Ndërlidhjet

Dhjetëra të zhdukur nga stuhia në Indi


Mumbai, Indi, 17 maj, 2021.
Mumbai, Indi, 17 maj, 2021.

Më shumë se 90 njerëz u zhdukën, pasi anija me të cilën lundronin, u fundos në brigjet e qytetit Mumbai të Indisë, si pasojë e një cikloni të fuqishëm.

Flota detare indiane tha se ka shpëtuar 177 nga 270 personat në bord dhe se përpjekjet për të gjetur të mbijetuar të tjerë po vazhdojnë.

Anija, në pronësi të Korporatës së Naftës dhe Gazit Natyror të Indisë, po transportonte personelin për shpime në det të hapur.

Flota detare indiane organizoi një mision masiv të shpëtimit ajror dhe detar për punonjësit e zhdukur të naftës, por që po pengohet nga valët e mëdha.

“Ka valë nga 20 deri në 25 metra, erërat janë të fuqishme dhe dukshmëria e ulët”, tha zëdhënësi i marinës, Vivek Madhwal.

Tri anije të tjera tregtare, me rreth 700 persona në bord, janë bllokuar po ashtu në det, pas ciklonit Tauktae, i cili goditi bregun perëndimor të Indisë.

Tauktae zbarkoi të hënën në shtetin Gujarat, me erëra deri në 160 kilometra në orë.

Stuhia është duke u dobësuar, por së paku 19 njerëz tashmë kanë humbur jetën dhe rreth 200,000 të tjerë janë zhvendosur nga disa rajone.

Stuhia ka goditur në kohën kur India po përballet me një valë shkatërruese të pandemisë së koronavirusit.

Për disa javë, ky vend ka regjistruar mbi 300,000 raste të reja në ditë dhe mbi 4,000 viktima.

Shifrat kanë nisur të bien pak këtë javë.

XS
SM
MD
LG