Ndërlidhjet

Deponitë e egra rrezikojnë përhapjen e epidemive


Ilustrim
Ilustrim

Shumë komuna të banuara me popullatë shqiptare në Maqedoni, si Tetova, Struga, Haraçina, ka kohë që po përballen me problemin e deponive të egra të mbeturinave.

Ato janë ngritur në formë të grumbujve të mbeturinave të jashtëligjshme në zona urbane, apo në periferi të qyteteve. Ndërkohë që fare nuk menaxhohen qoftë nga institucionet lokale apo ato qendrore.

Madje shumë prej tyre, kohët e fundit janë djegur duke rrezikuar të nxisin një katastrofë ekologjike, siç ishte rasti me Komunën e Tetovës, që shkaktoi edhe protesta e reagime të shumta tek banorët për shkak të ndotjes së madhe të ambientit.

Pushteti lokal ka fajësuar për këtë gjendje qarqe të caktuara politike, se gjoja djegia është e qëllimshme në prag të zgjedhjeve lokale. Por, ekspertët e ekologjisë thonë se e gjithë kjo është pasojë e neglizhencës së institucioneve.

Fatkeqësia më e madhe është se në këtë drejtim si nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror nuk janë ndjekur përvojat dhe standardet rajonale dhe ndërkombëtare për të parandaluar këtë dukuri kriminale, penale apo për të parandaluar këtë krim ekologjik”, thotë Afrim Osmani, ambientalist.

Sikur të ishin ndjekur këto përvoja, besoj se nuk do të vinim në këtë gjendje që në komunat tona t’i kemi këto deponi të jashtëligjshme të mbeturinave”, thekson Osmani.

Në Qeverinë e Maqedonisë thonë se institucionet kanë ndërmarrë masa për zgjidhjen e problemit me deponitë e egra. Sipas tyre, ekziston rreziku i humbjes së shumë fondeve të Bashkimit Evropian që ishin paraparë në sfera të ndryshme, përfshirë edhe ato ekologjike.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani thotë se Qeveria është e angazhuar në ruajtjen e këtyre fondeve që nuk janë shfrytëzuar nga Qeveria e kaluar.

Bëhet fjalë për mjete në vlerë prej rreth 30 milionë euro, të dedikuara për projekte të ndryshme, e që për realizimin e tyre ka mbetur një afat i shkurtër kohor, pra deri në dhjetor të këtij viti. Duke marr parasysh se Qeveria është formuar në qershor, vlerësoj se është një afat i shkurtër për të shpëtuar këto projekte, prandaj po dalim me një plan master me masa urgjente”, thotë Bujar Osmani.

Por, organizatat joqeveritare thonë se Qeveria është treguar e paaftë, apo ka keqpërdorur fondet evropiane, andaj kërkojnë që të kenë qasje në këto fonde.

Besoj se do të ishte shumë më mirë që autoriteteve tona të mos u jepen para në dorë. Sa herë që shfrytëzojnë para, ato përfundojnë në fushata parazgjedhore apo në xhepat e tyre”, thotë Arjanit Xhaferi nga shoqata “Eko Guerila”.

Gjithashtu vlerësoj se do të ishte mirë që këto mjete të menaxhoheshin drejtpërdrejt nga Brukseli, duke i dhënë në raporte të detajuara mbi harxhimin e mjeteve e kështu me radhë”, thekson Xhaferi.

Në Maqedoni, sipas të dhënave aktuale, janë rreth 50 deponi të tilla që nuk përmbushin as kushtet elementare të parapara me standardet evropiane, por edhe në më shumë se 2 mijë lokacione të tjera hidhen mbeturina që paraqesin rrezik serioz për shëndetin e njeriut.

XS
SM
MD
LG