Ndërlidhjet

Një person qëndron në çatinë e një ndërtese duke parë një re tymi që ngrihet pas një sulmi në kryeqytetin iranian, Teheran, më 3 mars 2026.
Një person qëndron në çatinë e një ndërtese duke parë një re tymi që ngrihet pas një sulmi në kryeqytetin iranian, Teheran, më 3 mars 2026.

Krejt çfarë ndodhi në ditën e katërt të operacionit SHBA-Izrael kundër Iranit

  • SHBA-ja dhe Izraeli i vazhduan sulmet ndaj Iranit, ndërsa Teherani kundërgodet objektivat amerikane në rajon.
  • Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani dëshiron bisedime, por shtoi se “tani është tepër vonë për të folur”.
  • Trump theksoi gjithashtu se pothuajse “gjithçka është rrënuar” në Iran.
  • Ambasada amerikane në Riad u sulmua me dronë, ndërsa ajo në Kuvajt u mbyll përkohësisht për shkak të tensioneve rajonale.
  • Sulmet e përbashkëta të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit nisën më 28 shkurt, me synimin për të frenuar programin bërthamor iranian.
08:49 3.3.2026

Vance: Sulmet nisën sepse Irani nuk e kaloi testin e besueshmërisë

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se negociatat me Iranin për programin e tij bërthamor dështuan, pasi zyrtarët konstatuan se garancitë e ofruara nga Teherani, "nuk e kalojnë testin e besueshmërisë".

Për këtë arsye, sipas tij, presidenti Donald Trump autorizoi Operacionin Tërbimi Epik në Iran, i cili nisi më 28 shkurt.

Duke folur për Fox News më 2 mars, Vance tha se përfaqësuesit amerikanë - në mesin e tyre Steve Witkoff, Marco Rubio dhe Jared Kushner - zhvilluan bisedime "të kujdesshme" në Gjenevë, me synimin për të kufizuar aktivitetet bërthamore të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.

Bisedimet u ndërprenë për shkak të pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit.

"Asnjë nuk kundërshton që iranianët të prodhojnë izotope mjekësore; problem janë objektivat e pasurimit që shërbejnë vetëm për krijimin e armëve bërthamore", tha Vance.

Ai shtoi se Uashingtoni do të preferonte "një regjim miqësor në Iran, një vend të qëndrueshëm dhe një vend që është i gatshëm të punojë me Shtetet e Bashkuara".

08:23 3.3.2026

SHBA-ja thotë se ka shkatërruar objektet e komandës dhe kontrollit të IRGC-së

Komanda Qendrore e SHBA-së - Centcom tha se, gjatë operacioneve të vazhdueshme në Iran, forcat amerikane kanë shkatërruar objektet e komandës dhe kontrollit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), kapacitetet e mbrojtjes ajrore iraniane, vendet e lëshimit të raketave dhe dronëve, si dhe aeroportet ushtarake.

"Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime kundër kërcënimeve të menjëhershme që vijnë nga regjimi iranian", tha Centcom.

08:06 3.3.2026

Trump: ‘Do të mësoni shumë shpejt’ për reagimin ndaj sulmit në ambasadën në Riad

Presidenti amerikan, Donald Trump, i tha një gazetari se “do ta mësoni shumë shpejt” kur u pyet për reagimin ndaj sulmit në Ambasadën amerikane në Riad dhe vdekjen e ushtarëve amerikanë në konfliktin me Iranin.

Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite njoftoi sot në X se dy dronë goditën Ambasadën amerikane në Riad, duke shkaktuar një zjarr të vogël dhe dëme të kufizuara materiale, sipas një vlerësimi paraprak.

Ndërkohë, Ambasada amerikane në Kuvajt bëri të ditur se do të qëndrojë e mbyllur deri në njoftimin e radhës, “për shkak të tensioneve të vazhdueshme rajonale”.

07:40 3.3.2026

Mbyllet Ambasada amerikane në Kuvajt

Ambasada amerikane në Kuvajt është mbyllur "deri në njoftimin e radhës".

Në deklaratën e shpërndarë në X thuhet se vendimi është marrë për shkak të "tensioneve të vazhdueshme rajonale".

"Kemi anuluar të gjitha takimet konsullore - të rregullta dhe emergjente", thuhet në postim.

Kuvajt
Kuvajt

Më herët, Departamenti i Shtetit i SHBA-së u bëri thirrje amerikanëve në shumë pjesë të Lindjes së Mesme - përfshirë Kuvajtin - që të largohen me mjete komerciale, për shkak të "rreziqeve serioze të sigurisë".

Mbyllja e ambasadës në Kuvajt vjen pasi Ambasada amerikane në Riad u sulmua nga dy dronë gjatë natës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG