Pse nuk vazhdoi për një muaj seanca konstituive ?
Seanca konstituive e Kuvendit nuk vazhdoi për një muaj të plotë prej ndërprerjes së fundit më 8 gusht.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kishte pranuar kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që t’u jepet kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike për presidentin para se të vazhdohet me konstituim të Kuvendit.
Kurti atëherë kishte deklaruar se “konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme e të panevojshme”.
Andaj, nuk kishte propozuar një kandidat për kryeparlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje [LVV].
Rregullorja e Kuvendit parasheh që “ ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.”
Dy partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës [PDK] dhe Aleanca kanë bërë thirrje vazhdimisht gjatë muajit gusht që seanca konstituive të vazhdohej duke shkuar çdo 48 orë në sallën e Kuvendit.
Marrëveshja politike për presidentin, e cila ishte parakusht për Kurtin që të vazhdohej me seancën konstituive, u arrit më 31 gusht midis LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Megjithëse votat për Bekim Sejdiun, kandidatin për të cilin u pajtuan të dy partitë, nuk janë tashmë të sigurta, mbetet e paqartë nëse veç dakordimi për emrin e tij do të mjaftojë që deputetët ta mbyllin të mërkurën konstituimin apo do të kërkohet sërish kohë shtesë.
PDK: Pas 16 shtatorit vendosim a e dërgojmë në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar para nisjes së seancës se nuk duhet të bëhen kalkulime politike që Kosova të mbetet pa Kuvend të konstituuar.
Nëse kjo seancë do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim, Hamza tha se “është çështje që do ta vlerësojmë në ditët në vazhdim”.
Edhe deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, deklaroi se pas 16 shtatorit, ditës kur në Gjykatën Speciale merret vendimi për rastin e Thaçit dhe të tjerëve do të vendosin a e dërgojnë për interpretim kushtetues konstituimin e Kuvendit.
Megjithëse sipas tij Kuvendi duhet të përmbyllë konstituimin edhe pas afatit kushtetues.
“Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për të themeluar Kuvendin”, tha Gruda para gazetarëve.
Kurti: Konstituimi i Kuvendit s’i shmang zgjedhjet e reja, nevojiten vota shtesë për presidentin
Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja politike e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës duhet t’i sigurojë edhe votat e nevojshme në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.
‘’Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë nuk i eviton zgjedhjet e reja, nëse nuk e zgjedhim edhe presidentin. Për ta zgjedhur presidentin neve na duhet që t’i kemi 2/3 [e deputetëve] të pranishëm në Kuvend”, tha Kurti.
Sipas tij, marrëveshja politike duket që s’ka qenë e mjaftueshme, “andaj ne e kemi të domosdoshme që t`i kemi aty të gjithë deputetët e marrëveshjes për kandidatin tonë të përbashkët prof.. Bekim Sejdiun ose të kemi edhe deputetë shtesë, pra kjo është shumë e rëndësishme’’.
Sa për t’jua kujtuar, Kurti më herët ka thënë se kanë 74 vota tani për tani, pas 6 deputetë të LDK-së thanë se nuk e mbështesin kandidaturën e Sejdiut.
Nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë që votimi për president të jetë i vlefshëm.
Bale thotë se nuk e voton Sejdiun për president
Deputetja e Unionit Socialdemokrat, Duda Bale, ka thënë se, përderisa nuk ka marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk do të votojë për kandidatin për president, Bekim Sejdiu.
Bale theksoi se nuk është duke parë ndonjë mundësi se si do të zgjidhet presidenti i ri.
“Unë deri tash nuk kam pas asnjë takim me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk kemi pas asnjë marrëveshje, asnjë takim, derisa është kështu nuk e shoh të arsyeshme me jap votën teme”, ka deklaruar ajo, para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive.