Ndërlidhjet

Hashim Thaçi në sallën e gjyqit.
Hashim Thaçi në sallën e gjyqit.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi këmbëngulin në pafajësi në deklaratat përmbyllëse

• Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, u deklaruan sërish të pafajshëm në deklaratat e tyre përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë më 18 shkurt.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

• Çështja gjyqësore u përmbyll këtu dhe tani gjykatësit kanë tre muaj kohë për ta marrë një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

14:58 18.2.2026

Tani radha e Kadri Veselit

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, i bëri thirrje gjykatës ta mbrojë “drejtësinë, të drejtën dhe paanësinë”.

“Kjo është arsyeja pse iu bashkova mijëra grave dhe burrave në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pse i kam shërbyer gjithë jetën vendit tim. Edhe në momentet më të errëta nuk e humba kurrë besimin se e drejta, e vërteta dhe liria do të triumfonin. Gjithmonë kam besuar se populli i Kosovës e gëzonte të drejtën për të jetuar në liri”, tha Veseli në fjalët e tij të para.

Kadri Veseli.
Kadri Veseli.
15:06 18.2.2026

Veseli: Nuk ka asnjë provë se unë kam kryer ndonjë krim

Veseli ka ngulur këmbë se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë se ai ka kryer ndonjë krim sic pretendohet në aktakuzën kundër tij.

“Pas dekadash hetimesh dhe dëshmisë të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. Kjo nuk është çështje interpretimi por çështje fakti”, tha ai.

Veseli thotë se nuk mori pjesë në luftë nga “dëshira për konflikt”.

“Si i ri, edhe unë kam dëshiruar një jetë të qetë, të jetoja në paqe dhe dinjitet me familjen time. Kam qenë student kur u shfuqizua autonomia e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës u sulmua nga forcat serbe. Kam marrë pjesë në aktivitetet paqësore për t’i mbrojtur të drejtat tone themelore”, shtoi ai.

15:13 18.2.2026

Veseli: Veprimet e mia kanë qenë njerëzore dhe ligjore

Veseli tha para trupit gjykues në fund se “ndërgjegjja ime është e pastër” dhe se veprimet e tij kanë qenë “njerëzore dhe ligjore.

“U ktheva në Kosovë jo si një ushtar i trajnuar, por si një student. Jo me urrejtje po me bindje, u ktheva sepse ndjeva detyrim moral ndaj vendit tim, u ktheva se nuk mund të qëndroja indiferent ndaj vuajtjeve të popullit tim”, tha Veseli.

“Synimi im ishte i qartë, të kontribuoja për lirinë dhe drejtësinë e popullit tim, por duke mos i bërë askujt padrejtësi”, përfundoi ai.

15:16 18.2.2026

Tani fjalën e ka Rexhep Selimi

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, është tani në radhë për t’u deklaruar.

Ai tha para trupit gjykues se shpreson se gjykimi ndaj tij mund të shërbejë si një mundësi “për drejtësi”.

“Pas gjithë këtyre viteve, ka edhe një element pozitiv, shpresoj se trupi gjykues e ka pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë”, tha Selimi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG