Ndërlidhjet

Pse romët në disa vende evropiane janë më të goditurit nga pandemia?


Një punëtor komunal, duke dezinfektuar në kampin ku jeton komuniteti rom në Plementin të Kosovës. Prill, 2020.

Në Bullgari, në muajt maj dhe prill, bashkësitë rome janë spërkatur me dezinfektues nga helikopteri dhe aeroplani, të cilët në fakt përdoren për pllenimin e të korrave, përderisa rastet me koronavirus janë rritur në tërë vendin.

Në Sllovaki, fshatrat e romëve kanë qenë të vetmet, ku testimet i ka bërë ushtria, e cila ka patrulluar e armatosur me pushkë automatike. Raportet për përdorim të tepruar të dhunës policore ndaj romëve kanë ardhur edhe nga Evropa Lindore dhe Qendrore, ndërkohë që pjesëtarët e policisë janë vendosur në mënyrë që të zbatojnë bllokimin në qytetet e veta, shkruan agjencia e lajmeve Associated Press (AP).

Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe ekspertët thonë se zyrtarët lokalë në disa shtete, të cilat kanë popullsi rome të konsiderueshme, e kanë shfrytëzuar pandeminë për të shënjestruar në mënyrë të paligjshme grupin e pakicës që është më i madhi në Evropë dhe i cili përgjatë shekujve po ballafaqohet me diskriminim të rëndë. Marrë parasysh që numri i rasteve me COVID-19 sërish po shënon ngritje në gjithë kontinentin, disa ekspertë shfaqin drojën që edhe represioni do të kthehet.

Që gjërat të jenë edhe më të rënda, aktivistët thonë që për diskriminimin e tillë, shpeshherë haset në kundërshtime të pakta nga ana e evropianëve të tjerë, ndërkaq që romët hezitojnë të flasin për këtë, sepse kanë frikë nga pasojat.

Represioni policor

Romët e kanë prejardhjen prej Indisë. Gjatë shekullit 19, ata shpeshherë kanë qenë skllevër, ndërkaq gjatë Holokaustit janë vrarë me qindra-mijëra romë. Për shkak të persekutimit dhe margjinalizimit me shekuj, sot ata janë disa nga njerëzit më të varfër dhe më së paku të arsimuar në Evropë.

Në mënyrë pezhorative ata i quajnë “ciganë” dhe shumë prej tyre jetojnë në lagje të ndara, shpeshherë me qasje të kufizuar në energji elektrike, në ujë të rrjedhshëm dhe në mbrojtje shëndetësore. Shumë prej tyre përballen me diskriminim në punësim, në marrje të kujdesit mjekësor dhe kanë jetëgjatësinë mesatare më të shkurtër sesa jo-romët, shkruan AP-ja.

Shumë vende evropiane nuk i mbikëqyrin rastet me koronavirus në mesin e romëve, por zyrtarët sllovakë, në fund të verës, kanë raportuar se në lagjet rome kanë qenë 179 raste, në mesin e kësaj popullate e cila numëron më shumë se 500,000 banorë.

Në muajin maj, dy mbrojtës të të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara, kanë publikuar një letër të hapur duke i bërë thirrje Qeverisë bullgare që të pezullojë operacionet policore lidhur me pandeminë në vendbanimet rome dhe “të ndalojë gjuhën e urrejtjes” kundër grupit, i cili e kishte përshkruar një udhëheqës nacionalist të romëve si “pjellë e infeksionit”. Në Bullgari janë shfrytëzuar dronët me kamera termale, me të cilat janë regjistruar vendbanime të tëra rome, gjë që ngriti shqetësimet lidhur me mbikëqyrjen.

Ognjen Isaev, aktivist rom në kryeqytetin bullgar, në Sofje, ka thënë se është i brengosur se mund të rikthehen masat diskriminuese në rast se pandemia përkeqësohet.

“Herën tjetër mund të jetë shumë më keq”, theksoi Isaev.

Gjithashtu, edhe zyrtarët e vendeve tjera evropiane i kanë shënjestruar romët.

Një kryetar komune në veri të Moldavisë i ka akuzuar bashkësitë e romëve për përhapje të virusit, ndërkaq që zyrtari komunal në qytetin Ivano-Frenkvist e urdhëroi policinë që t’i dëbojë të gjithë romët nga qyteti. Kjo nuk ka mbetur e kufizuar vetëm në Evropën Lindore. Kryetari i një fshati jashtë Parisit u ka bërë thirrje banorëve që t’i drejtohen Qeverisë franceze “sapo të shini që karvani po qarkullon”, duke menduar për romët.

