me postë.

Kjo shifër u prezantua nga kreu i SVM-së, Balint Pastor.

Ende nuk ka të dhëna zyrtare për votimin nga diaspora hungareze.

Çonka thekson se, gatë fushatës, udhëheqësit e SVM-së bënë thirrje hapur për të votuar për Orbanin.

Zyrtarë hungarezë, të udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto, vizituan Vojvodinën.

SNS-ja u përfshi gjithashtu në fushatë.

Java para zgjedhjeve u përshkua nga pretendimet e autoriteteve në Beograd dhe në Budapest se ishte parandaluar një përpjekje për të sabotuar tubacionin e gazit që furnizon Hungarinë me gaz rus.

Opozita në Hungari dhe ajo në Serbi thanë se ishte një operacion “nën flamur të rremë” për ta ndihmuar Orbanin.

“Fushata zgjedhore, e cila u përhap nga Hungaria në Vojvodinë, ishte mjaft e ashpër dhe e pistë. Ajo solli shumë përçarje në komunitet dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’i zvogëluar përçarjet, për t’u afruar me njëri-tjetrin”, thotë Çonka.

Ai pret që Qeveria e re hungareze “t’i respektojë mendimet e të gjithë aktorëve politikë në Vojvodinë dhe Serbi, që merren me interesat e komunitetit hungarez”.

Këshilli Kombëtar i Pakicës Hungareze në Serbi nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me ndryshimin e Qeverisë në Budapest.

Këshilli drejtohet nga zyrtari i SVM-së, Arpad Fremond, dhe koalicioni rreth kësaj partie është, me shumicë absolute, forca dominuese në këshill.

Përgatiti: Valona Tela
Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG