Ndërlidhjet

Hashim Thaçi në sallën e gjyqit.
Hashim Thaçi në sallën e gjyqit.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi këmbëngulin në pafajësi në deklaratat përmbyllëse

• Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, u deklaruan sërish të pafajshëm në deklaratat e tyre përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë më 18 shkurt.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

• Çështja gjyqësore u përmbyll këtu dhe tani gjykatësit kanë tre muaj kohë për ta marrë një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

15:27 18.2.2026

Selimi: Akuzat ndaj ndesh janë të pabazuara e të padrejta

Selimi vazhdoi me kundërshtime ndaj akuzave të Prokurorisë, duke thënë se rrjedha e procesit “më ka dhënë të drejtë, akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta”.

“Edhe pse kanë kaluar tri vjet nga fillimi i këtij procesi, Prokuroria ka vazhduar në pretendime që nuk kanë bazë në të vërtetën dhe në një përpjekje të vazhdueshme për ta njollosur një luftë që në thelb ishte çlirimtare”.

Selimi e kritikoi Prokurorinë se vuri në shënjestër “madje edhe pavarësinë e Kosovës”.

“Megjithëse Prokuroria që në fillim të paraqitjes së fjalës përfundimtare tha se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë gjithë kohës shënjestër e saj ishin Shtabi, UÇK dhe në veçanti qëllimi i saj, që ishte pavarësia e Kosovës”, shtoi ai.

Rexhep Selimi
Rexhep Selimi

“Madje krijohej përshtypja se vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal. Në përpjekje për ta ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm, Prokuroria mbajti qëndrime akuzuese si ‘Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësi, apo me tutje Shtabi i Përgjithshëm deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë’”.

“Është e vështirë të kuptohet se kundër kujt realisht është ngritur kjo aktakuzë, kundër nesh pretendime për me veprime konkrete, apo kundër nesh sepse luftuam për pavarësinë e Kosovës. Këtë duhet ta vlerësoni ju trup gjykues”.

15:38 18.2.2026

Jakup Krasniqi: Më janë mohuar të drejtat e njeriut

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e nisi fjalimin e tij përmbyllëse duke thënë se “tërë jetën time e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri”.

“Qëndroj para jush jo si një kriminel siç më paraqet aktakuza e Prokurorisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëz, në një popull që refuzoi që të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë”, tha Krasniqi.

Krasniqi, 75 vjeç, e akuzoi Gjykatën Speciale se ia ka mohuar të drejtat e tij duke e mbajtur në paraburgim nga viti 2020.

“Për më shumë se pesë vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër to më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fundin e fazës së jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, tha ai.

“Kjo më është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askujt, pa ia rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm. Përkundrazi, kam rrezikuar jetën time”.

Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi
15:48 18.2.2026

Krasniqi mohon rolet në aktakuzë: Jemi këtu padrejtësisht

Krasniqi i mohoi akuzat e Prokurorisë lidhur me të, duke thënë se i janë veshur role, autoritet dhe përgjegjësi “që nuk i kam pasur kurrë”.

“Kjo është shpifje. Figura e përshkruar në dokumentin e Prokurorisë nuk është njeriu që qëndron sot para jush”, tha Krasniqi.

“Unë nuk zotëroja pushtetin, komandën apo funksionet që m’u atribuohen në këtë rast. E gjithë bota e di se NATO-ja ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. NATO-ja dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë përkrah terroristëve”, nënvizoi ai.

Ai nguli këmbë se veprimet e tij dhe ato të UÇK-së, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, i “dhanë përparësi paqes dhe kjo është dëshmuar”.

“Ne qëndrojmë sot këtu padrejtësisht”, përfundoi ai.

15:53 18.2.2026

Kryegjykatësi Smith III e mbyll çështjen gjyqësore

Kryegjykatësi Charles Smith III e ka shpallur të mbyllur çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve pas deklaratave përmbyllëse që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, i dhanë para trupit gjykues.

Gjykatësi tha se do të jetë në kontakt me palët në muajt në vijim lidhur me datën e shpalljes dhe rishikimit të aktgjykimit në këtë rast.

Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG