Ndërlidhjet

Humbja e durimit me dialogun


Ilustrim - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini

Prishtina zyrtare po e humb durimin nga pritja e gjatë e rezultateve të dialogut me Beogradin, të cilin po e lehtëson Bashkimi Evropian me qëllim të normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si hapi i parë drejt integrimit të tyre në BE.

Humbja e durimit nga procesi i stërzgjatur është hetuar qartë nga deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kur tha të enjten në Prishtinë se Bashkimit Evropian nuk po i bëhet vonë, përderisa për Kosovën zgjidhja e disa problemeve të lëna pezull nga dialogu janë mjaft jetike.

Ndërkohë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se ka kërkuar nga Brukseli dhe pala tjetër në bisedime, Beogradi, që marrëveshja të përmbyllet këtë vit, në mënyrë që Kosova të mos mbetet më peng i rezultateve të këtij dialogu dhe të vazhdojë tutje me rrumbullakimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar duke u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara dhe të gjitha organizatat e mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.

Por, pritjet e spektrit politik se sivjet mund të mbyllet dialogu me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për Kosovën dhe Serbinë, analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj i sheh me pesimizëm.

Ai thotë se Kosova mund të shprehë një vullnet politik për t’i dhënë fund dialogut me një marrëveshje finale, por procesi varet nga dinamika që dikton edhe Bashkimi Evropian dhe vullneti i palës tjetër, përkatësisht Beogradit.

“Sa herë që liderët e Kosovës e përmendin këtë marrëveshjen juridikisht të obligueshme me Serbinë, në njëfarë forme sikur paragjykojnë me idenë se Serbia është e gatshme të arrijë një marrëveshje të tillë”, thekson Mushkolaj.

“Ne e dimë se Serbia tani është në një pozicion më komod karshi Kosovës marrë parasysh afatin që i është dhënë për anëtarësim në BE. Pra, data për anëtarësim deri në vitin 2025 dhe brenda kësaj kohe, Serbia mund të luajë më mirë në terrenin e vet në mënyrë që të kushtëzojë arritjen e marrëveshjes me Kosovën, por edhe të provojë të ketë përfitime tjera apo lehtësime nga Bashkimi Evropian”, thotë Mushkolaj.

Ndërkaq, analisti tjetër, Ilir Ibrahimi thotë se sa më shumë që procesi shkon kah faza finale, vërehet edhe rritja e tendencës së Serbisë për të tensionuar situatën në Kosovë në mënyrë që të imponohet me një rol më të fuqishëm në bisedime. Andaj, ai beson se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por e cila nuk do të implikonte në cenimin e tërësisë territoriale të Kosovës, patjetër që kërkon një rol më të vendosur dhe më të fuqishëm të faktorit ndërkombëtar në këtë proces.

“Për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ku nuk do të cenohej integriteti territorial i Kosovës do të duhet të ketë një presion të fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare sepse nëse e shohim se si janë faktet në terren do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje ku pala kosovare nuk do të humbte territore në këtë rast”, thekson Ibrahimi.

“Ne fatkeqësisht nuk kemi ndonjë kontrollë në pjesën veriore dhe Serbia do të mundohet të shfrytëzojë këtë fakt për të arritur caqet e veta”, thotë ai.

Hyrja në fazën finale të dialogut, sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi nënkupton edhe një mobilizim brenda Kosovës dhe krijimin e një ekipi të unitetit ngjashëm siç ishte vepruar në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Por, opozita, jo vetëm që e ka kundërshtuar idenë e tij, por e ka kontestuar edhe mandatin e përfaqësimit të Kosovës nga presidentit, duke e rikujtuar atë se Kuvendi ka miratuar rezolutë e cila e obligon Qeverinë t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë.

Imer Mushkolaj thotë se presidenti e ka marrë krye më vete mandatin e udhëheqjes së negociatave, por sipas tij, ai ishte dashur që të kërkonte këtë mandat nga të gjitha partitë politike në Kuvend dhe më pastaj të merrte rolin unifikues e udhëheqës në këtë proces.

“Bëhet fjalë për një marrëveshje të rëndësishme e cila do të mund të ishte fillimi i fundit të problemeve me një shtet fqinj dhe logjikisht do të duhej që presidenti të marrë një mandat të ri. Mendoj në një mandat unifikues, jo vetëm nga partitë në koalicionin aktual, por edhe nga spektri tjetër politik i partive opozitare, një konsensus gjithë-shoqëror edhe nga shoqëria civile e tjerë, në mënyrë që ai, presidenti, ta prezantojë Kosovën si një shtet serioz”, tha Mushkolaj.

Ndryshe, me strategjinë e re të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është bërë e qartë se normalizimi i raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbetet kusht për rrugën integruese evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë bartjen apo importimin brenda BE-së të konflikteve apo krizave midis vendeve dhe ka kërkuar që mosmarrëveshjet apo konfliktet, këto vende t’i zgjidhin para anëtarësimit të tyre në BE.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG