Ndërlidhjet

Shkup: 45 vjet burgim për pjesëmarrje në luftërat e huaja


Ilustrim
Ilustrim

Gjykata Penale e Shkupit i ka dënuar me 45 vjet burgim shtatë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë marrë pjesë në formacionet paraushtarake të ISIS-it.

Safet Ramadani u dënua me 9 vjet burgim, ndërsa Elmedin Osmani, Ahmet Xhengiz, Benjamin Feto, Ibrahim Shabani dhe Almir Mirtovski me nga 6 vjet burgim.

Të gjithë të dënuarit gjatë procesit gjyqësor kanë pranuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në formacione paraushtarake dhe parapolicore dhe organizatë terroriste”.

Ndryshe, autoritetet policore në gusht të vitit 2018 njoftuan se në bashkëpunim me partnerët e koalicionit global për luftë kundër terrorizmit dhe Forcave Demokratike Siriane, të akuzuarit ishin arrestuar dhe transportuar me aeroplan deri në Maqedoni, pas autoritetet maqedonase u shprehën të gatshme për t'i pranuar.

Ekspertët e sigurisë thonë se Maqedonia e Veriut duhet të jetë e vëmendshme për rrezikun që bartin personat, të cilët kthehen në vend, pasi kanë marrë pjesëaktive në luftërat në Siri dhe Irak, ndërkohë që institucionet e vendit duhet të angazhohen për përfshirjen e këtyre personave dhe familjarëve të tyre në një program të posaçëm për risocializimin dhe integrimin e tyre.

Samet Shabani nga organizata joqeveritare "Horizont Civitas”, e cila është duke realizuar një hulumtim që mbështetet nga Ambasada Britanike në temën "Ndërtimi i ri integrimit dhe inicimi i dialogut për përfshirje më të madhe", për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se aktualisht nuk është aktiv asnjë program për risocializimin dhe riintegrimin e personave, të cilët kthehen në Maqedoninë e Veriut, pasi të kenë marrë pjesë në luftërat e huaja.

Shabani thotë se këtyre personave u nevojitet një qasje profesionale nga ana e autoriteteve shtetërore për t'i integruar në shoqëri.

“Aktualisht, në Maqedoni nuk ka programe gjithëpërfshirëse aktive për riintegrim dhe risocializim, qoftë për të rikthyerit nga konfliktet, qoftë për familjarët e tyre. Vlerësimet tona si organizatë, janë se institucionet publike duhet të angazhohen në këtë drejtim dhe të ndërtojnë ura dialogu me ta, sepse ata në fund të ditës janë banorë të këtij shteti, që kanë përjetuar sprova në një moment të caktuar të jetës së tyre, e jo njerëz që duhet ndëshkuar përjetësisht me pasojat e kësaj sprove, ose me etiketime degraduese ndaj dinjitetit të tyre - gjë që institucionet publike kohë pas kohe praktikisht kanë ditur ta tregojnë. Andaj, hapi i parë në drejtim të riintegrimit është ndryshimi i qasjes së institucioneve të shtetit ndaj këtyre personave”, thotë Shabani.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, bëjnë të ditur shtetasit e Maqedonisë së Veriut në viset e prekura nga lufta në Siri dhe Irak, shkojnë përmes Turqisë.

“150 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak, si pjesëtarë të forcave paraushtarake. 80 prej tyre janë kthyer në shtet”, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë nga Dikasteri i Policisë.

Ndërkaq, Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, konsideron se shërbimet sekrete duhet t'i vëzhgojnë veprimet e personave, të cilët kthehen nga luftërat e huaja, sepse ata, thotë ai, vazhdojnë të paraqesin rrezik potencial për sigurinë në vend.

“Të ashtuquajturit luftëtarë të Shtetit Islamik paraqesin kërcënim si për vendet ku ata kanë vepruar duke marrë pjesë në luftërat në Siri, Irak dhe vendet e tjera të Afrikës së Veriut, njëherësh ata paraqesin rrezik edhe për sigurinë e vendeve të Ballkanit prej ku ata janë nisur".

"Tani është intensifikuar procesi i kthimit të tyre në vendet e Ballkanit, për shkak se tashmë gjithnjë e më shumë shuhen shumë vatra të luftës në Lindjen e Mesme. Strukturat shtetërore për zbulim dhe kundërzbulim duhet t'i identifikojnë të njëjtit dhe pasi të kryejnë dënimin e paraparë me ligj, ata duhet t'u nënshtrohen programeve për risocializim që të mos paraqesin rrezik për sigurinë e vendit”, vlerëson Trajanov.

Do theksuar se në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, pjesëmarrja ose rekrutimi i personave për t’u përfshirë në luftërat e huaja, paraqet vepër penale, për të cilën parashihet dënim me së paku pesë vjet burgim.

Deri më tani për këtë vepër janë të akuzuar ose të dënuar 23 shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, që gjatë viteve të fundit në viset e prekur nga lufta në Siri Irak dhe vendet e tjera të përfshira nga lufta në Afrikën e Veriut, jetën e kanë humbur 35 shtetas të Maqedonisë së Veriut.

XS
SM
MD
LG