Ndërlidhjet

Dezinformatat i largojnë komunitetet nga vaksinimi


Teoritë konspirative i lënë komunitetet pa vaksinim
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Teoritë konspirative i lënë komunitetet pa vaksinim

Dezinformata e thirrje për mosvaksinim kundër COVID-19 që i lexoi në internet, e kanë lënë Burim Gashin të pavaksinuar deri më tani.

Gashi, që i përket komunitetit ashkali dhe jeton në Fushë Kosovë, thotë se e ka shtyrë për aq sa ka mundur vaksinimin, por pranon se imunizimi duhet të ndodhë eventualisht.

“Po ndonjëherë nuk kemi çare, gjithë bota duhet të vaksinohet”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Kujtim Ibrahimi që jeton afër Burim Gashit, ka hezituar të marrë ndonjërën prej vaksinave kundër COVID-19. Ai madje thotë se testimet e deritanishme nuk po e bindin për sigurinë e këtyre vaksinave.

“Duhet shumë, ta bëjnë një studim të madh dhe ta shohin dhe jo njerëzve t’ia japin këtë (vaksinën) sepse shumica e kanë imunitetin tjetër, dikush e përballon, dikush shkon në çast (vdes)”, thekson ai.

Vaksinat COVID-19 që administrohen në Kosovë janë të licencuara dhe konsiderohen të sigurta nga rregullatorët e barnave në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, teoritë konspirative të shpërndara nëpër botë në lidhje me vaksinat kundër COVID-19 po konsiderohen ndër arsyet kryesore për hezitim të shprehur ndaj imunizimit në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë, zyrtarë të pushteteve lokale si dhe organizatat që punojnë për së afërmi me këto komunitete, thonë se kanë parë një hezitim të përgjithshëm për vaksinim, megjithëse zyrtarisht nuk ka të dhëna të ndara që tregojnë se sa janë vaksinuar këto komunitete.

Rruga me telashe deri te vaksinimi

Në Kosovë, fushata e imunizimit kundër COVID-19 ka nisur në fund të muajit mars dhe në faza të ndryshme është bërë vaksinimi i kategorive të ndryshme të popullatës.

Megjithatë, momentalisht është në zhvillim fushata e vaksinimit masiv që përfshin të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Deri më tani, në nivel vendi janë administruar 503.088 doza të vaksinës kundër COVID-19. Me të dy dozat janë vaksinuar 170.456 persona.

Procesi i aplikimit online për vaksinim nuk parasheh deklarimin e përkatësisë etnike, andaj nuk ka të dhëna të ndara për vaksinimin e komuniteteve shumicë apo joshumicë në Kosovë.

“Të vaksinuar në Kosovë ka nga secili komunitet që jeton këtu”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, sipas kësaj ministrie hezitimi për vaksinim në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian “është bukur i shprehur dhe ka një ndërlidhje edhe me teoritë konspirative”.

“Si komunitet, ata nuk tregojnë përgjigje të lartë as në kuadër të vaksinimit të rregullt të fëmijëve në atë që njihet si Program i zgjeruar i vaksinimit në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Çështja e teorive konspirative nuk po shihet si problemi i vetme që po mban të ulët numrin e të vaksinuarve në mesin e këtyre komuniteteve.

Muhamet Arifi nga organizata “Balkan Sunflowers” thotë se për t’u fajësuar janë edhe telashet praktike deri në vaksinim.

“Mosinformimi për dobitë e vaksinës, njerëzit nuk dinë si të aplikojnë dhe nuk kanë mjete ose teknologji për të aplikuar dhe në shumicën e vendeve, qendrat imunizuese janë larg komunitetit”, thotë ai.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, disa prej përpjekjeve për të shtuar numrin e vaksinimeve brenda këtyre komuniteteve, përfshijnë vizita të zyrtarëve të lartë te këto komunitete si dhe mundësim të vaksinimit pa procedurat e zakonshme online në disa ditë të caktuara.

“Është mundësuar që të regjistrohen edhe fizikisht, qoftë në Qendrat e Mjekësisë Familajre apo edhe drejtpërdrejt në sistem gjatë ditëve kur janë organizuar vaksinimi në terren për ta. Vaksinimi në disa raste është bërë edhe përmes ekipeve mobile si në Pejë, Gjakovë, etj”, ka shpjeguar MSH.

Informimi mbi vaksinën, shpresë për nxitje të imunizimit

Disa kilometra larg Fushë Kosovës, në fshatin Plemetin të Obiliqit jetojnë një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të tri komuniteteve.

Frika nga simptomat pas vaksinimit e kanë lënë të pavaksinuar Muhamet Ibrahimin që jeton në këtë lagje.

“Disa thonë që është për t’u frikësuar, disa thonë që është mirë”, thotë ai derisa shpjegon konfuzionin sa i përket telasheve në shëndet që mund të shfaqen pas vaksinimit.

Muhameti u bind se vaksina është e sigurt vetëm pasi babai i tij u vaksinua dhe ishte mirë me shëndet pas imunizimit.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë për Radion Evropa e Lirë patën shpjeguar se efektet të lehta anësore si ethe, temperaturë, dhimbje krahu, kokëdhimbje, plogështi janë të shpeshta pas vaksinimit.

E mungesën e informimit më të zgjeruar zyrtar lidhur me vaksinën në përgjithësi te këto komunitete, po e sheh si problematike edhe organizata “Roma in action” (Romët në veprim) nga Gjakova.

Emrah Cermjani, drejtor ekzekutiv i kësaj organizate, ka treguar se për të luftuar këtë mungesë të informimit kanë nisur fushatën “ Një Vaksinë – Një Jetë”.

“Kemi mbajtur ligjërata apo bashkëbisedime në mes të profesionistëve shëndetësorë dhe komunitetit, kemi asistuar për t’u regjistruar në platformën e-kosova si dhe kemi realizuar edhe një spot në të cilin kemi përfshirë fytyra publike nga komuniteti, si nga niveli qendror dhe lokal, duke tentuar që të nxisim komunitetin për marrjen e vaksinës COVID-19”, thotë Cermjani, teksa tregon për disa nga aktivitetet e kësaj fushate.

Edhe organizata “Balkan Sunflowers” me seli në Fushë Kosovë, do të fillojë zbatimin e një projekti ku rreth 30 persona “do të shkojnë shtëpi për shtëpi, për t’i informuar qytetarët për rëndësinë dhe vlerën e imunizimit”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë konsideron se vaksinimi kundër COVID-19 është i domosdoshëm në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Vaksinat, sipas studimeve, ndikojnë në rritjen e imunitetit ndaj virusit dhe evitimin e hospitalizimit dhe pasojave të rënda nga ky virus në rast të infektimit.

Shumë shtete të botës tashmë kanë filluar që të krijojnë kufizime në qasje në hapësira publike për persona të pavaksinuar, ndërsa bizneset në SHBA e kanë bërë edhe të detyrueshëm vaksinimin për punëtorët e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG