Tahiri: Aleanca nuk ka ndryshuar qëndrim
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar lidhur me votimin e qeverisë e zgjedhjen e presidentit
Sipas tij, Kosova “nuk ka as kohë dhe as energji me humb me lojëra dhe pazare politike”.
“Ne kemi një qëndrim publik, i cili nuk lidhet me asnjë moment që duam të kemi hise në qeveri apo që synojmë me pas diçka të ngjashme. Brenga jonë, shqetësimi jonë është që Kosova është kah humb, është kah shkon mbrapa. Kosova është duke u degraduar në çdo masë dhe është jetike konstituimi i institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti do duhej t`u përgjigjej kërkesave që Aleanca i ka prezantuar, e që sipas tij, janë për të mirën e Kosovës.
“A më tregoni cila pikë është e dëmshme për Kosovën në gjashtë pika tona?”
Ende në pritje të nisjes së seancës
Deputetët e zgjedhur kanë filluar t'i zënë vendet e tyre në sallën e Kuvendit, në pritje të seancës konstituive.
Seanca duhej të niste në orën 10:00.
Hamza: Nuk ndryshojmë qëndrim për çështjen e presidentit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket zgjedhjes së presidentit. Ai shtoi se në takimet e mëhershme nuk është diskutuar për mundësinë që PDK-ja të propozojë një kandidat për president.
“Qëndrimi i PDK-së është konsistent. Do të thotë, ne kemi shkuar në takim, nuk kemi garuar për ndonjë pozitë, kemi garuar dhe kemi kërkuar votën e qytetarëve të Kosovës për ekonominë, për drejtësinë, për energjinë, për infrastrukturën, për anëtarësimet... Nëse nuk kemi dakordim për këto tema, për këto prioritete, atëherë është absurde të flasim për tema të tjera.”
Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për të diskutuar lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Hamza nuk ka treguar nëse deputetët e kësaj partie do të votojnë për kryetarin e Kuvendit.
Abdixhiku: Balanca demokratike, çelësi i marrëveshjes me LVV-në
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se çelësi i marrëveshjes mes partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është pajtueshmëria për “balancë demokratike”.
Abdixhiku, i cili është takuar tri herë me Kurtin në përpjekje për të arritur një marrëveshje tejet të nevojshme për formimin e institucioneve dhe përfundimin e krizës politike, tha se mes palëve ka ende dallime të mëdha për çështjen e presidentit.
“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet sot, nuk ka arsye për të mos u konstituuar”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se nuk dëshiron të flasë për emra individual për postin e presidentit, duke ngulur këmbë se partia e tij meriton postin.
“Ne kërkojmë balancë demokratike, e cila kërkon që LDK-ja të jetë e përfaqësuar. Nuk po flasim për emrat individësh, por për balanca demokratike që do të ishte e mirë edhe për Kosovën”, tha ai.
“Kemi edhe 25 ditë për formimin e Qeverisë. Nëse merremi vesh më herët për të gjitha institucionet, më mirë, nëse nuk merremi vesh, duhet të jemi transparent me ju dhe popullin se kaq kemi mundur dhe fatkeqësisht nuk mund të bëjmë më shumë. Përderisa po takohemi, është lajm i mirë”, shtoi ai.