Haziri: LDK-ja është ende duke biseduar me LVV-në për parimet
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit se partia e tij është ende në fazën fillestare të bisedimeve me partinë në pushtet të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një marrëveshje politike.
“Jemi duke biseduar për ta ndërtuar një marrëveshje funksionale. Ende jemi duke biseduar mbi parimet. Lë të funksionalizohet Kuvendi në këtë fazë dhe LDK-ja do të vazhdojë të bisedojë me LVV-në”, tha Haziri.
Kurti dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar disa herë deri tani, por nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve të vendit.
Haziri nguli këmbë se dallimet mes palëve nuk janë të mëdha.
“Nuk ka çështje që në këtë fazë na dallojnë shumë. Sa i përket politikave sektoriale, agjendës, proceseve politike, nuk është biseduar shumë, nuk është biseduar në hollësi. Jemi në nivelin e diskutimit të parimeve bazë. Ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit. Më rëndësi është të ketë vullnet të mirë”, shtoi Haziri.
Një ditë më herët, deputetë të zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës kishin deklaruar se partia e tyre kërkon postin e presidentit.
Çfarë është në lojë?
Partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk parashihet të ketë telashe për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta formuar Qeverinë e re, me 53 mandate e siguruar dhe bashkëpunimin e saj me pakicat joserbe, që gëzojnë 10 ulëse.
Por, një çështje që e solli vendin në këtë pikë mund të përsëritet, zgjedhje e presidentit, për të cilin kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë për të qenë i vlefshëm votimi.
Kurti ka mbajtur bisedime me liderin e Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, në prag të kësaj seance, por ata nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje.
Një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, e cila ka 18 deputetë, do të mund t’i siguronte votat dhe kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
Megjithatë, prapëseprapë mbetet e paqartë nëse një marrëveshje e tillë mund të siguronte mbështetjen e të gjithë deputetëve të LDK-së, për shkak të mospajtimeve të brendshme në këtë parti.
Dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike dhe Aleanca, i kanë hedhur poshtë ofertat për bisedime nga Kurti, duke zgjedhur të qëndrojnë në opozitë.
Kjo është hera e dytë këtë vit, dhe e treta në më pak se dy vjet, që Kosova provon të formojë institucione të qëndrueshme, pas zgjedhjeve të njëpasnjëshme parlamentare të shkaktuara nga mungesa e konsensusit politik.
Zgjedhjet e qershorit u mbajtën sepse Kuvendi u shpërnda pasi dështoi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit.
Cikli i njëjtë do të përsëritet nëse në dy muajt në vijim nuk ka marrëveshje politike për presidentin.
Si duket Kuvendi pas zgjedhjeve të shtatorit?
Rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit njoftoi se në rend dite për seancën konstituive janë katër pika, ndër to zgjedhja e 5 nënkryetarëve, prej të cilëve 2 që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, si dhe zgjedhja e kryetarit të ri.
Rendi i ditës:
1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
2. Betimi i deputetëve,
3. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit,
4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.