Nagavci për PDK-në dhe LDK-në: Kërkojnë votë për nënkryetarët, por kundërshtojnë presidentin
Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci kritikoi deklaratën e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë propozimit të nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Nagavci tha se propozimi “në emër të popullit serb” ashtu sikurse mos pajtimi për mënyrën e votimit të nënkryetarëve bëri që seanca të shtyhet për të premten.
Sipas saj është e paarsyeshme që që 53 deputetë të LVV-së t’i japin votën bllanko për nënkryetarë atyre që kanë vendosur ta çojnë vendin në zgjedhje.
“Ndërkohë që kërkojnë votë për nënkryetarë, kemi edhe deklarata të tyre që nuk e votojnë kandidatin për president”, tha Nagavci për kandidatët e PDK-së dhe LDK-së
Sipas saj për LVV-në është shumë e rëndësishme që të ketë edhe konstituimin e Kuvendit edhe zgjedhje të presidentit sa më shpejt.
Gruda: LVV-ja po shpik probleme për të mos e konstituuar Kuvendin
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke krijuar pengesa pasi nuk dëshiron ta konstituojë Kuvendin.
Në deklarimin për media, pas ndërprerjes së punimeve të seancës, ai tha se bllokada e radhës është një lojë tjetër politike e LVV-së.
Gruda tha se PDK-ja voton për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit në çfarëdo forme, vetëm që të konstituohet Kuvendi.
“PDK-ja voton në çdo formë, çdo procedurë sepse është një moment historik, është ngjarja e 16 shtatorit. Ne nuk mund të mos kemi Kuvend më 16 shtator. Kjo është e paprecedentë, kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend normal demokratik që të shpiken lloj-lloj pengesash për të mos e konstituuar Kuvendin’’.
Gruda po i referohej 16 shtatorit, ditës kur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do ta shpallin aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në lidhje me prezantimin e kandidatit të nënkryetarit nga Listës Serbe, deputeti i PDK-së tha se ata kanë përdorur mënyrën e njëjtë edhe në vitin e shkuar edhe në vitin 2021.
Lushaku: Kuvendi nuk po konsolidohet për fajin e LVV-së
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku e ka fajësuar LVV-në për mos përmbylljen e e konstituimit të Kuvendit.
Sipas saj “grupi më i madh paralamentar po harron që jemi jashtë afateve kushtetuese” për të konsoliduar Kuvendin e Kosovës.
Lushaku e quajti të paprecedentë këtë situatë kur konstituimi nuk përmbyllet nga mospajtueshmëria për mënyrën se si të votohen 5 nënkryetarët e Kuvendit.
Haxhiu e shtyn seancën konstituive për të premten
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka shtyrë për të premten vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, duke thënë se “nuk ka vota për nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake” për mënyrën e votimit.
Haxhiu tha se po e shtyn seancën për të premten në orën 11:00, gjithashtu pasi deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, nuk e tërhoqi fjalinë “në emër të popullit serb” kur e propozoi kandidatin e partisë për nënkryetar nga komuniteti serb.
“Rregullorja e Kuvendit parasheh saktë se cilat janë masat që duhet të ndërmerren ndaj deputetëve që përdorin gjuhë të tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu pasi Simiq refuzoi ta tërheqë fjalinë.
Haxhiu u takua me përfaqësuesit e partive parlamentare për të arritur një marrëveshje për mënyrën e votimit.
Ajo tha se takimi mbaroi pa marrëveshje.
“Pra, në atë takim, siç unë e kuptova, ishte e qartë që as propozimi i grupit parlamentar, përkatësisht subjektit politik PDK, që ishte zonja Vlora Çitaku dhe në anën tjetër as propozimi i LDK-së që ishte Kujtim Shala, nuk i kanë votat”, tha Haxhiu.
“Edhe Arbërie Nagavci ngriti shqetësimet e njëjta me deklarimet e deputetit Simiq që janë jokushtetuese, pra është e qartë se nuk ka vota për propozimet e tyre për t`u zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit”.