Ndërlidhjet

Kryetarja e porsazgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Kryetarja e porsazgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Drejtpërdrejt Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit, e shtyn seancën konstituive për të premten

E përditësuar
  • Për t’u përmbyllur konstituimi i legjislaturës së 11-të duhet të zgjidhen kryetari i ri dhe 5 nënkryetarët
  • Bërja e Kuvendit të ri i hap rrugë formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri
  • Partia fituese, LVV, i ka votat për Kuvendin dhe qeverinë e re, por jo edhe për presidentin e ri
  • Zgjedhja e presidentit ka qenë në qendër të krizës politike këtë vit dhe mund të shkaktojë sërish zgjedhje të reja
10:09

Seanca mbahet mes akuzave për shkelje

Seanca konstituive vazhdon sot mes paqartësive dhe akuzave për shkelje kushtetuese.

Sipas një aktgjykimi të vitit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve.

Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026, pasi rezultatet e zgjedhjeve të qershorit u certifikuan më 8 korrik.

Në një përplasje midis deputetëve të opozitës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje më 12 gusht kur Kuvendi priste vizitorë nga diaspora, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kishte argumentuar se kishin kohë 30 ditë për ta konstituuar Kuvendin nga dita kur ishte thirrur seanca konstituive më 6 gusht.

“Është 6 shtator”, kishte deklaruar Gërvalla sa i përket ditës së fundit të këtij afati, i cili tashmë është tejkaluar.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se konstituimi i Kuvendit është një obligim kushtetues që nuk duhet të anashkalohet, pavarësisht shkeljes së afateve kushtetuese.

“Konstatimi i kësaj shkeljeje nuk nënkupton se shkelja duhet të vazhdojë. Përkundrazi. Fakti se Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues nuk mund të shërbejë si argument që Kuvendi të mos konstituohet as pas kalimit të këtij afati”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Sipas tyre përfundimi i afatit nuk mund të nënkuptojë përfundimin e detyrimit për t'i bërë institucionet funksionale.

“Shkelja që ka ndodhur duhet të konstatohet dhe të mos relativizohet, por ajo nuk mund të përdoret për të prodhuar një bllokadë të re dhe potencialisht të pakufishme”.

09:48

A pritet të mbyllet konstituimi sot?

Seanca e sotme është vazhdim i seancës së nisur më 6 gusht. Ajo ishte ndërprerë dy herë me kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për më shumë kohë për një marrëveshje politike për presidentin.

I pyetur nga gazetarë një ditë më parë nëse partia e tij do të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, Kurti nuk tregoi, duke thënë se “nesër e kanë thirrur seancën e Kuvendit, do të jemi aty”.

09:42

Kush do të marrë pjesë në seancë?

Në seancë pritet të jenë të pranishëm deputetë nga të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar ata të Aleancës.

Aleanca, partia opozitare që ka 7 deputetë, njoftoi dje se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se partia e tij dëshiron “të dërgojë mesazh, të tregojmë që nuk pranojmë të fyhet kështu Kuvendi”.

Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë se do të marrin pjesë.

09:35

Mirëmëngjesi lexues të dashur,

Radio Evropa e Lirë do t’i mbulojë drejtpërdrejt zhvillimet në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët pritet ta përmbyllin konstituimin e legjislaturës së 11-të, që do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri.

Na ndiqni!

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG