Deklaratat për Selimin
Prokurori e përshkruan Rexhep Selimin si person me lidhje të ngushta me Adem Jasharin dhe me rol të rëndësishëm në fushëbetejë dhe si dikush që gëzonte shumë respekt dhe besueshmëri nga luftëtarët.
Sipas Prokurorisë, Selimi ka qenë organizator dhe pjesëmarrës në sulmet e vitit 1997 kundër forcave serbe.
“Ai gëzonte shumë respekt si ish i burgosur politik. Ndonëse ai ka pasur profil ligjor në LDK në vitet ’90, ai kishte kontakte me Adem Jasharin më 1991 dhe ishte përfshirë në UÇK prej 1993 dhe na ka shpjeguar se iu bashkua Shtabit të Përgjithshëm më 1997. Dhe ja, kështu u bënë bashkë të akuzuarit dhe ata vepronin në mënyrë kolektive”.
Deklaratat për Thaçin dhe Veselin
Prokurori Alan Tieger tani po i rikthehet procesit gjyqësor duke përmendur se çfarë kanë thënë disa prej dëshmitarëve.
Ai përsëriti se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në vijën e parë të UÇK-së prej fillimit dhe kishin rol të rëndësishëm.
Tieger përmendi që të dy kanë shkuar në Zvicër më 1994 dhe deri më 1998 janë kthyer në Kosovë çdo 3-4 muaj dhe kanë qëndruar aty për disa javë secilën herë.
“Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”.
Sipas tij, Thaçi e fitoi reputacionin e personit që lidhi luftëtarët në Kosovë dhe planifikuesit që jetonin në mërgim.
West: Kërkojmë dënimin e personave konkretë
Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”.
Çfarë po thotë tjetër prokurorja West?
Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së".
Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.
“Në mënyrë që ta arrinin qëllimin e tyre, këta persona të akuzuar kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”.
Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.
Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.