A pritet të mbyllet konstituimi sot?
Seanca e sotme është vazhdim i seancës së nisur më 6 gusht. Ajo ishte ndërprerë dy herë me kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për më shumë kohë për një marrëveshje politike për presidentin.
I pyetur nga gazetarë një ditë më parë nëse partia e tij do të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, Kurti nuk tregoi, duke thënë se “nesër e kanë thirrur seancën e Kuvendit, do të jemi aty”.
Kush do të marrë pjesë në seancë?
Në seancë pritet të jenë të pranishëm deputetë nga të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar ata të Aleancës.
Aleanca, partia opozitare që ka 7 deputetë, njoftoi dje se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se partia e tij dëshiron “të dërgojë mesazh, të tregojmë që nuk pranojmë të fyhet kështu Kuvendi”.
Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë se do të marrin pjesë.
Mirëmëngjesi lexues të dashur,
Radio Evropa e Lirë do t’i mbulojë drejtpërdrejt zhvillimet në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët pritet ta përmbyllin konstituimin e legjislaturës së 11-të, që do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri.
Na ndiqni!