Ndërlidhjet

Maqedoni: Problem me djegien e mbeturinave


Ilustrim
Ilustrim

Standardet për grumbullimin e mbeturinave në Maqedoni i plotëson vetëm deponia “Drislla” e Shkupit, ndërkohë që të tjerat funksionojnë si deponi me karakter të përkohshëm, siç i ka emëruar Ministria e Ambientit Jetësorë, pa dhënë detaje për numrin e tyre.

Por organizatat joqeveritare, të cilat në fokus kanë ruajtjen e ambientit kanë ndezur alarmin, duke theksuar se në territorin e Maqedonisë ka mbi 50 deponi të egra, ku mbeturinat hidhen pa kurrfarë kontrolli dhe më problematike bëhet situata gjatë stinës së verës kur një pjese të deponive u vihet flaka.

Rasti i fundit është ai deponisë në Strugë, vetëm 500 metra nga qendra e qytetin, buzë liqenit të Ohrit, ku zjarri ka arritur të vendoset nën kontroll gjatë ditës së sotme, pasi për disa ditë me radhë në kulmin e sezonit turistik, Struga ka qenë e mbuluar me tym të zi djegia e mbeturinave.

Banorët e kësaj zone për disa ditë kanë protestuar për të shprehur revoltën ndaj institucioneve që vetëm në formë deklarative angazhohen për zgjidhjen e këtij problemi.

Arianit Xhaferi nga organizata për mbrojtjen e ambientit jetësore Eco Guerila, thotë se problemi me deponitë e egra është edhe më i theksuar në zonat e banuara me shqiptarët, me theks në rajonin e Tetovës , Strugës dhe Likovës, për shkak të mos shpërndarjes së barabartë të mjeteve financiare për menaxhimin e mbeturinave, përkatësisht ndërtimit të deponive në bazë të standardeve.

Është gjithnjë problematike prezenca e këtyre deponive, ku në të shumtën e rasteve mbeturinave u vihet zjarri. Komuna e Tetovës, më saktësisht kryetarja aktuale e Komunës së Tetovës, gjatë fushatës premtoi se zgjidhja e problemit të mbeturinave do të jetë prioritet i administratës së Komunës që ajo udhëheq, por ikën tanimë katër vite dhe problemi i mbeturinave mbetet akoma”.

E njëjta gjë ndodh edhe në Strugë. Në një takim joformal kur biseduam këtë çështje u arsyetua se mungojnë fondet. Komuna e Likovës, prej ku dhe është Ministri i ekologjisë, llogaritet se ka 12 apo 13 deponi të egra”.

Ajo që duhet të bëhet është ndërtimi i deponive me standarde, të krijohen mekanizma për kontrollin e funksionimit të tyre përmes një monitorimi të vazhdueshëm, si nga autoritet kompetente të shtetit po edhe trupa e pavarur”, thekson Arianit Xhaferi .

Nga dikasteri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë thonë se vetëm përmes ndërtimit të deponive rajonale mund të zgjidhet problemi me deponitë e egra, duke theksuar se nuk e kanë të qartë pse kryetarët e komunave nuk arrijnë ujdi se në cilat vise do të lokalizoheshin deponitë e ndërtuara në bazë të standardeve që kërkohen nga Bashkimi Evropian.

Deponitë regjionale do të duhet të formohen me vendim të këshillit të kryetarëve të komunave në rajone të caktuara, përkatësisht 8. Ka një mundësi që ngritja e këtyre deponive të bëhet me mjete nga fondet IPA”.

Ngritja e deponive regjionale me standarde evropiane është zgjidhja e vetme për problemin me grumbullimin e papërshtatshëm të mbeturinave në Republikën e Maqedonisë”, thekson për Radion Evropa e Lirë Sasho Sekullovski, zëdhënës i Ministrisë së Ambientit Jetësorë.

Nga ana tjetër, kryetarët e komunave thonë se mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me atë se asnjë komunë nuk dëshiron të bëhet depo e grumbullimit të mbeturinave nga komunat e tjera.

Ndërkaq, Bllazhe Josifovski nga Asociacioni për Ambient të Pastër në Maqedoni, thotë se krahas ngritjes së deponive që do të plotësojnë standardet, duhet të investohet në edukimin e qytetarëve për selektimin e mbeturinave në bashkëpunim me autoritet komunale dhe sektorin civil.

Duhet të ngrihet një sistem për selektimin e mbeturinave përmes edukimit të qytetarëve për selektimin permanent të mbeturinave. Pastaj duhet të investohet në krijimin e politikave për shfrytëzimin e mbeturinave për prodhimin e energjisë... vetëm përmes këtyre mekanizmave mund të kemi një zgjidhje afatgjate, gjithçka tjetër shton ai do t’i ngjasojë asaj fjalës popullore ‘fshehje të bërllokut nën tepih’”, thotë Josifovski.

Nga ana tjetër, Arianit Xhaferi nga organizata Eco Guerila, thotë se shqetësim më vete paraqesin dhe mbetjet nga punimet në ndërtimtari.

Një problem që nuk diskutohet dhe aq në opinion, por që është prezent, është problemi me mbeturinat e ashtuquajtura inerte, si pjesë e mbetjeve nga ndërtimet. Tetova nuk ka një vend të caktuar për grumbullimin e mbeturinave inerte dhe shumica e ndërtesave, qofshin ata kontrakturë ose individ privat, mbetjet nga ndërtimet i hedhin në shtratin e lumit Shkumbin,duke shkaktuar dhe përmbytje për shkak të bllokimit të shtratit të lumit”, thotë Xhaferi.

Organizatat joqeveritare për Radion Evropa e Lirë thonë se përpos 50 deponive të egra, ku mblidhet bërlloku i komunave, në Maqedoni janë aktive mbi 2 mijë lokacione ku mund të gjesh me tone mbeturina, të cilat hidhen pa asnjë standard dhe askush nuk di të thotë përmbajtjen e atyre mbeturinave.

XS
SM
MD
LG