Ndërlidhjet

Udhëzimi që synon të nxjerrë nga kaosi tregun e çmimeve të barnave


Ilustrim

“Çmime të njëjta për barna të njëjta”, është moto përmes së cilës po synohet unifikimi i çmimeve të barnave në tregun e Kosovës, që së fundi ka marrë edhe formën ligjore përmes udhëzimit administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ka dy dekada që kur vlerësohet se barnat nëpër barnatoret e Kosovës, nuk i kanë çmimet e unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve institucional, ka ndodhur për shkak se vendi nuk e ka pasur një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje.

Megjithëkëtë, ditë më parë, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka nënshkruar një udhëzim administrativ përmes së cilit obligohen me ligj barnatoret që çmimet e barnave të dedikuara për shitje, të jenë të njëjta.

Por, sa do të jetë i mundur zbatimi i këtij udhëzimi administrativ flasin nga Shoqata e Farmacistëve të Kosovës.

Florina Berisha, udhëheqëse e kësaj shoqate, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se ky udhëzim administrativ do t'i penalizojë në një mënyrë barnatoret duke shpjeguar se kostoja fitim-prurëse për barnatore, që ka përcaktuar udhëzimi administrativ është shumë e ulët.

“Të mirat e këtij udhëzimi administrativ janë se pacientët të mund të arrijnë të gjejnë produktin e njëjtë me çmimin e njëjtë nëpër barnatore”.

“Pacienti nuk do të ketë nevojë të shkojë për të kërkuar çmim më të mirë nga një barnatore në tjetrën. Ajo që mendojmë që neve na penalizon është përqindja e fitimit të barnatores, pasi vlerësimi farmaceutik është vlerësuar me 20 cent, e që mendojmë se është përtej asaj që mund të quhet profesionale. Shërbimi farmaceutik nuk e dimë se a do të mund të japim shërbime”, tha Berisha.

Ajo thotë se jo për të gjitha barnat do të unifikohen çmimet. Janë disa barna që blihen pa recetë të mjekut dhe ato prapë do të vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme, ashtu siç e parasheh ky udhëzim administrativ.

“Për shembull ilaçi ‘Brufen’ nuk është subjekt i përshkrimit të mjekut dhe do të ketë çmime të ndryshme. Ose barnat për tension apo diabet, gjithashtu do të shiten me çmime të ndryshme”.

“Ndërkaq produktet për sëmundjet kronike, pacienti do t’i gjejë në gjitha barnatoret me çmime të njëjta”, tha Berisha.

Qytetarët thonë se laramania e çmimeve të barnave nga barnatorja në barnatore ka qenë e mundimshme.

Lendita Rexha, thotë se ka pasur informacion që çmimet dallojnë nëpër barnatore dhe se gjithmonë ka shëtitur për të kërkuar çmime më të lira, gjë që ka qenë e mundimshme për të.

“Po, kanë dalluar çmimet nëpër barnatore. Edhe mund të them se jo pak, por me disa euro për një ilaç. Mendoj se nuk ka qenë e drejtë për pacientët të sorollaten për të kursyer pak para. Nëse do të funksionojnë ky ligj i ri për çmime të njëjta mendoj se për pacientët do të jetë një gjë shumë e mirë”, tha Rexha.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tashmë ka deklaruar se do të ketë çmime të njëjta në çdo barnatore dhe barna më të lira në tërë Kosovën, "për të realizuar një kërkesë 20-vjeçare të qytetarëve dhe farmacistëve".

"Pas një pune shumë sfiduese dhe jashtëzakonisht të vështirë, për herë të parë në Kosovë, nënshkrova Udhëzimin Administrativ që rregullon dhe unifikon çmimin e barnave. Në mungesë të këtij dokumenti, shteti ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët kanë shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë për barna në vit".

"Ky udhëzim shënon një prej reformave më të mëdha në shëndetësinë kosovare. Duke hapur një faqe të re për shtetin dhe qytetarët, ne do të vazhdojmë të jemi në ballë të përgjegjësive tona publike, me qytetarin në qendër të secilës politikë”, ka thënë ministri Ismaili.

​Ndryshe, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ofruar ndihmë në zhvillimin e politikave sa i përket udhëzimit që unifikon çmimet e barnave, në mënyrë që të reduktohen shpenzimet e pacientëve në blerjen e barnave.

Ndërkaq, Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, ka bërë të ditur se ky udhëzim do të rregullojë çmimet e produkteve të cilat janë pjesë e furnizimeve për institucione publike shëndetësore, atyre të cilat do të jenë të rimbursuara nga ana e Fondit për Sigurim Shëndetësor si dhe për produktet medicinale të cilat janë subjekt i përshkrimit mjekësor.

“Zbatimi i këtij udhëzimi do të ulë çmimet, do të kontribuojë në shpenzime efikase edhe në sektorin publik, do të ndikojë që një pjesë e produkteve të cilat janë identifikuar nga inspektorati farmaceutik si produkte të kontrabanduara të minimizohen pasi do të minimizohet edhe nevoja për to, duke harmonizuar çmimet me rajon prej nga edhe ka qenë apo është kjo kontrabandë, do të nxisë konkurrencën profesionale, atë për të cilën farmacisti krijon kompetencën profesionale gjatë 5 viteve të edukimit të integruar në farmaci dhe edukimit të vazhdueshëm profesional’’, tha Jakupi.

Sidoqoftë, edhe vetë Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, është akuzuar se ka blerë barna shumëfish më shtrenjtë sesa çmimi real i tyre në treg, për furnizim të institucioneve publike shëndetësore.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG