Ndërlidhjet

Kryetarja e porsazgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Kryetarja e porsazgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Krejt çfarë ndodhi në vazhdimin e tretë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës

  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës rizgjodhën Albulena Haxhiun në postin e kryetares, por nënkryetarët nuk u hodhën në votim
  • Ligjvënësit kanë mospajtime për mënyrën e votimit të nënkryetarëve. Pengesë u bë edhe formulimi i përdorur nga Lista Serbe, që propozoi për nënkryetar Sllavko Simiqin
  • Formulimi “në emër të popullit serb” u pa si jokushtetuese nga kryetarja Haxhiu, që e shtyu seancën deri të premten
  • Bërja e Kuvendit të ri t'i hapte rrugë formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri
  • Zgjedhja e presidentit ka qenë në qendër të krizës politike këtë vit dhe mund të shkaktojë sërish zgjedhje të reja
13:09

Deputetët fillojnë të kthehen në sallën e Kuvendit

Deputetët kanë filluar të rikthehen në sallë për vazhdimin e seancës konstituive.

Një pushim i paralajmëruar prej 30 minutave është tejzgjatur tashmë.

Deputetëve u ka mbetur vetëm t’i zgjedhin nënkryetarët e Kuvendit për ta përmbyllur konstituimin e tij, gjë që i hap rrugën formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri.

Nuk është ende e qartë se si do të votohen nënkryetarët, pasi kishte mospajtime nëse votimi duhet të bëhet në pako apo ndaras për secilin nga pesë nënkryetarët.

13:19

Rifillon seanca

Seanca sapo ka rifilluar.

13:20

Simiq akuzon Kurtin për zvarritje të formimit të institucioneve

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një postim në Instagram, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e zvarrit formimin e institucioneve me synimin, sipas tij, që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në dhjetor, kur mund të llogarisë edhe në votat e diasporës.

Simiq tha se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë se një nga postet e nënkryetarit të Kuvendit i takon komunitetit serb.

Ai tha gjithashtu se e braktisi takimin konsultues të thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pasi, sipas tij, nuk ishte siguruar përkthim në gjuhën serbe.

13:22

Haxhiu i kërkon Simiqit të tërheqë fjalën dhe ta përsërisë propozimin për nënkryetar

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka tërhequr vërejtjen deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, për mënyrën e propozimit të kandidatit për nënkryetar nga kjo parti, pasi ai tha se propozimin e bën në “emër të popullit serb”.

Haxhiu i ka kërkuar që ta tërheqë këtë formulim dhe ta ribëjë propozimin, pasi, sipas saj, një deklarim i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës ka popullin e Kosovës”, i tha Haxhiu.

Simiq iu përgjigj se “e kupton lojën që po luajnë” dhe se, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, propozimet për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, “siç thoni ju, dorëzohen me shkrim. Ju e keni marrë atë më 6 gusht”.

Haxhiu më pas e ndërpreu Simiqin dhe kërkoi prej tij që ta tërhiqte formulimin që kishte përdorur më herët, “në emër të popullit serb”, dhe të vazhdonte me propozimin për nënkryetar.

Simiq u përgjigj: “Unë jam pjesëtar i popullit serb dhe këtë të drejtë nuk do të ma merrni”.

Pas kësaj, Haxhiu kërkoi sërish që t’i ndërpritej fjala.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG