Ndërlidhjet

Hashim Thaçi në sallën e gjyqit.
Hashim Thaçi në sallën e gjyqit.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi këmbëngulin në pafajësi në deklaratat përmbyllëse

E përditësuar

• Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, u deklaruan sërish të pafajshëm në deklaratat e tyre përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë më 18 shkurt.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

• Çështja gjyqësore u përmbyll këtu dhe tani gjykatësit kanë tre muaj kohë për ta marrë një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

14:27

Thaçi: Unë nuk kisha plane ta merrja kontrollin në Kosovë

Thaçi i hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë së ia ka pasur qëllime ta merrte kontrollin në Kosovë, duke thënë se asokohe studionte në Zvicër.

“Në kohën e masakrave në Qirez, Prekaz e Likoshan në fillim të vitit 1998 unë isha student në universitetin e Zurihit, dhe atëherë nuk po bëja plane për ta marrë kontrollin në Kosovë, por për t’i kaluar provimet”, tha Thaçi.

Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Ai shtoi se “i vetmi njëri që po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi, për një gjenocid të ri në Kosovë. Prandaj, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë edhe unë u detyrua ta lëshoja Kosovën më herët, sepse më ndiqte regjimi i Millosheviqit”.

Thaçi gjithashtu shprehu keqardhje për viktimat e luftës në Kosovë, duke thënë “unë bashkëndiej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.

14:21

Thaçi: Akuzat nuk qëndrojnë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përsëritur në fjalën e tij përfundimtare para trupit gjykues se “jam plotësisht i pafajshëm”.

“Të nderuar gjyqtarë, për vjet vite në këtë sallë të gjyqit i keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju i keni parë faktet, ju e keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”, th Thaçi.

14:16

Rinis seanca

Tani është radha e të akuzuarve të deklarohen përfundimisht para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

I pari që do të deklarohet është ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

12:28

Mbrojtja kërkon që Krasniqi të shpallet i pafajshëm

Mbrojtja e Krasniqit tha se provat do ta çojnë trupin gjykues që ta shpallin atë të pafajshëm.

Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, tha se Prokuroria po ndryshon qëndrimet kur mbështet përgjegjësinë e të akuzuarve në faktin që ishin pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.

Ai tha se vetë kryeprokurorja kishte thënë se për fajësim nuk kërkohet vetëm anëtarësia e tyre në shtab, por të hënën prokurorët e përdorën këtë argument.

Sipas tij, për kontributin për NPK përgjegjësia individuale duhet “të identifikohet individualisht”, në të kundërtën, tha ai, i bie që i gjithë rasti është kundër Shtabit të Përgjithshëm e jo ndaj katër të akuzuarve.

Seanca ka shkuar në pauzë dhe pas pushimit, ish-eprorët e UÇK-së do të deklarohen.

Seanca pritet të nisë në 14:15.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG