Ndërlidhjet

Certifikatat për vaksinim punë shtesë për mjekët familjarë 


Maqedoni e Veriut: një zonjë tregon kartën e vaksinimit kundër COVID-19, me dozën e parë të vaksinave Pfizer, në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup. (Foto: 17 shkurt 2021)
Maqedoni e Veriut: një zonjë tregon kartën e vaksinimit kundër COVID-19, me dozën e parë të vaksinave Pfizer, në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup. (Foto: 17 shkurt 2021)

Rreth 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë edhe pasi janë regjistruar për të marrë vaksinën kundër koronavirusit të ri, nuk janë paraqitur në terminin e caktuar për vaksinim. Një pjesë e tyre thonë se vaksinimin e kanë anuluar për shkak se nuk kanë mundësi zgjedhjeje, me cilën vaksinë duan të vaksinohen kundër koronavirusit të ri.

Një nga ta është edhe Hanife Hoxha, zonjë në të gjashtëdhjetat e cila për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk dëshiron të vaksinohet me asnjë nga vaksinat që nuk janë të miratuara nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve. E tëra kjo, jo se ka dyshime për cilësinë e vaksinave me të cilat kryesisht imunizohet popullata në Maqedoni, atë kinezen Sinopharm, por pasi gjatë verës, planifikon të shkojë në Gjermani tek i biri, andaj dëshiron ta ketë valide certifikatën në shtetin gjerman, prandaj pret të vaksinohet me vaksinën Pfizer.

“Po pres të vaksinohem se mendoj se është më mirë të vaksinohemi. Por (vaksinën) kineze nuk dua ta pranoj, sepse mendoj se atë akoma nuk e njohin në Gjermani”, thotë Hanife Hoxha.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve, deri më tani ka miratuar katër vaksina në Bashkimin Evropian: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson, ndërkohë që kanë bërë të ditur se ka filluar edhe rishikimi i vaksinës kundër koronavirusit të ri, nga kompania kineze Sinovac.

Infektologët në Maqedoninë e Veriut, në vazhdimësi u bëjnë me dije qytetarëve se të gjitha vaksinat janë të mira dhe pavarësisht vendit prej ku vijnë, mbrojnë në mënyrë të njëjtë nga koronavirusi i ri.

Ndërkohë, rreth 25 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë pranuar që të dy dozat e vaksinës kundër koronavirusit të ri, mund të marrin një certifikatë si dëshmi se janë vaksinuar.

Nga Ministria e Shëndetësisë, për Radion Evropa e Lirë, kanë bërë të ditur se certifikatat për imunizim, qytetarët e vaksinuar mund t’i marrin tek mjeku amë, apo tek pika ku janë vaksinuar.

Në këtë certifikatë, janë shënuar në gjuhën maqedonase dhe atë angleze, të dhënat e pacientit se kur e ka pranuar dozën e parë si dhe dozën e dytë të vaksinës, cilën vaksinë e ka pranuar përfshirë kodin dhe vulën elektronike të Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut.

Mjekët familjarë thonë se ndarja e certifikatave për pacientët, paraqet punë shtesë për ta, ndërkohë që janë të mbingarkuar për shkak të situatës që ka imponuar pandemia.

“Me dhënien e certifikatave për vaksinim, kemi një obligim shtesë, i cili është administrativ dhe i cili na shkakton ngarkesë financiare dhe kohore. Kolegët, mjekët amë, janë të revoltuar ndaj një vendimi të tillë (obligimin për të ndarë certifikatat për marrjen e vaksinës), duke marrë parasysh faktin se qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë ndarë asnjë ndihmë për mjekët familjarë, të cilët që me shpërthimin e pandemisë, ishin në vijën e parë të frontit, për ta identifikuar dhe luftuar pandeminë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Liridon Disha, mjek familjar, duke shtuar se shpreson që dikasteri i shëndetësisë do të gjejë mënyrë që të shpërblejë mundin e mjekëve për obligimet që u janë dhënë, duke i përfshirë në masat antikrizë.

Nga ana tjetër, kryetarja e Shoqatës së Mjekëve, Lilija Çollakova-Dervishova, thotë se forma si është konceptuar që përmes mjekëve amë, të sigurohet certifikata për vaksinim, ka shkaktuar më shumë probleme për mjekët amë, ndërkohë që obligimet shtesë nuk janë përfshirë me asnjë masë të qeverisë për subvencionim.

“Na ka ndodhur që një pacient i cili është vaksinuar gjatë të premtes dhe i njëjti lajmërohet në mbrëmje që mjeku amë të shtyp certifikatën për vaksinim, pasi ai pacient ka nevojë për të si dëshmi që të paraqitet në ndonjë nga klinikat për intervenim. Besoni se kjo është punë shtesë, pasi duhet shkuar në ambulancë dhe të punohet jashtë orarit, për t'i shërbyer qytetarët, ndërkohë që ne edhe ashtu jemi mëse të ngarkuar me pacientët me sëmundje kronike, të cilët janë në panik, pasi një pjesë e konsiderueshme e sistemit shëndetësor mbetet i paralizuar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Shoqatës së Mjekëve, Lilija Çollakova-Dervishova.

Ndryshe nga disa vende të Evropës, ku personat e vaksinuar kanë përfitime të caktuara, siç është lëvizja edhe gjatë orës policore, pjesëmarrja në evente etj., Maqedonia e Veriut akoma nuk ka paraparë asnjë lehtësim për personat që tashmë kanë marrë që të dy dozat e vaksinës.

Kryeministri i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë këtij muaji ka bërë të ditur se është vaksinuar me vaksinën kineze Sinopharm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG