Ndërlidhjet

Asnjë shenjë e distancës fizike pas lehtësimit të masave


Prishtinë.

Lehtësimi i masave të pandemisë një ditë më parë, ka bërë që sheshet dhe dyqanet të mbushen me njerëz, mirëpo respektimi i tyre shihet se është shumë i vogël.

Kafiteritë janë të mbushura më konsumatorë ku karriget janë të ngjitura njëra me tjetrën. Shumica e njerëzve ecin rrugëve pa maska.

Edona Islamaj, 35 vjeçare, banore e Prishtinës, thotë se ata që po respektojnë masat janë kryesisht të moshuarit. Por, ajo shton se në qendër të Prishtinës shihen grumbuj njerëzish pa masa mbrojtëse dhe pa distancë fizike.

“Ne përgjithësisht po përshëndetemi duke u përqafuar dhe kjo po e vërej që po vazhdon. Mosha e shtyrë po e vërej që po e mbajnë distancën, por edhe maska e dorëza, por nëse e kthejmë në përqindje, nga ajo që unë po shoh, ata që nuk i respektojnë masat janë mbi 70 për qind’’, tha ajo.

Miradie Morina, e cila punon në një sallon bukurie në Prishtinë, nga dita e hënë i është rikthyer punës. Ajo thotë se distanca fizike me klientë është e pamundur, për shkak të natyrës së punës që kanë.

“Ku ka distancë te ne, klienti i ulur përball, ne duke ja rregulluar thonjtë për shembull. Kjo është njëra nga punët që e bëjmë në sallon. Gjithë njerëzit pa maska, pa dorëza. Vetëm në autobus nuk po lejojnë pa maska, përndryshe kam përshtypjen që asgjë nuk ka ndodhur. Gjithçka është kthyer në normalitet”, tha ajo.

Raka: Respektoni masat, kryesorja distanca fizike

Në ditën kur filloi faza e tretë e lehtësimit të masave, ditën e hënë, në Kosovë u raportuan 27 raste të reja me koronavirus, pas kryerjes së 172 testeve.

Kjo tregon një rritje të numrit të infektuarve për dallim nga ditët paraprake.

Në kuadër të lehtësimit të masave, qeveria në detyrë ka marrë vendim që të lejojë rihapjen e bareve, restoranteve, çerdheve, qendrave tregtare dhe kufijve. Gjithashtu zyrtarët publikë janë kthyer në punë në të gjitha institucionet.

Një qendër tregtare në Prishtinë
Një qendër tregtare në Prishtinë

Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë, se shfaqja e rasteve të djeshme është dëshmia më e mirë se virusi është ende në mesin tonë, dhe nuk duhet nënçmuar nga qytetarët e Kosovës.

“Masat janë për t’u respektuar nga qytetarët, jo nga virusi. Elementi kryesor është distanca fizike prej dy metrash në vendet ku ka mbingarkesë me njerëz. Nëpër qendra të mëdha tregtare për shembull, dje ka pasur shumë njerëz. Nëpër kafeteri gjithashtu. Nëse nuk ka ventilim, mos hyni brenda, dilni jashtë dhe pini kafe. Nëse hyni, maskat janë obligative”, tha Raka.

Sipas tij, lirimi i masave është faktor që mund të ndikojnë në rritjen e të infektuarve me koronavirusin e ri e që shkakton sëmundjen e COVID-19. Sipas tij, për ta parandaluar, masat e distancës fizike prej dy metrash si dhe mbajtja e maskës, do duhej të jenë obligative.

A po bëhen teste të mjaftueshme?

Numri më i madh i testimeve ditore që është bërë në Kosovë, që nga fillimi i pandemisë COVID-19, ka qenë rreth 400 sosh, thotë mikrobiologu Raka. Sipas tij, kapacitetet testuese janë rritur në Kosovë sidomos në dy dhe tre javët e fundit.

“Sipas indikacioneve epidemiologjike testohen edhe rastet e kontaktit. Gjendja e furnizimit është më e mirë sesa para dy muajsh. Por, unë apeloj që qytetarët të kenë kujdes, pasi tashmë është rikthyer në normalitet jeta, por duhet të punojmë në parandalim pasi ende jemi në fazën e parë,” tha Raka.

Vendet që kufizohen me Kosovën kanë shënuar numra të ndryshëm sa i përket numrit të infektuar me koronavirusin e ri. Përderisa Mali i Zi nuk ka lajmëruar asnjë rast të ri, Maqedonia e Veriut ka shënuar 89 raste me COVID-19 dhe 7 vdekje.

Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë se duhet të pritet në ditët në vijim se si do të dalin rezultatet e testimeve.

Ai ka thënë se ka frikë se numri i të infektuarve do të rritet, duke e parë që qytetarët nuk po i respektojnë masat aq sa duhet. Për t’u parë një gjë e tillë, ai thotë se duhet të kalojnë disa ditë pas lehtësimit të masave.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG