Ndërlidhjet

Bullgaria dhe vendet baltike dëbojnë diplomatë rusë


Flamuri bullgar.
Flamuri bullgar.

Bullgaria ka dëbuar 10 diplomatë rusë, duke thënë se ata kanë kryer aktivitete që konsiderohen në mospërputhje me statusin e tyre diplomatik.

Ministria e Jashtme bullgare ka thënë përmes një deklarate më 18 mars se u ka dhënë 10 diplomatëve, 72 orë për t’u larguar nga shteti.

Në deklaratë nuk janë dhënë hollësi për arsyet e dëbimit, mirëpo prej kur Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, ambasadori rus në Sofje ka bërë vazhdimisht deklarata kontradiktore rreth pozicionit të Bullgarisë në konflikt.

Ministria nuk ka thënë po ashtu se kush është në listën e të dëbuarve.

Ambasada ruse në Sofje ka thënë të premten se vendimi i Bullgarisë për diplomatët rusë është “një tjetër hap agresiv”, për të cilin Moska do të përgjigjet.

Në një deklaratë të lëshuar në kanalin e saj në Telegram, ambasada ka thënë se i konsideron dëbimet si shenjë se Bullgaria synon të shkëpusë lidhjet Bullgari-Rusi në minimum.

“Ky demarsh armiqësor do të marrë një vlerësim dhe një reagim përkatës, adekuat për frymën e re të marrëdhënieve dypalëshe”, ka thënë ambasada.

Ndërkohë, Letonia dhe Estonia kanë thënë se do të dëbojnë nga tre diplomatë rusë, derisa Lituania u kanë thënë katër rusëve që të largohen nga shteti.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka thënë në Twitter se Riga është duke dëbuar tre punëtorë të Ambasadës ruse “në lidhje me aktivitete që janë në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik, dhe duke marrë parasysh agresionin e vazhdueshëm rus në Ukrainë”.

“Ky vendim është koordinuar me Lituaninë dhe Estoninë”, ka thënë ai.

Estonia ka thënë se tre diplomatëve, që u ka kërkuar të largohen, “kanë qenë duke minuar sigurinë e Estonisë dhe duke përhapur propagandë për të arsyetuar veprimet ushtarake të Rusisë".

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
XS
SM
MD
LG