Agjencia e Menaxhimit Emergjent në Kosovë ka bërë të ditur të hënën se në vend janë të regjistruara 51 vatra zjarri dhe prej tyre 19 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 32 të tjera janë lokalizuar.
“Situata më e rënduar është paraqitur në komunat Kamenicë, Mitrovicë dhe Podujevë. Në fshatin Meshinë të Kamenicës, përveç njësiteve të zjarrfikësve, është angazhuar edhe KFOR-i, i cili ka ndërhyrë nga ajri për shuarjen e zjarrit”, ka bërë të ditur kjo agjenci.
Përveç misionit të NATO-s në Kosovë, në operacionin për shuarjen e zjarreve janë duke kontribuuar edhe Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe qytetarët.
Kosova dhe gjithë rajoni i Ballkanit po përballen me temperatura mbi 30 gradë Celsius këtë javë.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.
“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë, zjarret pyjore kanë rezultuar me evakuim të banorëve në disa zona të Shqipërisë, teksa zjarrfikësit kanë tentuar t’i shuajnë ato.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në Shqipëri kanë qenë aktive 40 zjarre në 24 orët e fundit.
Situata më kritike është raportuar në zonën bregdetare të Finiqit, afër Vlorës, ku 10 persona janë evakuuar dhe disa shtëpi janë djegur, sipas raportimeve të mediave lokale.
Autoritetet shqiptare kanë angazhuar ushtrinë që me aeroplanë dhe helikopterë t’i luftojnë zjarret.
Prej fillimit të muajit korrik raportohet të jenë djegur rreth 34.000 hektarë në gjithë Shqipërinë.
Policia dyshon se disa zjarre janë ndezur me qëllim dhe që 20 persona janë arrestuar në javët e fundit.
“Ndezja e qëllimshme e zjarrit nuk është krim, por tradhti” , ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Për zjarre është raportuar edhe në Kroaci, sidomos në qytetin-port, Split.