Ndërlidhjet

Nju Jorku e shpall dhunën me armë emergjencë shëndetësore


Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo.

Nju Jorku u bë shteti i parë amerikan që shpalli gjendje të emergjencës për të adresuar dhunën në rritje me armë.

Mbi 50 të shtëna me armë kanë ndodhur fundjavën e kaluar në shtetin e Nju Jorkut, tha guvernatori Andrew Cuomo, teksa nënshkroi urdhrin ekzekutiv për gjendje emergjente.

Urdhri e përshkruan dhunën me armë si “krizë të shëndetit publik”.

Direktiva do të kanalizojë 138.7 milionë dollarë në programet e ndërhyrjes dhe parandalimit të dhunës me armë.

Mediat amerikane kanë raportuar se gjatë fundjavës së kaluar, afro 200 amerikanë kanë humbur jetën nga të shtënat.

Në muajin mars, Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka publikuar statistikat preliminare për vitin 2020, të cilat kanë treguar rritje për 25 për qind të vrasjeve, krahasuar me një vit më parë.

“Nëse shikoni numrat e fundit, më shumë njerëz tani po vdesin nga dhuna me armë dhe krimi, sesa [sëmundja] COVID-19”, tha guvernatori Cuomo.

Në fund të qershorit, presidenti amerikan, Joe Biden, ka shpalosur strategjinë e Shtëpisë së Bardhë për të luftuar dhunën me armë, e cila përfshin kufizimin e tregtarëve mashtrues dhe luftimin e trafikimit me armë zjarri.

XS
SM
MD
LG