Haxhiu i kërkon Simiqit të tërheqë fjalën dhe ta përsërisë propozimin për nënkryetar
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka tërhequr vërejtjen deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, për mënyrën e propozimit të kandidatit për nënkryetar nga kjo parti, pasi ai tha se propozimin e bën në “emër të popullit serb”.
Haxhiu i ka kërkuar që ta tërheqë këtë formulim dhe ta ribëjë propozimin, pasi, sipas saj, një deklarim i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës ka popullin e Kosovës”, i tha Haxhiu.
Simiq iu përgjigj se “e kupton lojën që po luajnë” dhe se, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, propozimet për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, “siç thoni ju, dorëzohen me shkrim. Ju e keni marrë atë më 6 gusht”.
Haxhiu më pas e ndërpreu Simiqin dhe kërkoi prej tij që ta tërhiqte formulimin që kishte përdorur më herët, “në emër të popullit serb”, dhe të vazhdonte me propozimin për nënkryetar.
Simiq u përgjigj: “Unë jam pjesëtar i popullit serb dhe këtë të drejtë nuk do të ma merrni”.
Pas kësaj, Haxhiu kërkoi sërish që t’i ndërpritej fjala.
Simiq akuzon Kurtin për zvarritje të formimit të institucioneve
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një postim në Instagram, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e zvarrit formimin e institucioneve me synimin, sipas tij, që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në dhjetor, kur mund të llogarisë edhe në votat e diasporës.
Simiq tha se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë se një nga postet e nënkryetarit të Kuvendit i takon komunitetit serb.
Ai tha gjithashtu se e braktisi takimin konsultues të thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pasi, sipas tij, nuk ishte siguruar përkthim në gjuhën serbe.
Rifillon seanca
Seanca sapo ka rifilluar.
Deputetët fillojnë të kthehen në sallën e Kuvendit
Deputetët kanë filluar të rikthehen në sallë për vazhdimin e seancës konstituive.
Një pushim i paralajmëruar prej 30 minutave është tejzgjatur tashmë.
Deputetëve u ka mbetur vetëm t’i zgjedhin nënkryetarët e Kuvendit për ta përmbyllur konstituimin e tij, gjë që i hap rrugën formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri.
Nuk është ende e qartë se si do të votohen nënkryetarët, pasi kishte mospajtime nëse votimi duhet të bëhet në pako apo ndaras për secilin nga pesë nënkryetarët.