Mbrojtja: Të gjitha argumentet kundër Veselit janë të pabazuara
Avokati Dixon tha se të gjitha pretendimet e drejtpërdrejta apo rrethanore kundër Veselit “janë të pabazuara”.
Si shembull ai mori një video të publikuar nga ZPS në gjykatore ku një dëshmitar tha se kishte dëgjuar nga dikush se Veseli ishte përfshirë në krime.
“Ky është thashethem i pastër. Ky klip është i pavlerë”, tha ai, duke shtuar se nuk është provë dhe se mbrojtja nuk ka mundur ta marrë në pyetje këtë dëshmitar.
Ai po ashtu tha se kundërshtojnë që dëshmia e një dëshmitari për ndalimet në Kleçkë, është dëshmi e bazuar “në thashetheme”.
Mbrojtja e Veselit: Fajësia nuk mund të shpallet mbi thashetheme
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, tha se gjykata nuk mund të shpallë fajtor një person, nëse kjo shpallje fajësie “mbështetet mbi prova të patestuara dhe thashetheme”.
Ai përsëriti se ZPS nuk ka asnjë provë që lidh Veselin me krimet e pretenduara.
Dixon tha se të hënën, ZPS bëri një përpjekje të fundit për ta lidhur Veselin me pikat e aktakuzës.
“Ata pretendojnë se ne nuk e kemi trajtuar themelin e akuzën e ZPS. Kjo është akuzë e rëndë sepse unë trajtova çdo pretendim të tyre për t’iu treguar se ishin të pabaza”, tha Dixon.
Mbrojtja e Thaçit kërkon që trupi gjykues të marrë vendim shfajësues
"Shpallin pafajësinë për të gjitha aktakuzat", tha avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq në fund të fjalës së tij.
Paraprakisht, ai pretendoi se ZPS nuk ka paraqitur prova që tregojnë kontribut të konsiderueshëm të të akuzuarve në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale.
"Standardi që ka Gjykata është që duhet të ketë një kontribut të konsiderueshëm për krimet në atakuzë. ZPS për këtë nuk ka treguar asnjë provë", tha ai.
Pas mbrojtjes së Thaçit, fjalën e ka marrë avokati i Veselit.
Mishetiq për Qeverinë e Përkohshme
Avokati Mishetiq trajtoi pretendimin e prokurorisë se Lidhja Demokratike e Kosovës kishte bojkotuar Qeverinë e Përkohshme për shkak të “abuzimit”.
Ai tha se nuk ka asnjë provë për këtë pretendim.
“Përkundrazi ju keni prova që LDK e ka bojkotuar atë qeveri sepse nuk dëshironte të ndante vendet e Qeverisë së Përkohshme. LDK kishte qeveri paralele në atë kohë dhe nuk është tërhequr nga kjo qeveri deri në shkurt 2000. Kjo ishte arsyeja që nuk u bashkua qeverisë së përkohshme, e jo abuzimi”, tha ai, duke shtuar se janë 15 raste të dokumentuara kur Thaçi i kishte bërë thirrje LDK-së t’i bashkohej ekzekutivit.