Kurti: Për t’i shmangur zgjedhjet e reja duhet t’u japim shans bisedimeve
Lideri i partisë në pushtet vazhdon të ngulë këmbë në zhvillimin e bisedimeve me partitë parlamentare dhe ai përsëri u bëri thirrje Partisë Demokratike dhe Aleancës për t’iu bashkuar bisedimeve.
“Është e nevojshme t`i jepet shans vazhdimit të diskutimit para se të lëvizim me konstituimin e Kuvendit”, tha Kurti.
“Unë dua bashkëpunim prandaj marrë iniciativa, prandaj komunikojmë, veçse unë mund të kem lajme të reja për juve atëherë kur do të kemi marrëveshje”, shtoi ai
Kurti tha se takime e tij të deritanishme me Lidhjen Demokratike të Kosovës “nuk janë më lajme”.
Sipas tij, lajm do të ishte marrëveshja.
LDK-ja ka kërkuar postin e presidentit, pavarësisht insistimit të Kurtit që presidenti të jetë jopartiak, por “një figurë konsensuale, e pranueshme për të gjithë”.
Kurti tha se për të lajm do të ishte nëse PDK-ja dhe Aleanca pranojnë të hyjnë në bisedime.
“Por, më duhet ta pranoj që takimet me PDK-në e AAK-në do të ishin lajm dhe unë uroj që të kemi lajme të tilla sepse ato janë të mira”, theksoi Kurti.
“Na duhet të marrim kohë shtesë për diskutime dhe vetëm atëherë kur ta kemi arritur pajtueshmëri për çështjen e presidentit të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera. Herën e kaluar e pamë që pa e zgjidhur çështjen e presidentit kot e konstituojmë Kuvendin apo e votojmë e formojmë qeverinë sepse vendi u desh të shkonte në zgjedhje”, tha ai.
IKD: Ndërprerja e seancës cenon Kushtetutën, nuk arsyetohet me mungesën e marrëveshjes
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se është e shqetësuar thellësisht për ndërprerjen e seancës konstituive në prag të përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e tij.
Ai theksoi në një deklaratë për media se mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të shndërrohet në arsye “për bllokimin e Kuvendit dhe cenimin e rendit kushtetues”.
Sipas tij, kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare dhe vendimin e kryesuesit Avni Dehari për ndërprerjen e seancës, nuk mund të mbështetet në natyrën dhe qëllimin e seancës konstituive.
“Sipas nenit 9, paragrafit 3, të Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat. Rrjedhimisht, kjo seancë nuk mund të përdoret për diskutime politike, kërkesa jashtë rendit të përcaktuar apo kushtëzimin e konstituimit me marrëveshje për çështje të tjera”, tha IKD-ja.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë detyrimin e deputetëve që Kuvendi të konstituohet brenda afatit prej tridhjetë ditësh, tha ai.
“Ky nuk është afat orientues dhe as çështje e vullnetit politik, por detyrim kushtetues që duhet respektuar nga secili deputet dhe nga organet që drejtojnë seancën. Fakti se Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës nuk kanë përcaktuar shprehimisht pasojën juridike për moskonstituimin brenda afatit nuk krijon leje për shkeljen e tij”, theksoi IKD-ja.
Sipas tij, edhe pse Kushtetuta nuk përcakton shprehimisht ndëshkim për mospërmbushjen e afatit të saj, kjo nuk e bën të ligjshme shkeljen e Kushtetutës .
“Kushtetuta nuk zbatohet vetëm kur parashikon ndëshkim, ajo duhet të respektohet sepse është akti më i lartë juridik i Republikës”.
Sa e mundshme është marrëveshja LVV-LDK?
Një marrëveshje politike mes partive për t’i shtyrë përpara proceset për formimin e institucioneve të reja të Kosovës ende nuk duket në horizont.
Vëzhguesit politikë thonë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të fokusohen më shumë në programin qeverisës, sesa në ndarjen e posteve. Çfarë peshe ka kërkesa e LDK-së që ta ketë postin e presidentit në arritjen e një marrëveshjeje?
Lexojeni të plotë Newsletter-in Në 3 minuta të Radios Evropa e Lirë:
Italia: Të gjitha partitë të angazhohen në dialog konstruktiv për themelimin e institucioneve
Ambasada e Italisë në Kosovë u bëri thirrje të gjitha partive në Kosovë që të angazhohen në “dialog konstruktiv” dhe të punojnë së bashku për themelimin e institucioneve të vendit.
“Është përgjegjësi e përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës të arrijnë kompromis në mënyrë që të sigurohen që institucionet demokratike të funksionojnë në mënyrë efektive dhe të përmbushin pritjet e qytetarëve”, tha Ambasada në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
Thirrja e Romës vjen pasi seanca konstituive, e nisur paraditen e së enjtes, u shty me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti.
Kurti tha se duhet kohë shtesë që partitë të arrijnë ujdi për çështjen e presidentit, teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon mesnatën e 7 gushtit.