Në shumicën e përfaqësive diplomatike tashmë janë mbyllur vendvotimet, ku ka mundur prej orës 7:00 të mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes sipas kohës lokale të votojë diaspora për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga vendvotimet ku është përfunduar procesi i votimit dhe të dhënat e orës 13:00, sipas kohës lokale, në SHBA dhe Kanada, dalja në votime ishte 81.21 për qind.
Në një konferencë të mëhershme gjatë ditës, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi nuk është përcjellë me probleme.
"Deri më tani nuk ka ndonjë pengesë apo parregullsi që është paraqitur në proces e që do ta dëmtonte integritetin e procesit të votimit", tha Elezi.
Votimi në përfaqësi diplomatike ishte mundësuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, ndërsa më herët kishte qenë i mundur vetëm votimi përmes postës.
Procesi i votimit po zhvillohet në 40 vendvotime, që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të huaja.
Këtu bëjnë pjesë gjashtë vendvotime në Gjermani, tri në Zvicër, dy në SHBA, dy në Kanada, dy në Itali, dy në Francë, dhe nga një në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari dhe Çeki.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli dukshëm e para nga votat në përfaqësi diplomatike.
Por, gjithsej 42 për qind e votave të fituara nga LVV-ja në ato zgjedhje ishin të pamjaftueshme që kjo parti, e cila ka qenë në pushtet e vetme që nga viti 2021, të qeverisë sërish vetë.
Dhe, pas shumë muajve me Kuvend të bllokuar e dështimit të dy mandatarëve për kryeministër për të siguruar vota të mjaftueshme për formimin e një qeverie të re, 28 dhjetori u vendos si data e zgjedhjeve të parakohshme.
Për të votuar në përfaqësi diplomatike janë regjistruar gjithsej 19.187 votues, nga gjithsej mbi dy milionë qytetarët me të drejtë vote në këto zgjedhje.
Gjithsej numri i diasporës që është regjistruar për të votuar në këto zgjedhje, përfshirë përmes votimit me postë është pak mbi 77 mijë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për votim do të vlejnë dokumentet identifikuese me afat të skaduar.
Por, askush që është regjistruar për të votuar nga diaspora nuk do të mund të votojë fizikisht në Kosovë të nesërmen, më 28 dhjetor, pasi që emrat e tyre janë tërhequr nga listat votuese në vend.