Ndërlidhjet

Kryetarja e porsazgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Kryetarja e porsazgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Krejt çfarë ndodhi në vazhdimin e tretë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës

  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës rizgjodhën Albulena Haxhiun në postin e kryetares, por nënkryetarët nuk u hodhën në votim
  • Ligjvënësit kanë mospajtime për mënyrën e votimit të nënkryetarëve. Pengesë u bë edhe formulimi i përdorur nga Lista Serbe, që propozoi për nënkryetar Sllavko Simiqin
  • Formulimi “në emër të popullit serb” u pa si jokushtetuese nga kryetarja Haxhiu, që e shtyu seancën deri të premten
  • Bërja e Kuvendit të ri t'i hapte rrugë formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri
  • Zgjedhja e presidentit ka qenë në qendër të krizës politike këtë vit dhe mund të shkaktojë sërish zgjedhje të reja
12:24

Ekspertët ligjorë: Mandati si U.D presidente Haxhiut i mbaron më 4 tetor

Me rizgjedhjen si kryetare e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu do të vazhdojë të ushtrojë postin e presidentit të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që ky funksion shtetëror mund të ushtrohet nga kryeparlamentari në një afat prej 6 muajsh, kur vendi mbetet pa president.

Haxhiu u bë ushtruese e detyrës së presidentit nga 4 prilli 2026 kur përfundoi mandati i presidentes së atëhershme Vjosa Osmani.

Gjashtëmujori i ushtrueses së detyrës së presidentit, Haxhiut i përfundon më 4 tetor.

Ekspertët ligjorë thonë për REL-in se Haxhiu nuk mund ta vazhdojë një gjashtëmujor të dytë si ushtruese e detyrës së presidentit pas 4 tetorit.

Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës [KDI], tha për Radion Evropa e Lirë se mandati si ushtruese e detyrës Haxhiut si kryetare e Kuvendit i përfundon më 4 tetor.

“Pas kësaj date skadon afati i gjashtëmujor dhe ligjërisht i njëjti ose e njëjta nuk ka të drejtë që të funksionojë edhe si ushtrues i detyrës së presidentit për shkak se është në kundërshtim me nenin 90 paragrafin 3 të Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

Sipas Bugaqkut, çdo vendim apo dekret që mund të nxirret pas kësaj date nga Haxhiu është i kontestueshëm për nga kushtetutshmëria dhe rrezikon të rrëzohet nga gjykatat.

Ai bën thirrje që nga dita e konstituimit të Kuvendit, deputetët duhet ta shohin si alarmues afatin kohor deri më 4 tetor, që ta zgjedhin presidentin.

Sipas tij tejkalimi i këtij afati pa një president të ri përbën cenim për sigurinë e shtetit.

“Për shtetin e Kosovës dhe për sistemin e kushtetuese parlamentar në Kosovë, kjo do të thotë një njollë shumë e keqe dhe një precedent i rrezikshëm që cenon edhe sigurinë kombëtare”, tha Bugaqku.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se Kushtetuta e Kosovës e lidh kufizimin gjashtëmujor me ushtrimin e postit të presidentit, e jo me personin që e ushtron atë.

Sipas Miftarajt, për këtë arsye, ndryshimi i personit që e ushtron detyrën e presidentit, apo rizgjedhja e kryetarit të Kuvendit, nuk mund të ketë efektin e fillimit të një afati të ri gjashtëmujor.

“Një interpretim i tillë do të mundësonte që, përmes ndryshimit të personit, gjendja e ushtrimit të detyrës së Presidentit të vazhdonte përtej kufirit prej gjashtë muajsh të përcaktuar shprehimisht me Kushtetutë’’.

12:20

Gërvalla e quan “skandaloze” mënyrën se si Lista Serbe e propozoi nënkryetarin

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, e ka konsideruar “skandaloze dhe të papranueshme” mënyrën se si Lista Serbe e propozoi kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit.

Gjatë propozimit, deputeti Igor Simiq tha se nënkryetarin e propozon “në emër të popullit serb”.

‘’Nuk ka popull serb në Kosovë, veç komunitet serb. Populli serb zgjedhjet i ka në Serbi, më 25 tetor”, shkroi Gërvalla në reagimin e saj në Facebook.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, paraprakisht kërkoi nga administrata e Kuvendit që të sqarojë nëse mënyra e propozimit të nënkryetarit nga Lista Serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në të kundërtën, Haxhiu tha se do të veprohet në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, propozimet për nënkryetar nga komunitetet joshumicë bëhen me shkrim.

"Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”, thuhet në rregullore.

Më tej, aty përcaktohet se në rast të mospropozimit të kandidatëve me shkrim, propozimi i kandidatëve bëhet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse.

12:08

A mund Haxhiu ta ushtrojë detyrën e presidentit edhe për gjashtë muaj të tjerë?

Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore gjatë së cilës, sipas Kushtetutës, postin e presidentit të Kosovës mund ta mbajë një ushtrues detyre.

Albulena Haxhiu, si kryeparlamentare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, filloi ta ushtronte detyrën e presidentes më 4 prill, kur Vjosa Osmanit i mbaroi mandati.

Ajo sot u rizgjodh kryeparlamentare dhe nga partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, ka pasur zëra se ajo mund ta vazhdojë ushtrimin e detyrës së presidentit edhe për një periudhë tjetër gjashtë mujore, nëse presidenti i ri nuk zgjidhet këtë muaj.

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, kishte thënë më herët për REL-in se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit “është e varur nga pozita e kryetarit të Kuvendit”.

Sipas tij, pas zgjedhjes, kryetari i ri i Kuvendit nis ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit. Afati prej gjashtë muajsh, i përcaktuar nga Kushtetuta, nis të rrjedhë nga fillimi, me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, thotë ai.

“Është në frymën dhe përmbajtjen, por edhe në funksionin e Kushtetutës, që të garantojë vazhdimësi institucionale. Asnjëherë, e për asnjë arsye, vendi nuk mund të mbetet pa president apo pa ushtrues detyre të presidentit. Vakum institucional nuk mund të ketë në asnjë rrethanë”, deklaron Rrustemi për Radion Evropa e Lirë.

Por, kjo është hedhur poshtë nga ekspertë ligjorë.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), i tha më herët REL-it se periudha gjashtëmujore për ushtrimin e detyrës së presidentit përbën afat absolut, dhe si i tillë nuk mund të përsëritet në asnjë skenar.

Moszgjedhja e presidentit të ri, deri më 4 tetor, sipas Cakollit, përbën skenarin më të rrezikshëm kushtetues me të cilin mund të ballafaqohet Kosova.

“Në një situatë të tillë, vendi do të hynte në një terren kushtetues, i cili, përveçse do të ishte serioz dhe i rrezikshëm, do të duhej medoemos të kishte parashtresë në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi ai.

Melos Kolshi, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i tha REL-it se pas 4 tetorit, çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së presidentit do të ishte pa bazë kushtetuese, dhe do të cenonte seriozisht rendin kushtetues.

Edhe Presidenca i kishte thënë REL-it më herët se kryetari i ri i Kuvendit do të vazhdonte ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

“Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, kushdo qoftë ai apo ajo, ushtrimi i detyrës së presidentit kalon te kryetari i ri i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të Republikës”, tha Presidenca në një përgjigje për REL-in.

Partitë opozitare shqiptare nuk janë deklaruar për këtë çështje publikisht. PDK dhe LDK nuk iu përgjigjën as pyetjeve të REL-it.

11:53

Seanca në pushim 30 minutash para votimit për nënkryetarët

Kryetarja e Kuvendit Haxhiu urdhëroi 30 minuta pushim pas mospajtimeve rreth formës së votimit për nënkryetarët.

Ajo tha se partitë parlamentare kanë mospajtime sesi të votohet. Disa duan që të votohen të gjithë në pako, e disa jo.

"Prandaj edhe i ftoj grupet parlamentare që të vijnë në zyrën time. Në ndërkohë, kërkoj nga administrata e Kuvendit që të na njoftojë me formën e propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvend, në qoftë se është në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës apo jo. Pra, këtë konfirmim e marrim pas pak. Nëse nuk është në linjë me Kushtetutën, natyrisht që zbatohet rregullorja e Kuvendit’’, tha ajo.

Sa për t’jua kujtuar, herën e fundit të gjitha pesë nënkryetarët ishin votuan në pako, pas një marrëveshjeje paraprake mes partive.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG