Ndërlidhjet

Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.
Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.

Çfarë tha mbrojtja e Thaçit dhe Veselit në deklaratat përmbyllëse në Hagë?

• Në Hagë u zhvillua dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Thaçit tha se nëse ai shpallet fajtor, do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike", ndërkaq kërkesën e Prokurorisë që të katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

• Mbrojtja e Veselit argumentoi se ndaj tij nuk ka "asnjë provë" dhe akuzat ndaj ish-kryeparlamentarit të Kosovës bazohen "në thashetheme".

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

13:00 11.2.2026

Mbrojtja flet për incidentin e Qirezit

Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, pas rikthimit në seancë publike foli për incidentin në Qirez, kur për afër 48 orë ishte ndaluar një delegacion prej disa anëtarësh të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1998.

“Delegacioni parlamentar u mbajt në ndalim për 48 orë. Për arsye të shpjeguara, ky ndalim 48 orësh nuk mund të shkelë të drejtën ndërkombëtare themelore. Provat tregojnë se ky ndalim nuk ishte një sulm i gjerë”, tha Mishetiq.

Ai argumentoi se nuk ka asnjë dyshim që ndalimi të jetë bërë për arsye ushtarake, “siç është frika që delegacioni ka shkuar pa lajmëruar për të inkurajuar dorëzimin në kohën kur Qirezi ishte nën sulm. Ky ndalim nuk ka pasur qëllim të realizojë qëllimin kriminal të pretenduar”.

Mishetiq tha se Gjergj Dedaj kishte dhënë dëshmi në Hagë se në Qirez nuk ishte Thaçi dhe se nuk ishte lënduar gjatë ndalimit. Ai kishte tërhequr deklaratën e bërë më 2014 në EULEX.

Avokati i Thaçit tha se ZPS-ja u mundua të thoshte se në një konferencë për media të delegacionit parlamentar të LDK-së të mbajtur pas incidentit, dora e Dedajt ishte e mavijosur. Por, Mishetiq argumentoi se në videon e ofruar si dëshmi nga mbrojtja, del se dora e Dedajt nuk kishte mavijosje dhe se në videon e transmetuar nga ZPS-ja, në fakt ishte hija e kamerave që binte mbi dorën e Dedajt, e nuk bëhej fjalë për mavijosje.

“Dëshmitë e kohës tregojnë se delegacioni nuk është abuzuar në mënyrë të rëndë, as në Qirez as në Baicë dhe nuk ka dëshmi të kohës nga viti 1998 që kjo ka ndodhur”, tha Mishetiq.

Sipas tij, për Baicën, delegacioni kishte akuzuar për keqtrajtim Sabit Gecin dhe ZPS-ja nuk “ka treguar se atë ta ketë drejtuar Hashim Thaçi”.

13:29 11.2.2026

Mishetiq: Thaçi s’ka pasur njohuri për krime specifike të kryera nga anëtarë të UÇK-së

Mbrojtja e Thaçit tha se Prokuroria pretendon se Thaçi ka qenë në dijeni se ndonjë anëtar i Qeverisë së përkohshme kishte kryer krime.

“Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë caktuar bashkë të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë [së përkohshme]. Prokuroria nuk ka arritur që të provojë se Thaçi të ketë pasur njohur që ndonjë anëtar i Qeverisë së përkohshme të ketë kryer krime”, tha avokati.

Sipas tij, Prokuroria kishte argumentuar se KFORI-i nuk kishte marrë njoftime nga UÇK-ja se po hetonte krimet e pretenduara nga anëtarët e saj.

“Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë pasur njohuri për krime specifike të bëra nga anëtarët e UÇK-së që të ishin vartës të tij dhe për të cilët nuk ka pasur dijeni UNMIK-u dhe KFOR-i”, tha Mishetiq.

13:46 11.2.2026

Mbrojtja: Qeveria e përkohshme s’ishte mjet për “planin e përbashkët kriminal"

Mbrojtësja e Thaçit, Nina Tavakoli, foli për pretendimin e ZPS-së se Qeveria e përkohshme u përdor si mjet nga të akuzuarit për të ekuekutuar “një plan të përbashkët kriminal”.

Ajo tha se janë disa faktorë që rrëzojnë këtë pretendim. E para, ekzekutivi përbëhej nga shumë parti, kishte mbështetje ndërkombëtare dhe Qeveria “nuk ishte një mekanizëm pushteti”.

“Krijimi i sa u mbështet nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe fuqi të tjera, si mënyrë për të unifikuar shqiptarët e Kosovës. Kjo mbështetje ndërkombëtare ngre dyshime se ajo u krijua si shtysë për të ekzekutuar një plan të përbashkët kriminal nga të akuzuarit për të marrë nën kontroll Kosovën”, tha ajo, duke shtuar se kjo mund të qëndrojë vetëm nëse ZPS-ja pretendon se SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Evropa ishte në mbështetje të një plani të tillë kriminal.

“Si është e mundur që klienti ynë, që ishte 29 vjeç në atë kohë, t’i ketë gënjyer të gjithë ata”, tha Tavakoli.

14:05 11.2.2026

Mbrojtja kundërshton pretendimin se Thaçi synonte marrjen nën kontroll të Kosovës

Avokatja Tavakoli tha se Thaçi në cilësinë e kryeministrit në Qeverinë e përkoshme nuk kishte pushtet të vërtet.

“Ai nuk mundte të nënshkruante asnjë angazhim domethënës për kosovarët në rolin e tij si kryeministër”, tha ajo, duke kujtuar dëshminë e ish-diplomatit britanik, John Stewart Duncan se Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen për çarmatosje e UÇK-së si kryeministër i Qeverisë së përkohshme.

“Kryeministër ishte një titull, nuk ishte shtysë përmes së cilës Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale [term që ZPS-ja përdor në aktakuzë për t'iu referuar të akuzuarve dhe disa ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së] mund të jetësohej”, tha ajo.

Tavakoli tha se fillimisht, në ditët e para të UNMIK-ut, Thaçi kishte konkurruar me këtë institucion për pushtet, por më pas e pranoi autoritetin e kësaj administrate dhe bashkëpunoi me të.

Ajo ngriti pyetjen se si Thaçi synonte të merrte nën kontroll Kosovën, kur ai ishte pajtuar për çarmatosjen e UÇK-së, pranoi të bashkëpunonte me UNMIK-un, kishte pranuar humbjen në zgjedhje pasluftës deri më 2007, kur i fitoi ato.

Aktualisht, seanca është në pushimin e drekës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG