Ndërlidhjet

Demarkacioni bashkë me gjetjet nga Qeveria do të procedohen në Kuvend


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Raporti rreth të gjeturave në lidhje me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pritet t’i procedohet Qeverisë së Kosovës javën e ardhshme.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka njoftuar kabinetin qeveritar se kryesuesi i Komisionit Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, Shpejtim Bulliqi i ka konfirmuar atij përfundimin e punës rreth gjetjeve në lidhje me Demarkacionin.

Haradinaj tha se ka kërkuar nga Bulliqi që raportin t’ia prezantojë Qeverisë në fillim të javës tjetër, dhe më pas, Qeveria ta procedojë në Kuvend.

Pritjet janë që bashkë me raportin e Komisionit, Qeveria ta procedojë edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin në Kuvend, në mënyrë që ky institucion të marrë vendim, nëse do ta ratifikojë apo anulojë këtë marrëveshje.

“Të gjeturat e raportit, pra ia procedojmë Kuvendit. Sa na përket neve si Qeveri, pas njohjes së materialit nuk na mbetet shumë punë apo punë tjetër, pos ta procedojmë në Kuvend”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Ai nuk e ka përjashtuar si mundësi që Qeveria të njoftohet nga Komisioni Shtetëror lidhur me gjetjet qysh të hënën.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar nga autoritetet e Prishtinës dhe Podgoricës, në fund të gushtit të vitit 2015, në Vjenë. E njëjta marrëveshje, ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Për ratifikimin e saj nevojiten 80 vota të deputetëve.

Kjo marrëveshje, ishte rezultat edhe i punës së Komisionit paraprak shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, që drejtohej nga Murat Meha.

Por, pas ardhjes në krye të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në legjislaturën e kaluar kishte kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, ka shkarkuar përbërjen e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, duke emëruar përbërje të re me në krye Shpëtim Bulliqin.

Komisioni i ri ka nisur rishikimin e gjithë procesit, për të gjetur gabimet e pretenduara në Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Gjetjet e këtij komisioni tani pritet të dalin në Kuvendin e Kosovës për diskutim.

Ndryshe, ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e ZI, mbetet një nga kushtet që Komisioni Evropian i ka vënë Kosovës, në lidhje me avancimet e saj në procesin e liberalizimit të vizave.

Autoritetet ndërkombëtare, kryesisht qarqet diplomatike nga Uashingtoni dhe Brukseli, në disa raste i kanë ftuar deputetët që ta ratifikojnë Demarkacionin në versionin aktual.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG