Ndërlidhjet

Dhjetë vjet burgim për ish-pjesëtaren gjermane të Shtetit Islamik


Pjesëtarë të policisë gjermane. Foto nga arkivi.
Pjesëtarë të policisë gjermane. Foto nga arkivi.

Një gjykatë në Mynih të Gjermanisë e ka dënuar me 10 vjet burgim një gjermane e cila ishte konvertuar në myslimane dhe i ishte bashkuar grupit ekstremist të Shtetit Islamik në Irak.

Ajo u dënua nën akuzat për krime lufte për vrasjen e një vajze të pakicës jazidi të cilën ajo dhe burri i saj e kishin mbajtur si skllave.

Jennifer Wenisch u gjykua si bashkëpunëtore e një krimi lufte dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste.

Gjykata tha se ajo ishte prezente kur burri i saj e la pesëvjeçaren të vdiste nga etja, e lidhur me zinxhirë jashtë dhe të ekspozuar në diell.

Burri i Wenisch, një xhihadist irakian, po gjykohet në Frankfurt. Vendimi për të pritet muajin e ardhshëm.

Vajza pesëvjeçare vdiq në Falluxha në vitin 2015-ë.

Ajo dhe burri i saj "blenë" një grua dhe një fëmijë jazidi duke i mbajtur si "skllevër" të shtëpisë, dërisa jetonin në pjesën e Irakut që atëbotë ishte pushtuar nga IS-i, tha gjykata.

Wenisch, 30 vjeç, e mohoi akuzën.

Avokatët e saj thanë se nëna e fëmijës, e quajtur si Nora, ishte një dëshmitare jo e besueshme dhe ata pretenduan se nuk kishte prova se vajza kishte vdekur në të vërtetë.

Ky është një nga rastet e para të gjykimit të një krimi të IS-it kundër komunitetit Jazidi.

Jaziditë janë një grup kurd nga Iraku verior, dhe kanë qenë në shënjestër të krimeve të IS-it.

Wenisch u gjykua në Gjermani në bazë të asaj që njihet si parim i juridiksionit universal, i cili lejon ndjekjet penale për krimet e dyshuara të luftës, përfshirë gjenocidin, që ndodhin jashtë shtetit.

Ajo u arrestua në Turqi në vitin 2016, më pas u ekstradua në Gjermani, raporton agjencia e lajmeve AFP.

XS
SM
MD
LG