Ndërlidhjet

Kosova s’ka se si ta luftojë dezinformimin në kohën e pandemisë


Fotografi ilustruese

Që nga shfaqja e rasteve të para të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë, më 13 mars, ka pasur shtim të lajmeve të rreme dhe dezinfomatave.

Përmbajtje të tilla, si për zanafillën e përhapjes së virusit e deri te zbulimi i vaksinës, kanë qenë të përditshme në rrjete sociale.

Ato kanë marrë pëlqime dhe shpërndarje të shumta nga audienca shqipfolëse.

Përveçse përmbajtja ka qenë e paverifikuar, shpeshherë lajme të tilla kanë ndikuar në përhapjen e panikut.

Disa vende të botës kanë krijuar mekanizma për luftimin e lajmeve të rreme në kohën e pandemisë së koronavirusit të ri, por në Kosovë, përveç bazës ligjore që rregullon në një masë sanksionet për shpërndarjen e informacioneve të pavërteta, nuk ka një mekanizëm adekuat.

Selatin Kllokoqi, nga organizata “Democracy Plus”, vitin e kaluar ka hartuar një analizë që trajton sanksionet ligjore për personat dhe mediumet që përhapin lajme të rreme, ku, sipas tij, ka rezultuar se nuk është e mjaftueshme baza aktuale ligjore.

“Ekziston baza ligjore, por, siç duket, nuk është e mjaftueshme, sepse gjatë këtyre ditëve apo gjatë këtyre javëve nuk kam dëgjuar ende që ka ndodhur ndonjë rast, që ka shkuar në gjykatë për shpërndarje të lajmeve të rreme apo panikut, përkundër faktit se kemi pasur shumë të tilla. Mendoj që edhe te ne, në një situatë më të mirë, pasi të kalojë kjo pandemi dhe të kemi një qeveri funksionale, duhet të merren masa që të ligjet që e rregullojnë këtë çështje, të adoptohen edhe më mirë, në mënyrë që mos ta kemi këtë vërshim të përditshëm të lajmeve të rreme”, thotë Kllokoqi.

Shpërndarja e propagandës që nxit urrejtje dhe kryerjen e veprave penale është e dënueshme me Kodin Penal në Kosovë, ndërsa ndjekja në rastet penale kryhet në dy forma, me paraqitjen e rastit nga pala e dëmtuar, por edhe nga vetë prokuroria.

Mekanizmi tjetër i parandalimit të lajmeve të rreme zhvillohet përmes kontesteve civile, sipas Ligjit mbi Shpifjen dhe Fyerjen.

Ky ligj e përcakton që autori i lajmit është përgjegjës për shpërndarjen e informacionit, të cilin ai e ka ditur se është i pavërtetë ose është dashur ta dijë se është i pavërtetë.

Ky rregullim ligjor nuk është i mjaftueshëm për të luftuar keqinformimin në kohën e pandemisë së koronavirusit, thotë juristi Kushtrim Palushi.

“Problematika e lajmeve të rreme është pa mbulueshmëri ligjore dhe në këtë mënyrë, personat të cilët merren me këtë fenomen, janë rrjedhimisht pa kontroll. Do të thotë ata mund të veprojnë të lirë pa u frikuar se dikush, ndonjë ‘watchdog’ ose ndonjë institucion përgjegjës është duke i mbikëqyrur. Në këtë aspekt, atëherë lind nevoja që kjo problematikë të rregullohet, nëse jo me një ligj të veçantë, atëherë të rregullohet me akte nënligjore, si nga ana e Komisionit të Pavarur për Media, po ashtu nga ana e Këshillit për Media të Shkruara”, thotë Palushi për Radion Evropa e Lirë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se keqinformimi dhe lajmet e rreme kanë ndikim të madh te qytetarët, sidomos tani kur janë të izoluar si pasojë e masave të ndërmarra nga institucionet, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Përmbajtje të tilla të rrejshme që kanë qarkulluar në rrjete sociale janë denoncuar në polici, konfirmon Faik Hoti, drejtor i Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Përmes një komunikimi ditor dhe transparent, është arritur që të bindet pjesa më e madhe e popullatës që informatat burimore lidhur me Covid-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] t'i marrin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Përkundër ngarkesave të mëdha, një numër i lajmeve të rrejshme dhe raportimeve me dezinformata e të pavërteta janë denoncuar në mekanizmat për siguri kibernetike e privatësi dhe institucionet e sigurisë, duke u nisur nga fakti që dezinformatat në situata të emergjencave të shëndetit publik, paraqesin edhe rrezikim të sigurisë kombëtare”, thotë Hoti.

Hoti thotë se Ministria e Shëndetësisë që nga fillimi ka krijuar një plan për informim, i cili, sipas tij, ka pasur efekt, pasi qytetarët në masë të madhe po informohen rreth koronavirusit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Edukimi medial në shkolla si zgjidhje e problemit

Të sfiduar nga përhapja e lajmeve të rreme dhe dezinfomatave, disa vende evropiane prej vitesh kanë të integruar edukimin medial në shkolla.

Futja e kësaj lënde në shkollat e Kosovës mund të jetë një zgjidhje për të edukuar popullatën për përmbajtjen që lexon, thotë Alban Zeneli, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Njerëzit do ta refuzonin përmbajtjen e rreme dhe nuk do të jepeshin shumë pas senzacoionit nëse do t’i kishin informatat paraprake nga shkollimi i tyre.

“Kjo problematikë bëhet edhe më e madhe në rastin e Kosovës, për shkak se shoqëria nuk është e përgatitur. Ne nuk kemi një shkollim publik, i cili ofron edhe edukim për media, sepse kjo do të ndihmonte në përgatitjen e shoqërisë për këtë problematikë. Pra, thjesht, njerëzit do ta refuzonin përmbajtjen e rreme dhe nuk do të jepeshin shumë pas senzacoionit nëse do t’i kishin informatat paraprake nga shkollimi i tyre”, thotë Zeneli.

Në kuadër të Policisë së Kosovës prej vitesh ekziston një njësit i specializuar kundër krimeve kibernetike, por ky njësit kryesisht merret me krime të natyrave të ndryshme e që lidhen me vepra të rënda penale.

Që nga shpallja e pandemisë së koronavirusit, institucione të ndryshme kanë bërë thirrje që qytetarët të informohen nga media dhe burimet kredibile në fushën e shëndetit, siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë.

XS
SM
MD
LG