Ndërlidhjet

Pse s’po funksionojnë sanksionet amerikane kundër Iranit?


Një cisternë me naftë të papërpunuar shihet në një port të Kinës. 16 maj 2017.
Një cisternë me naftë të papërpunuar shihet në një port të Kinës. 16 maj 2017.

Irani është një prej shteteve më të sanksionuara në botë. Por, kufizimet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara gjerësisht kanë dështuar të pengojnë eksportet e naftës të Iranit – shtyllës kryesore e ekonomisë në rënie të Republikës Islamike.

Sanksionet amerikane e kanë larguar Iranin nga shumica e konsumatorëve të tij tradicionalë, duke e detyruar Teheranin që të gjejë blerës të rinj dhe të shesë naftën e tij me çmim të lirë.

Por, gatishmëria e Kinës që të blejë sasi rekorde të naftës iraniane, zotërimi i taktikave nga Teherani për të shmangur sanksionet dhe hezitimi i Uashingtonit që të zbatojë në mënyrë të rreptë sanksionet, kanë bërë që masat e SHBA-së kundër eksporteve të energjisë të Iranit të jenë joefektive, thanë ekspertët.

Flota e “errët” e cisternave

Heqja e sanksioneve amerikane, si pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore , i lejoi Iranit që të shesë naftën e tij për konsumatorët në Evropë dhe Azi Lindore. Eksportet e naftës arritën në nivel rekord më 2018.

Por, eksportet ranë pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja më vonë gjatë atij viti.

Viteve të fundit, Irani ka rritur shitjet duke shmangur sanksionet, përfshirë edhe përmes përdorimit të “flotës së errët” të cisternave, për të transportuar ilegalisht dërgesa me naftë për në Kinë.

Kjo taktikë përfshin operacione për bartjen e mallrave nga anija në anije, ku përfshihen ndërmjetës, bëhen transfere të fshehta të parave dhe ribrendimin për të fshehur origjinën iraniane të naftës, në mënyrë që të duket se produkti vjen nga një shtet i tretë.

“Irani vazhdimisht zhvillon dhe zgjeron, jo vetëm rrjetin e tij të ndërmjetësve dhe kompanive tregtare të përfshira në shitjen e naftës së tij, por po ashtu edhe flotën e tankeve që kryesisht i përdorë për të transferuar naftën e tij të papërpunuar”, tha Nader Itayim, kryeredaktor për Lindjen e Mesme në Argus Media, me seli në Mbretërinë e Bashkuar.

Apetiti kinez

Rritja e kërkesës për naftën iraniane në Kinë ka qenë kyç në rritjen e shitjeve të naftës së Iranit.

Të dhënat për gjurmimin e anijeve, që janë mbledhur nga Argus, treguan se eksportet e naftës të Iranit aktualisht janë 1.5 milion fuçi në ditë, me rreth 85 deri në 90 për qind prej tyre të destinuara për në Kinë.

Teherani i ofron Kinës një çmim shumë të lirë për naftën e tij të ndaluar, duke hequr 15 për qind të çmimit për çdo fuçi nafte, në mënyrë që Pekini të marrë përgjegjësinë për shmangien e sanksioneve.

Një punëtor iranian në një platformë të naftës në Iran. Fotografi nga arkivi.
Një punëtor iranian në një platformë të naftës në Iran. Fotografi nga arkivi.

Kjo ulje e çmimit ka ngritur pikëpyetje lidhur me përfitimin afatgjatë të Iranit nga tregtia me Kinën. Por, ekspertët thanë se Teherani ende ka mundësi që të përfitojë.

“Edhe me një çmim shumë të lirë, shitja e naftës iraniane është jashtëzakonisht fitimprurëse dhe e qëndrueshme”, tha Steve H. Hanke, profesor i Ekonomisë së Aplikuar në Universitetin Johns Hopkins. “Kjo për shkak se marzha e fitimit për prodhimin në Iran është përafërsisht 15 dollarë apo më pak për një fuçi nafte”.

Gregory Brew, analist për Iranin dhe Energjinë në Grupin Euroasia në Shtetet e Bashkuara, tha se sanksionet amerikane më herët ishin efektive sa i përket bllokimit të eksporteve të naftës në Kinë. Por, kjo gjë nuk qëndron më.

“Ngritja e Kinës si fuqi e re botërore i jep asaj liri më të madhe për të sfiduar sanksionet amerikane”, tha Brew.

Hezitim për të zbatuar sanksionet

Disa analistë thanë se Uashingtoni ka hezituar që të sanksionojë në mënyrë të rreptë sanksionet, ndërkaq të tjerët thanë se sanksionet, në përgjithësi, kanë dështuar.

Duhen burime për zbatimin e kufizimeve, ndërkaq sektorët e rinj do të duhet të sanksionohen që presioni të mbahet në nivel të lartë, tha Itayim nga Argus Media.

“Në të kundërtën, objektivi gjen mënyra për të shmangur sanksionet, ndërkaq në të njëjtën kohë blerësi bëhet më i kënaqur kur sheh se zbatimi i sanksioneve po dështon. Në rastin e Iranit dhe Kinës, mendoj se ne kemi parë pak nga këto dy gjëra”, tha Itayim.

Analistët po ashtu kanë argumentuar se Uashingtoni po heziton që rreptësishtë të zbatojë sanksionet për shkak të rreziqeve që lidhen nga largimi i naftës iraniane nga tregu botëror.

“Përveç ndikimit që një veprim i tillë do të kishte në çmimin e naftës, gjë që ka rëndësi politike dhe ekonomike për [presidentin amerikan, Joe] Biden gjatë këtij viti zgjedhor, një zbatim agresiv do të provokonte edhe Iranin, edhe Kinën, në një kohë kur SHBA-ja po tenton të menaxhojë rrezikun e përshkallëzimit në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Lindore”, tha Brew.

Zbatimi i dobët i sanksioneve për naftën vlen edhe për Venezuelën dhe Rusinë, tha Itayim, duke theksuar se “ky ka qenë çelësi i mbajtjes së një tavani” të çmimit të naftës.

Muajin e kaluar, Kongresi amerikan miratoi një paketë të sigurisë që përfshin edhe Aktin e sanksioneve të energjisë Iran-Kinë, që i jep Qeverisë autoritetin për të kufizuar edhe më shumë eksportet e naftës të Iranit.

Por, ekspertët nuk janë të bindur që më shumë sanksione do të kenë ndonjë ndikim.
Hanke tha se çdo masë e re “do t’i bashkohet listës së gjatë të sanksioneve të dështuara perëndimore” ndaj Republikës Islamike.

“Sanksionet janë gjithmonë subjekt i zgjidhjeve që e bëjnë të kotë zbatimin e sanksioneve”, shtoi ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG