Simiq akuzon Kurtin për zvarritje të formimit të institucioneve
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një postim në Instagram, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e zvarrit formimin e institucioneve me synimin, sipas tij, që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në dhjetor, kur mund të llogarisë edhe në votat e diasporës.
Simiq tha se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë se një nga postet e nënkryetarit të Kuvendit i takon komunitetit serb.
Ai tha gjithashtu se e braktisi takimin konsultues të thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pasi, sipas tij, nuk ishte siguruar përkthim në gjuhën serbe.
Rifillon seanca
Seanca sapo ka rifilluar.
Deputetët fillojnë të kthehen në sallën e Kuvendit
Deputetët kanë filluar të rikthehen në sallë për vazhdimin e seancës konstituive.
Një pushim i paralajmëruar prej 30 minutave është tejzgjatur tashmë.
Deputetëve u ka mbetur vetëm t’i zgjedhin nënkryetarët e Kuvendit për ta përmbyllur konstituimin e tij, gjë që i hap rrugën formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri.
Nuk është ende e qartë se si do të votohen nënkryetarët, pasi kishte mospajtime nëse votimi duhet të bëhet në pako apo ndaras për secilin nga pesë nënkryetarët.
Ekspertët ligjorë: Mandati si U.D presidente Haxhiut i mbaron më 4 tetor
Me rizgjedhjen si kryetare e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu do të vazhdojë të ushtrojë postin e presidentit të Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës parasheh që ky funksion shtetëror mund të ushtrohet nga kryeparlamentari në një afat prej 6 muajsh, kur vendi mbetet pa president.
Haxhiu u bë ushtruese e detyrës së presidentit nga 4 prilli 2026 kur përfundoi mandati i presidentes së atëhershme Vjosa Osmani.
Gjashtëmujori i ushtrueses së detyrës së presidentit, Haxhiut i përfundon më 4 tetor.
Ekspertët ligjorë thonë për REL-in se Haxhiu nuk mund ta vazhdojë një gjashtëmujor të dytë si ushtruese e detyrës së presidentit pas 4 tetorit.
Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës [KDI], tha për Radion Evropa e Lirë se mandati si ushtruese e detyrës Haxhiut si kryetare e Kuvendit i përfundon më 4 tetor.
“Pas kësaj date skadon afati i gjashtëmujor dhe ligjërisht i njëjti ose e njëjta nuk ka të drejtë që të funksionojë edhe si ushtrues i detyrës së presidentit për shkak se është në kundërshtim me nenin 90 paragrafin 3 të Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.
Sipas Bugaqkut, çdo vendim apo dekret që mund të nxirret pas kësaj date nga Haxhiu është i kontestueshëm për nga kushtetutshmëria dhe rrezikon të rrëzohet nga gjykatat.
Ai bën thirrje që nga dita e konstituimit të Kuvendit, deputetët duhet ta shohin si alarmues afatin kohor deri më 4 tetor, që ta zgjedhin presidentin.
Sipas tij tejkalimi i këtij afati pa një president të ri përbën cenim për sigurinë e shtetit.
“Për shtetin e Kosovës dhe për sistemin e kushtetuese parlamentar në Kosovë, kjo do të thotë një njollë shumë e keqe dhe një precedent i rrezikshëm që cenon edhe sigurinë kombëtare”, tha Bugaqku.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se Kushtetuta e Kosovës e lidh kufizimin gjashtëmujor me ushtrimin e postit të presidentit, e jo me personin që e ushtron atë.
Sipas Miftarajt, për këtë arsye, ndryshimi i personit që e ushtron detyrën e presidentit, apo rizgjedhja e kryetarit të Kuvendit, nuk mund të ketë efektin e fillimit të një afati të ri gjashtëmujor.
“Një interpretim i tillë do të mundësonte që, përmes ndryshimit të personit, gjendja e ushtrimit të detyrës së Presidentit të vazhdonte përtej kufirit prej gjashtë muajsh të përcaktuar shprehimisht me Kushtetutë’’.