Të dashur lexues, mirëmëngjesi!
Konflikti me Iranin ka hyrë sot në ditën e katërt.
Sulmet dhe retorika sa vijnë e ashpërsohen.
Radio Evropa e Lirë do të bëjë mbulimin direkt të ngjarjeve minutë pas minute.
Me ju në orët në vazhdim do të jem unë Valona Tela.
SHBA-ja u bën thirrje qytetarëve të largohen nga Lindja e Mesme
Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme që të largohen nga rajoni me mjete komerciale, për shkak të “rreziqeve serioze të sigurisë”.
Këshilla vlen për shtetasit amerikanë në Bahrejn, Egjipt, Iran, Irak, Izrael, Bregun Perëndimor, Gazë, Jordani, Kuvajt, Liban, Oman, Katar, Arabinë Saudite, Siri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemen.
Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se “goditjet më të forta” ndaj Iranit “ende nuk kanë ndodhur”, por shtoi se nuk do të “zbulojë detajet e përpjekjeve taktike”.
Deklarata erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se mori vendimin për të nisur luftë kundër Iranit, sepse ishte “mundësia e fundit dhe më e mirë” për të ndalur regjimin iranian.
Izraeli sulmon televizionin shtetëror në Teheran
Ushtria izraelite tha se "sulmoi dhe çmontoi" selinë e radios dhe televizionit shtetëror në Teheran, të cilën e cilësoi si "qendër të komunikimit të regjimit terrorist".
"Gjatë viteve, Autoriteti Iranian i Transmetimeve bëri thirrje për shkatërrimin e shtetit të Izraelit dhe për përdorimin e armëve bërthamore", tha ushtria izraelite përmes një deklarate.
"Qendra u përdor nga forcat e regjimit iranian edhe për të çuar përpara aktivitetet ushtarake, nën maskën e aktivitetit civil", shtoi ajo.
Menjëherë pas kësaj, forcat mbrojtëse izraelite thanë se Irani ka nisur një valë të re sulmesh kundër tyre.
Ambasada amerikane në Riad sulmohet me dronë
Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite konfirmoi se Ambasada amerikane në Riad u sulmua nga dy dronë, sipas vlerësimeve fillestare.
Në një deklaratë të shpërndarë nër X, ministria tha se sulmi shkaktoi "një zjarr të kufizuar dhe dëme të vogla materiale në ndërtesë".