Ndërlidhjet

Parlamenti Evropian diskuton për Kosovën dhe Serbinë


Nga një seancë plenare e Parlamentit Evropian - fotografi arkivi
Nga një seancë plenare e Parlamentit Evropian - fotografi arkivi

Dy rezoluta për Kosovën dhe për Serbinë janë temat për të cilat do të diskutojë sot Parlamenti Evropian, në një seancë plenare që po zhvillon në Strasburg. Votimi për to, ndërkaq, do të bëhet të mërkurën.

Ky diskutim dhe këto rezoluta do të jenë të fundit me këtë përbërje të PE-së, pasi, së shpejti, do të zhvillohen zgjedhjet evropiane dhe do të zgjidhen deputetët e rinj.

Nga Parlamenti Evropian u paralajmërua se diskutimet do të përqendrohen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa do të shprehet mbështetje edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nga Serbia, në anën tjetër, pritet të kërkohet që t’i përshtatë qëndrimet e saj në politikën e jashtme me ato të BE-së, përfshirë këtu edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Tekstet e raporteve u miratuan para dy javësh në Komisionin e politikës së jashtme të BE-së, por, sipas procedurave të Parlamentit Evropian, ato tekste mund të ndryshohen në seancë plenare nëse ka propozime dhe amendamente nga deputetët.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, propozoi që në tekst të rezolutës për Kosovën të përfshihet edhe shprehja e keqardhjes për votimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas saj, një veprim i tillë paraqet shkelje të Marrëveshjes së Ohrit, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në muajin mars. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, dy vendet nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Në tekstin e rezolutës për Kosovën, i cili në Komisionin për politikë të jashtme ka kaluar me 44 vota në favor, 8 vota kundër dhe 3 vota të përmbajtura, është mirëpritur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas tekstit, ky veprim reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të Kosovës dhe përcaktimin e saj të qartë gjeopolitik.

Në tekst përshëndetet edhe vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës - proces i cili është përmbyllur më 25 prill, kur vendimi është botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Me këtë vendim, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në atë që njihet si Zona Schengen dhe përbëhet prej dhjetëra vendesh evropiane, nisur nga 1 janari i vitit 2024.

Parlamenti Evropian pritet që edhe përmes kësaj rezolute të përsërisë thirrjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

PE-ja do të kërkojë gjithashtu nga BE-ja që ta përshpejtojë procesin e zgjerimit, duke e cilësuar këtë si politikën më të suksesshme të bllokut evropian për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit.

Në rastin e Kosovës, PE-ja rikujton se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi në sundimin e ligjit, në të drejtat themelore dhe në normalizimin e raporteve me Serbinë”.

Sa i përket dialogut për normalizim raportesh, pritet që porosia e njëjtë të jetë edhe për Kosovën, edhe për Serbinë - se ato duhet t’i zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet që kanë arritur dhe se normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve do të arrihet përmes njohjes së ndërsjellë.

XS
SM
MD
LG