Në Evropë jetojnë rreth 12 milionë romë, ndërkaq sipas të njëjtave vlerësime, gjysma e tyre jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

Në të gjithë Evropën, më shumë se 80 për qind e romëve janë të rrezikuar nga varfëria, ndërkaq gati se gjysma e tyre nuk e përfundojnë shkollimin. Afërsisht rreth një e treta e numrit të tyre nuk kanë ujë të rrjedhshëm, ndërkaq një e treta është e papunësuar, tregojnë të dhënat e hulumtimit që Bashkimi Evropian i ka publikuar në viti në 2016.

Në muajin qershor, Euronews ka raportuar për atë se si Komisioni Evropian planifikon që deri në fund të vitit 2020 të publikojë strategjinë e re për romët, por që nuk planifikon që ta bëjë direktivë obliguese për shtetet anëtare.

“Strategjia do të pasqyrojë më mirë larminë e romëve, përfshirë edhe të kushtuarit më shumë vëmendje për luftimin e diskriminimit të shumëfishtë ndaj burrave dhe grave me përkatësi rome, të rinjve, komunitetit LGTBI, ndaj qytetarëve në lëvizje, migrantëve ose romëve pa shtetësi”, tha Helena Dalli, Komisionere evropiane për barazinë.

Romeo Franz, eurodeputet me origjinë rome, thotë se kjo është e pamjaftueshme. Ai bëri propozimin e tij duke i bërë thirrje Brukselit të krijojë rregulla obliguese dhe një mekanizëm për mbikëqyrje.

Gazeta The New York Times gjithashtu, gjatë verës, ka realizuar një reportazh për diskriminimin e romëve, i cili është theksuar veçanërisht gjatë pandemisë.

Kjo gazetë ka përkujtuar edhe deklaratën anëtarit të Parlamentit Evropian, Angel Dzhambazki nga partia e kryeministrit bullgar Krasimir Karakachanov, i cili ka thënë që pjesa tjetër e popullsisë duhet të mbrohet nga romët, të cilët në vitin 2011 e kanë përbërë rreth 5 për qind të popullsisë së Bullgarisë, e cila sipas regjistrimit të popullsisë po atë vit, është 7,4 milion banorë (disa hulumtues besojnë që popullata rome është dy herë më e madhe se aq).

Karakachanov më herët i kishte quajtur “ciganë të pasocializuar”, një term i ngjashëm me termin “ciganë të asocializuar”, i cili është përdorur në periudhën naziste. Në qershor, banorëve të lagjeve rome në Bullgari u ishte ndaluar dalja, përveç në rastet kur kanë mundur ta bindin policinë që kanë punë ose kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore. Në realitet, kjo ka nënkuptuar që shumica e banorëve kanë mbetur të mbyllur dhe i janë lënë vetëm, sepse pak kush prej tyre ka kontrata formale të punës. Ata mund të blinin vetëm në dyqane brenda vendbanimit dhe produktet në dyqanet lokale ishin për një të pestën më shtrenjtë se në qytet.

Afërsisht rreth 50 për qind e romëve të Bullgarisë nuk kanë sigurim shëndetësor shtetëror dhe për këtë arsye nuk mund të regjistrohen te mjeku i praktikës së përgjithshme.

Sipas hulumtimit të Amnesty International, pesë vendbanime rome në Sllovaki, kanë qenë të rrethuara me gardh. Në Rumani, Serbi, Holandë dhe në Maqedoninë e Veriut, që nga futja e masave të mbylljes në Evropë e deri në korrik, janë regjistruar 15 raste të dhunës policore ndaj romëve.

As sapun dhe as ujë

Deputeti i Republikës së Kosovës, i cili përfaqëson komunitetin rom, Albert Kinolli, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sidomos komuniteti rom, por duke mos e anashkaluar as atë ashkali dhe egjiptian, është duke u përballur me vështirësi socio-ekonomike gjatë gjithë kohës së pandemisë së koronavirusit.

Edhe Bashkim Ibishi, drejtor i organizatës “Advancing Together”, ka deklaruar për REL se gjendja socio-ekonomike e komuniteteve RAE po vazhdon të jetë e rëndë. Sipas tij, përqindja e të punësuarve nga këto komunitete është shumë e ulët.

Sipas të dhënave të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, del se 0.01 për qind e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve punojnë në sektor publik dhe janë të regjistruar si të punësuar.

Në Kosovë llogaritet se jetojnë rreth 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptianë.

Radio Evropa e Lirë, në fund të muajit mars ka raportuar për problemet me të cilat përballen romët në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe të cilat vetëm sa janë rritur gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Asgjë nuk kemi, as sapun, as detergjent dhe as për dezinfektim të duarve”, ka thënë atëherë për Radion Evropa e Lirë, Jasmina Maliqeviq, një 40-vjeçare, nënën e dy vajzave të moshës për shkollim, e cila jeton në lagjen rome “12 shkurti” në Nish.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të koordinatorëve për çështje të romëve, Dragan Graçanin, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që rreth 5,000 familje rome, gjegjësisht rreth 25,000 njerëz, nuk kanë ujë të pijshëm dhe nuk mund të zbatojnë asnjë masë të mirëmbajtjes së higjienës.

Problem shtesë për bashkësinë rome është ndërprerja e punës së shkollave, sepse shumica e fëmijëve nuk do të mund të kyçen në mësimin online. Shumica e familjeve rome, ngjashëm është edhe në Bosnjë e Hercegovinë, nuk kanë energji elektrike, e lëre më kompjuter ose internet.

Në Ditën ndërkombëtare të romëve, që shënohet më 8 prill, udhëheqësi i një ekipi projektues për integrimin e romëve në Këshillin për bashkëpunim rajonal, Orhan Usein, ka deklaruar që në kushtet e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së COVID-19, bashkësitë rome janë veçanërisht të rrezikuara për shkak të kushteve në të cilat jetojnë.

“Sikurse edhe gjithë të tjerët, romët janë të goditur nga ky kërcënim i përbashkët, sepse virusi nuk bën dallime ndërmjet racave, shumicës apo pakicë. Ky virus na sulmon të gjithëve”, ka thënë Usein.

Përfaqësuesi në Këshill i romëve dhe i 11 pakicave të tjera, Velko Kajtazi, në fillim të prillit kishte paralajmëruar se nuk ka pasur asnjë masë të ndihmës për grupet më të rrezikuara, në mesin e të cilave janë edhe pjesëtarët e bashkësisë rome.

Ai ka lavdëruar masat e qeverisë kroate për ekonominë dhe punëtorët, por në të njëjtën kohë ka paralajmëruar se nuk ka asnjë masë për ndihmë për grupet e rrezikuara, në mesin e të cilave janë edhe përfaqësuesit e bashkësisë rome.

Dervo Sejdiq, kryesues i Këshillit për romët në kuadër të Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, ka theksuar që shumë familje rome jetojnë në varfëri, duke mbijetuar kryesisht nga mbledhja dhe shitja e lëndëve dytësore.

“Më shumë se 30 për qind e të punësuarve romë, pikërisht të atyre që kanë punuar në sektorin publik në këtë shtet, sot janë në rrugë. Më duhet të them që atyre fillimisht u janë dhënë dokumentet për largim nga puna dhe në punë ka mbetur një numër i paktë, kryesisht në ndërmarrjet komunale”, theksoi Sejdiq.

Numri i romëve në Bosnjë e Hercegovinë, sipas regjistrimit të vitit 2013, ka qenë 12,583, prej të cilëve 10,036 jetojnë më Federatën e Bosnjë e Hercegovinës, 2057 në Republikën Serbe dhe 490 në rrethin e Bërçkos.

Raporti special për pozitën e romëve në Bosnjë e Hercegovinë, të cilin e ka përgatitur Institucioni i Avokatit të Popullit për të drejtat e njeriut në Bosnjë e Hercegovinë, me mbështetjen e Zyrës për demokratizimin e institucioneve dhe të drejtave të njeriut të OSBE-së, si dhe Misionit të OSBE-së në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 2013, ka treguar që në territorin e Bosnjë e Hercegovinës jetojnë rreth 50,000 romë. Numri më i madh i tyre nuk është i shënuar në librat e amzës ose nuk kanë dokumente personale, gjë që i pengon në realizimin e shumicës së të drejtave. Shumë prej tyre nuk kanë as sigurim shëndetësor, prandaj çështja e mjekimit, por edhe e shkuarjes te mjeku, janë sfida për këtë popullatë.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG