Ndërlidhjet

Dialog në Bruksel apo konferencë ndërkombëtare?


Ilustrim

Thirrjet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, tashmë ua kanë bërë të qartë të dy vendeve që një dialog i tillë është i pashmangshëm dhe se duhet t’i krijojnë parakushtet për të, vlerësojnë njohësi e zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi.

Por, sipas tyre, tashmë në opinion ekzistojnë dilemat nëse dialogu i ardhshëm do ta ruajë formatin që ka pasur, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian ose ky format do të evoluojë, apo do të ketë ndonjë konferencë ndërkombëtare.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që formati i dialogut i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është i mjaftueshëm për të vazhduar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse që të dy vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij, deri më tash, formati i dialogut nuk ka qenë pengesë për të shënuar përparim, por pengesë kanë qenë sjelljet e Serbisë dhe Kosovës, pritjet e tyre nga ky dialog si dhe platformat e të dy vendeve që janë krejtësisht në kundërshtim me njëra-tjetrën.

“Si duken gjasat, (dialogu) do të vazhdojë në formatin e vjetër, sepse Bashkimi Evropian nuk dëshiron që të humbë shansin që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet. Ndërsa, parametrat për dialog tashmë janë përcaktuar, sidomos nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që thonë se dialogu duhet të prodhojë njohjen reciproke dhe dialogu duhet të sjellë normalizim e marrëdhënieve. Bashkimi Evropian, duke mos dashur të paragjykojë, nuk po e përmend njohjen reciproke, por po e përmend vetëm normalizimin e marrëdhënieve”, theksoi Tahiri.

Video:Palmer: Palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve

Palmer: Palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00

Ai shtoi se në çfarëdo formati tjetër që mund të zhvillojnë dialogun Kosova dhe Serbia, nuk e garanton ndonjë marrëveshje, sepse marrëveshja synohet të jetë një lloj kompromisi, por i cili nuk i cenon interesat e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe që e minimizon shtetësinë e saj.


Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, megjithatë shpreh mendimin që në praktikë, tashmë është duke ndodhur ndryshimi i formatit të dialogut. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë që ky ndryshim nuk nënkupton domosdo daljen nga korniza për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por, sipas tij, tashmë është e qartë që përfaqësuesit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qoftë për dialogun dhe qoftë për Ballkanin, do të jenë të përfshirë në procesin e dialogut, për shkak se dialogu ka dy dimensione, atë bilateral Kosovë-Serbi, por edhe atë të ndikimit në rajon, në mënyrë që përmes bashkëpunimit rajonal të lehtësohet gjetja e zgjidhjeve për çështje të caktuara.

“Pra, ky është ai formati i ri. Nuk përjashtohet që edhe Bashkimi Evropian, i cili e ka lehtësuesin kryesor të dialogut – e ky do të jetë Komisari për marrëdhënie ndërkombëtare ose Komisari për zgjerim dhe për këtë mbetet ende të vendoset - të ketë pranë vetes edhe të dërguarin special për dialogun, siç është (Richard) Grenell, në kuptimin që të përcjellë dinamikën e dialogut dhe të jetë i pranishëm në takimet e palëve, në mënyrë që t’i ndihmojë ato”, tha Janjiq.

Ai gjithashtu shpreh mendimin që në formatin e ri të dialogut, nuk do të bisedohet për çështjet teknike, por do të jetë krejtësisht politik dhe për çështje politike.

Politologu Tahiri shpreh mendimin që bisedimet për çështje teknike mund vazhdojnë, por sipas tij, ato nuk sjellin normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht që kanë sjellë disa përparime.

“Tash, Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkojnë që të ngritet (dialogu) në nivel politik. Pra, të bisedohet vetëm për normalizim të marrëdhënieve, në nivel politik dhe të platformës. Deri më tash asnjëherë Serbia dhe Kosova nuk kanë biseduar në nivel politik, ndonëse ka pasur takime ndërmjet presidentëve (Tomislav) Nikoliq dhe (Atifete) Jahjaga, si dhe (Hashim) Thaçi dhe (Aleksandar) Vuçiq, të cilët i kanë biseduar çështjet politike – pikërisht çështjet si njohja reciproke e pavarësisë, integrimet evropiane, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara – por asnjëherë nuk janë ulur me agjendë në dialog politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, u shpreh Tahiri.

Ndërkaq, Janjiq, vlerëson që ideja për një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekziston që moti. Por, sipas tij, një ide e tillë i përjashton obligimet e deritashme për palët në dialogun e deritashëm në Bruksel.

Një konferencë ndërkombëtare, siç thotë ai, kryesisht ndodh pas luftërave ose në rastin konkret, vetëm në qoftë se dialogu në Bruksel përjeton kolaps të tërësishëm dhe dështon ky model i dialogut. Por, sipas tij, nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të dështojë dialogu në Bruksel dhe të marrë përgjegjësinë për vijimësinë e gjithë procesit.

“Ajo që mund të lajmërohet është çështja se a dëshirohet më shumë se sa ratifikimi në Asamblenë e Përgjithshme (të Kombeve të Bashkuara) i marrëveshjes eventuale. Në rast se dëshirohet vetëm kjo, marrë parasysh që ky dialog zhvillohet duke u bazuar në vendimin e Asamblesë së Përgjithshme, atëherë Rusia nuk është fare e nevojshme në këtë dialog. Por, nëse ekziston ambicia – kjo para së gjithash varet nga Amerika dhe Brukseli dhe më së paku nga Prishtina dhe Beogradi – që të përfshihet Rusia, në mënyrë që më pas të ndryshohet edhe rezoluta në Këshillin e Sigurimit, në atë rast është e mundur që të paraqitet një mekanizëm i sekretariatit, në të cilin do të ishte edhe Rusia. Mbase edhe ndonjë konferencë ‘ad hock’, në fund të procesit, ku do të komunikoheshin rezultatet për të cilat është arritur pajtim. Kjo e dyta më duket mjaft e komplikuar dhe nëse kuptohet dinamika e punës së Administratës amerikane, është gati se mision i pamundur”, vlerësoi Janjiq.

*Expose: A do të mund t'i bindë SHBA-ja Kosovën e Serbinë?

A do të mund t'i bindë SHBA-ja Kosovën e Serbinë?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:10:28 0:00

Sidoqoftë, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë që deklarata e vendeve të Kuntit para dy muajsh, pavarësisht se ato kanë dallime të caktuar, e ka bërë të qartë se ato janë pajtuar që të kenë një zë. Sipas tyre, zëri i unifikuar i Kuintit nënkupton: normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë –Serbi, se nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe luftë për zgjidhen e problemeve, si dhe dhënien e ndihmës financiare për zhvillim Kosovës dhe Serbisë, në rast se ato arrijnë marrëveshje juridikisht obliguese.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG