Ndërlidhjet

Shqetësime për cilësinë e produkteve bujqësore


Qytetarët duke blerë produkte ushqimore në një treg në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht ata në kryeqytet, Shkup, kanë shprehur shqetësime për sa i përket cilësisë së produkteve bujqësore që konsumojnë, pasi pjesa më e madhe e tyre ujiten me ujin nga Lumi Vardar, në të cilin derdhen ujërat e zeza.

Përgjatë Lumit Vardar në fshatrat e rrethinës së Shkupit, prej nga furnizohen tregjet e gjelbra me produkte ushqimore, mund të shihen shumë ara të mbjella me speca, domate, tranguj, e produkte të tjera.

Sipas analizave të instituteve përkatëse shtetërore, Lumi Vardar është një prej lumenjve më të ndotur në Evropë, pasi pa kaluar nëpër stacione filtruese, aty përfundojnë ujërat e zeza.

Për këtë arsye, qytetarët shprehin shqetësimet e tyre lidhur me cilësinë e produkteve bujqësore.

“Të gjithë ne themi se do të blejmë lakër nga Bardovca [lagje në Shkup] pasi trualli në këtë pjesë është shumë cilësor për ta bërë lakrën e lëngshme. Por, tani ky truall është më i papastërti pasi të gjitha fekalet, përmes ujitjes, shkojnë te lakra. Dhe ne i konsumojmë ato si produkte të shëndetshme. Mjafton që vetëm një ditë qytetarët të kalojnë në këtë zonë dhe të binden se sa të rrezikshme janë këto produkte, dhe vetë era e keqe që kundërmon kur këto toka të mbjella ujiten drejtpërdrejt nga Lumi Vardar”, thotë Zhivko Arsovski, i cili jeton në një nga zonat përgjatë rrjedhës së Vardarit.

Ndotja në Lumin Vardar.
Ndotja në Lumin Vardar.

Idriz Ajeti, i cili për më shumë se 20 vjet shet pemë dhe perime në tregun e gjelbër në Shkup, thotë se blerësit janë të vetëdijshëm për cilësinë e produkteve, pasi e dinë se në cilën pjesë ato prodhohen dhe me çfarë uji ujiten ato toka.

“Njerëzit pyesin jo vetëm për qershitë që po shes sot, por edhe për produktet e tjera, veçanërisht për sallatat e gjelbra, qepët e freskëta se ku janë prodhuar dhe me cilin ujë. Por, këto pyetje i bën ajo shtresë që e di se sa e rëndësishme është cilësia e tokës dhe ujit, megjithëse pjesës më të madhe i intereson çmimi”, thotë Ajeti.

Ndërkaq, Konstadinka Veljanoska, e cila po ashtu është nga Shkupi, thotë se bashkëshorti i saj e ka pasion peshkimin, por ajo thotë se për shkak të ndotjes së madhe të Lumit Vardar, peshku që zihet në të është i pangrënshëm.

“Që si fëmijë, ne e kemi konsumuar peshkun nga lumi, pasi edhe babai im ishte peshkatarë. Por, më herët Lumi Vardar ishte i pastër. Tani ka periudha kur peshku është i mirë, por ka edhe të tilla kur peshkut i vjen një erë e rëndë, sikurse e detergjenteve, prandaj e hedhim”, thotë ajo.

Një peshkatar duke peshkuar në Lumin Vardar në Shkup. Dhjetor, 2020.
Një peshkatar duke peshkuar në Lumin Vardar në Shkup. Dhjetor, 2020.

Më 2021 janë marrë 34 mostra në gjashtë pika të rrjedhës së Vardarit në rajonin e Shkupit, me ç’rast është konstatuar se 88 për qind e ujit të Vardarit i përket kategorisë së pestë dhe 22 për qind, kategorisë së katërt.

Sipas rregullores për klasifikimin e ujërave, që është miratuar në vitin 1999, ujërat e kategorisë së dytë përdoren për larje, e të tretës për ujitje dhe kategoria e katërt dhe e pesë paraqesin rrezik si për larje ashtu edhe për ujitje.

Nga Qendra e Shëndetit Publik thonë se faktori njeri është fajtori kryesor për papastërtinë e Lumit Vardar, pasi në mënyrë të pakontrolluar po derdhen ujërat e zeza në rrjedhën e lumit.

Ndërkaq, në Ministrinë e Ambientit Jetësor thonë se stacionet filtruese ende nuk janë vendosur për shkak të procedurave të tenderimit.

“Jemi në fazën finale të nënshkrimit të kontratës, me të cilën edhe do të fitohet tenderi, dhe shpresojmë se deri në fund të vitit do të fillojmë ta ndërtojmë stabilimentin për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, që është investim prej mbi 100 milionë eurosh”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Ambientit Jetësor, Naser Nuredini.

“Gjithashtu do të fitojmë fond edhe nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, përkatësisht nga Bashkimi Evropian, çka do të thotë se përfundimisht këtë vit do të fillojmë me ndërtimin e stacionit pastrues në Shkup, për të zgjidhur problemin me ujërat e zeza në Shkup.Ky është proces në të cilin punojmë në tre vjetët e fundit dhe tani përfundimisht jemi në fazën finale dhe pajtohemi se kryeqyteti nuk duhet të lihet pa stabiliment për trajtimin e ujërave të zeza”, shton ai.

Specialisti i higjienës në Qendrën për Shëndet Publik, Lubço Konstadinovski, thotë se po neglizhohet ndotja në Lumin Vardar, që sipas tij paraqet arterien kryesore të zhvillimit të bujqësisë në rajonin e Shkupit, rajon në të cilin është e përqendruar pjesa më e madhe e popullsisë së Maqedonisë së Veriut.

Ai thotë se gjatë periudhave kur nuk ka shumë reshje dhe uji është më i cekët, krijohet një ambient i përshtatshëm për zhvillimin e baktereve, ndërkohë që uji i këtij lumi përdoret për ujitje.

“Sipërfaqja e Lumit Vardar i takon kategorisë së katërt dhe të pestë, që do të thotë se ndalohet për ujitje, ndërkohë që vazhdon ujitja e të mbjellave si qepëve, specave, domateve, lakrave dhe bizeleve”.

Sipas Konstadinovskit, qytetarët në mënyrë të pakontrolluar ujisin të mbjellat përmes pompave të ujit që gjenden në breg të lumit, duke ndodhur kulturat bujqësore.

XS
SM
MD
LG