Ndërlidhjet

Hashim Thaçi në sallën e gjyqit.
Hashim Thaçi në sallën e gjyqit.

Drejtpërdrejt Thaçi: Akuzat nuk qëndrojnë, jam i pafajshëm

E përditësuar

• Sot mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

11:50

Mbrojtja e Selimit: ZPS-së i vjen turp për argumentet për Selimin

Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, tha se Prokurorisë së Specializuar i “vjen turp” për argumentet që ka ndaj klientit të tij.

“ZPS-së vetë i vjen turp për argumentet e veta për Selimin. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër si nga parashtrimet e së hënës, ashtu edhe nga dosja e tyre përfundimtare. Nëse vetë Prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta për Selimin, si mund t’iu bind ju?”, tha ai në nisje të fjalës së tij.

11:48

Tani radha e mbrojtjes së Selimit

Pas një pushimi të shkurtër, seanca ka nisur punimet dhe radha është e mbrojtjes së Selimit.

11:37

Mbrojtja e Veselit kërkon që ai të shpallet i pafajshëm

Avokati Dixon kërkoi që trupi gjykues ta shpallë të pafajshëm Kadri Veselin, pasi tha se nuk ka prova që e lidhin atë me krimet e pretenduara në atakuzë.

Ai kritikoi ZPS-së se nuk ka ofruar një lidhje mes pretendimeve se Veseli ka kryer krime.

Ky, tha ai, është "dembellëk dhe përbuzje të kësaj gjykate që nuk është krijuar për hir të dënimit"

11:33

Mbrojtja thotë se s’ka prova që Veseli ka kontribuar në NPK

Në fjalën e tij, avokati Dixon tha se nuk ka prova që Veseli ka kontribuar në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale. Ai tha se Veseli ka qenë për periudha të shumta jashtë vendit.

“Edhe kur ndodhej në Kosovë, Veseli ka marrë pjesë në shumë pak takime dhe ka shkuar shumë rrallë në Shtabin e Përgjithshëm. Nuk ka komanduar ndonjë strukturë të inteligjencës apo askënd dhe nuk ka qenë aktiv në Drejtorinë Politike. Madje as anëtarësia në këtë drejtori nuk është vërtetuar”, tha ai duke shtuar e Veseli nuk ka pasur role kriminale.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG