Lexues të nderuar,
Këtu po e përmbyllim mbulimin e ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës.
Më poshtë, mund të kuptoni, në pika të shkurtra, atë se çfarë ndodhi në organin ligjvënës:
Me 62 vota, Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje u rizgjodh në krye të organit ligjvënës në vazhdimin e seancës konstituive, që nisi më 6 gusht.
Megjithatë, procedura ngeci te zgjedhja e pesë nënkryetarëve – tri nga partitë shqiptare dhe dy nga komunitetet joshumicë.
Partitë nuk gjetën pajtim për mënyrën e votimit të nënkryetarëve: ndaras apo në pako. Legjislaturën e kaluar ata ishin votuar në pako.
Por, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – partia fituese e zgjedhjeve të qershorit – tha se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkojnë vota për nënkryetarët, por nuk po e mbështesin propozimin për president.
PDK dhe LDK e akuzuan LVV-në e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për zvarritje të procesit të formimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e qershorit.
Një tjetër pengesë ishte një formulim i përdorur nga Igor Simiq i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – gjatë propozimit të Sllavko Simiqit për postin e nënkryetarit.
Ai e propozoi Simiqin në këtë post “në emër të popullit serb”. Kryetarja e sapozgjedhur e organit ligjvënës më pas i kërkoi Igor Simiqit të tërhiqte fjalën dhe ta propozonte sërish kandidatin për nënkryetar.
Haxhiu argumentoi se në Kosovë nuk ka popull serb, por vetëm popull të Kosovës, teksa shtyu seancën për të premten.
Lista Serbe këtë formulim e kishte përdorur edhe më herët në Kuvendin e Kosovës.
Seanca e sotme u bojkotua nga Aleanca që ka shtatë deputetë, e cila ka argumentuar se LVV-ja ka shkelur afatin kushtetues prej 30-ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve, që skadoi më 7 gusht, por edhe afatin e vendosur nga partia e Kurtit – që skadoi më 5 shtator.
Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjes së presidentit.
Pikërisht, për shkak të mosarritjes së një konsensusi për çështjen e presidentit, Kosova mbajti zgjedhjet në qershor. Nëse edhe kësaj radhe partitë nuk arrijnë konsensus për këtë çështje, atëherë qytetarët do t’iu drejtoheshin kutive të votimit për herë të katërt që nga shkurti i vitit 2025.
Në fund, ju ftojmë të shikoni një video përmbledhëse të ngjarjeve në Kuvend:
Faleminderit që na ndoqët!
A mund Haxhiu ta ushtrojë detyrën e presidentit edhe për gjashtë muaj të tjerë?
Në më pak se një muaj, Kosova mund të përballet me një gjendje të pasigurt kushtetuese, nëse deri më 4 tetor nuk zgjidhet presidenti i ri i shtetit. Ekspertë ligjorë thonë se kryeparlamentari nuk mund ta vazhdojë këtë detyrë përtej këtij afati gjashtëmujor.
Lexojeni artikullin e plotë:
Petkoviq pretendon se Kosova "po e mohon ekzistencën e popullit serb”
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, akuzoi më 9 shtator autoritetet e Kosovës se po e “mohojnë ekzistencën e popullit serb”.
Ai reagoi pas përplasjeve në Kuvendin e Kosovës rreth përdorimit të termit “populli serb”, duke i cilësuar zhvillimet si “segregacion” dhe “aparteid” ndaj serbëve.
Petkoviq pretendoi se serbët në Kosovë përballen me arrestime, presione ndaj gjuhës dhe simboleve serbe dhe forma të tjera diskriminimi, pa dhënë ndonjë dëshmi për këtë
Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të reagojë.
Kurti i fton Hamzën dhe Abdixhikun në takim për nënkryetarët e Kuvendit
Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka ftuar në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të biseduar për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.
Në një deklarim për media, pas ndërprerjes së seancës konstituive, Kurti tha se dakordimi me Hamzën e Abdixhikun për nënkryetarët është i rëndësishëm.
"Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së, që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për përzgjedhjen e nënkryetarëve meqenëse nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre", tha ai
Kurti shtoi: "Le të jemi pozitiv e konstruktiv dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituar, shpejt qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit, që duhet të bëhet në mënyrë që t'i evitojmë zgjedhjet e reja’’.
Sipas Kurtit, mënyra e propozimit të nënkryetarit nga Lista Serbe nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
‘’Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoj saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Slavko Simiqin. Pra propozimin me shkrim që e ka bërë kur ka kërkuar që nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Listës Serbe të jetë Slavko Simiqi e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë çfarë e deklaroi ai ishte në shpërputhje flagrante’’.