Ndërlidhjet

Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.
Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.

Çfarë tha mbrojtja e Thaçit dhe Veselit në deklaratat përmbyllëse në Hagë?

• Në Hagë u zhvillua dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Thaçit tha se nëse ai shpallet fajtor, do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike", ndërkaq kërkesën e Prokurorisë që të katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

• Mbrojtja e Veselit argumentoi se ndaj tij nuk ka "asnjë provë" dhe akuzat ndaj ish-kryeparlamentarit të Kosovës bazohen "në thashetheme".

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

12:30 11.2.2026

Seancë private

Seanca është mbyllur për publikun me kërkesë të Mishetiqit, i cili tha se do të diskutohet për pretendimin e Prokurorisë se Thaçi ka ndihmuar dhe ka inkurajuar kryerjen e krimeve.

12:08 11.2.2026

“Prokuroria i bëri shtrembërime dosjes së vet”

Mishetiq ka thënë se nuk është i vërtetë as pretendimi i Prokurorisë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në verën e vitit 1998, ka refuzuar në çdo mënyrë të mundshme, “me zjarr” Qeverinë e zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe që ndërmorën hapa për të krijuar “një Qeveri të re”.

“Duhet të theksojmë që kjo është e pasaktë, faktikisht dhe juridikisht. Nuk ka ekzistuar një Qeveri e zgjedhur e LDK-së, s’ka pasur zgjedhje dhe s’ka pasur Qeveri të LDK-së. LDK-ja ka qenë parti politike, një grup joshtetëror dhe të ashtuquajturat zgjedhjet që ka mbajtur, kanë qenë zgjedhje joshtetërore. Madje, Qeveria e [Bujar] Bukoshit, as nuk ka qenë në Kosovë, ka qenë një Qeveri e ashtuquajtur 'në mërgim'. LDK-ja nuk kishte më shumë legjitimitet sesa UÇK-ja për të pretenduar autoritetetin që pretendonin”.

Sa i përket pretendimit se UÇK-ja mori hapa për të krijuar një Qeveri të re:

“Për këtë Prokuroria citon deklaratën politike me numër shtatë. Por, është e qartë se ajo deklaratë politike trajton çështjen e krijimit të institucioneve të reja në kuadër të negociatave që do të mbaheshin me Serbinë dhe ndërmjetësoheshin nga ambasadori [Christopher] Hill. Deklarata nuk pretendonte se UÇK-ja po krijonte një Qeveri të re në vetvete, dhe do ta përjashtonte LDK-në”, ka thënë Mishetiq.

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.

Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.

Nga tani e tutje, do të jeni me kolegen Mimoza Sadiku.

11:57 11.2.2026

Ekipi i gjykatësve

11:50 11.2.2026

Rinis seanca

Kemi qenë duke i ndjekur punimet me pak vonesë dhe ndërkohë pushimi i ekipeve në sallë ka përfunduar.

Do të shohim se ku do të fokusohet tani avokati i Thaçit, Mishetiq.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG