Ndërlidhjet

Cari bullgar trazon ndjenjat e hebrenjve në Maqedoninë e Veriut


Shënimi i një prej përvjetorëve të dëbimit të hebrenjve maqedonas.

Shoqata e Hebrenjve në Maqedoninë e Veriut kërkon nga institucionet të ndërmarrin masa urgjente ndaj çdonjërit që formon shoqata me ide fashiste duke prekur në ndjenjat e këtij komuniteti të përndjekur gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania fashiste dhe shtetet që kishin mbështetur nazizmin.

Kryetari i Shoqatës, Pepo Levi, thotë se komuniteti hebre është i “indinjuar” nga njoftimet se pos klubit në qytetin e Manastirit, edhe në Ohër është formuar një shoqatë me emrin e Car Borisit III, i cili kishte sunduar me Bullgarinë nga viti 1918-1943.

Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Car Borisi ishte rreshtuar përkrah Gjermanisë dhe kishte pushtuar pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut ku ishte strehuar një numër i madh i komunitetit hebre.

“Kjo është diçka e pakëndshme për ne hebrenjtë, por edhe për tërë popullin maqedonas, pasi bëhet fjalë për kolaboracionistë të verifikuar, bashkëpunëtorë të Hiterit, Ante Paveliqit, pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore përkrah nazistëve. Është një ndjenjë e rikthimit të nazizmit përmes dyerve të mëdha në Maqedoni[të Veriut]. Kjo është diçka e pazakontë e që nuk duhet të ndodhë".

"Kjo nuk është aspak në rregull pasi prek ndjenjat e hebrenjve dhe të vetë maqedonasve kur dihet se 7.144 hebrenj u vranë, e mbi 11 mijë të tjerë u dërguan në kampet e përqendrimit nga Bullgaria naziste. Car Borisi është sinonim i nazizmit”, thotë Levi për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se në muajin prill, kur në qytetin e Manastirit u regjistrua një klub tjetër kulturor bullgar, me emrin e bashkëpunëtorit tjetër nazist, Vanço Mihajlov, shoqata që ai drejton gjithashtu reagoi, duke u kërkuar institucioneve që të kontrollojnë nëse është i ligjshëme emërtimi i klubeve dhe shoqatave me emra të tillë.

“Mendoj se institucionet duhet të reagojnë lidhur me këto paraqitje. Nuk mundet që kujt t’i teket të regjistrojë shoqata me emra të nazistëve. Nesër mund t’i teket ndonjërit të regjistrojë një shoqatë me emrin e Hitlerit... A thua a do ta lejonte shteti një gjë të tillë? A mundet diçka e tillë të ndodhë në ndonjë vend të BE-së? Nuk mundet atje kush si të dojë të regjistrojë shoqata të tilla që mbajnë emra të fashistëve. Ky është një antisemitizëm klasik që dënohet me ligj, si në Gjermani, Francë e vende tjera".

"Ne kemi paraqitur një kërkesë për plotësimin e Kodit Penal për dënimin e veprimeve të tilla, si antisemitizmin, mohimin e antisemitizmit, përhapjen e urrejtjes, mohimin e Holokaustit. Shteti duhet të reagojë, duhet të mbajë llogari për gjëra të tilla”, thotë Pepo Levi, kryetar i Shoqatës së Hebrenjve të Maqedonisë së Veriut.

Aushvici, tragjedia më e madhe në historinë e njerëzimit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:04:11 0:00

Shoqata me emrin e Car Borisit III është themeluar nga një shoqatë bullgare në Ohër dhe drejtohet nga Tome Bllazheski. Ai thotë se është bullgar që jeton në Maqedoninë e Veriut.

“Mbreti bullgar, Borisi III, e ka çliruar Maqedoninë nga skllavëria serbe dhe kur kombet e tjera mund të kenë shoqata të ndryshme, pse edhe ne të mos mundemi. Si mbështetës të figurës dhe veprës së Carit bullgar Borisi III, themeluam në Ohër një shoqatë që mban emrin e tij dhe synimi ynë është të ushqejmë kulturën bullgare në Maqedoni”, thotë Bllazhevski për Radion Evropa e Lirë.

Shoqata që ai drejton, ka publikuar edhe një komunikatë duke i ka hedhur poshtë pretendimet se ajo ka ide neo-naziste apo se Borisi III ka qenë bashkëpunëtor i nazizmit.

Shoqata jonë u krijua për të ruajtur dhe ushqyer kulturën bullgare, për të respektuar figurën dhe veprën e Car Borisit III".

“Ne i hedhim poshtë pretendimet se jemi një shoqatë neo-naziste pasi nuk kemi asnjë bashkëpunim apo synim me lëvizjet antisemitiste. Ne kemi respekt të madh për popullin hebre dhe shprehim keqardhje për gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën. Le të ecim së bashku në të ardhmen e atdheut tonë Maqedonisë [së Veriut] drejt vlerave evropiane me respekt dhe mirëkuptim. Shoqata jonë u krijua për të ruajtur dhe ushqyer kulturën bullgare, për të respektuar figurën dhe veprën e Car Borisit III”, thuhet në reagimin e shoqatës.

“Jemi qytetarë të thjeshtë që nuk duam dhe kërkojmë të mos keqpërdoremi për qëllime dhe pikë partiake. Problemet duhet t’i zgjidhin politikanët dhe historianët nga të dyja vendet”, thuhet ndër tjerash në reagimin e shoqatës bullgare "Borisi III".

Lidhur me këtë rast, institucionet thonë se mbeten në qëndrimin sikur në rastin me shoqatën kulturore bullgare “Vanço Mihajlov”, që u hap në Manastir.

Hapja e qendrës kulturore "Vanço Mihajlov" në Manastir, ku mori pjesë edhe kryeministri bullgar, Kiril Petkov.
Hapja e qendrës kulturore "Vanço Mihajlov" në Manastir, ku mori pjesë edhe kryeministri bullgar, Kiril Petkov.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e kishte dënuar aktin e themelimit të kësaj shoqate me emrin e bashkëpunëtorit të nazizmit.

“Për mua, dhe për shumicën dërmuese të qytetarëve, Vanço Mihailov ishte bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë me regjimin nazist dhe fashist. Është një personazh jashtëzakonisht negativ, i cili i ka shkaktuar dëme të mëdha popullit maqedonas. Një njeri që mori pjesë në likuidimin dhe asgjësimin e revolucionarëve maqedonas. Ai ishte bashkëpunëtor i regjimit që deportoi të gjithë hebrenjtë maqedonas në kampet e vdekjes. Ishte një krim i madh, i tmerrshëm, një krim i pafalshëm”, pati deklaruar kryeministri Kovaçevski.

Ai ka udhëzuar institucionet kompetente që të analizojnë legjislacionin, i cili nuk ndalon përdorimin e emrave gjatë themelimit të shoqatave të ndryshme. Ai zgjidhjen e problemit e sheh në përgatitjen e një ligji të ri.

Shoqatat e tilla regjistrohen në institucionet me emrin “Regjistri Qendror”, ku shoqata me emrin “Borisi III” rezulton të jetë regjistruar në vitin 2021.

Glorifikimi i figurave të tilla i kthen proceset mbrapa dhe çorienton raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë".
Skënder Asani

Historiani Skënder Asani thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet duhet të veprojnë pasi glorifikimi i figurave të tilla prek thellë në ndjenjat e komunitetit hebre, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte pësuar keq nga pushteti i Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria fashiste.

“Në të ardhmen duhet të kihet kujdes, sepse me këto gjëra nuk luhet. Glorifikimi i figurave të tilla i kthen proceset mbrapa dhe çorienton raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Mendoj se shteti duhet të reagojë, sepse fashizmi i ka sjellë të keqe botës dhe një komuniteti të vogël këtu në Maqedoni, e cila gjatë Luftës së Dytës Botërore duke qenë nën okupimin fashist bullgar, ka deportuar mbi 98 për qind të popullatës hebraike, që zë vendin e parë në botë”, thotë Asani.

Ai konsideron se pas veprimeve të tilla mund të qëndrojnë edhe elemente të caktuara që synojnë përkeqësimin e raporteve për të rrënuar marrëveshjen mes dy vendeve pas zhbllokimit të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG