Ushtria izraelite sulmon Teheranin dhe Bejrutin
Forcat Mbrojtëse të Izraelit konfirmuan se kanë nisur sulme në kryeqytetin iranian, Teheran, si dhe në kryeqytetin libanez, Bejrut.
"Ushtria po kryen sulme të njëkohshme kundër objektivave ushtarake në Teheran dhe Bejrut", tha ajo përmes një deklarate.
Sulmet vijnë rreth një orë pasi ushtria izraelite lëshoi një "paralajmërim urgjent" për njerëzit në periferitë jugore të Bejrutit dhe në dhjetëra fshatra, duke u bërë thirrje atyre që të evakuohen.
Ushtria tha se ka në shënjestër qendrat e komandës dhe objektet e magazinimit që i përkasin Hezbollahut - grup militant i lidhur me Iranin.
Mbyllet Ambasada amerikane në Kuvajt
Ambasada amerikane në Kuvajt është mbyllur "deri në njoftimin e radhës".
Në deklaratën e shpërndarë në X thuhet se vendimi është marrë për shkak të "tensioneve të vazhdueshme rajonale".
"Kemi anuluar të gjitha takimet konsullore - të rregullta dhe emergjente", thuhet në postim.
Më herët, Departamenti i Shtetit i SHBA-së u bëri thirrje amerikanëve në shumë pjesë të Lindjes së Mesme - përfshirë Kuvajtin - që të largohen me mjete komerciale, për shkak të "rreziqeve serioze të sigurisë".
Mbyllja e ambasadës në Kuvajt vjen pasi Ambasada amerikane në Riad u sulmua nga dy dronë gjatë natës.
Trump: ‘Do të mësoni shumë shpejt’ për reagimin ndaj sulmit në ambasadën në Riad
Presidenti amerikan, Donald Trump, i tha një gazetari se “do ta mësoni shumë shpejt” kur u pyet për reagimin ndaj sulmit në Ambasadën amerikane në Riad dhe vdekjen e ushtarëve amerikanë në konfliktin me Iranin.
Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite njoftoi sot në X se dy dronë goditën Ambasadën amerikane në Riad, duke shkaktuar një zjarr të vogël dhe dëme të kufizuara materiale, sipas një vlerësimi paraprak.
Ndërkohë, Ambasada amerikane në Kuvajt bëri të ditur se do të qëndrojë e mbyllur deri në njoftimin e radhës, “për shkak të tensioneve të vazhdueshme rajonale”.
SHBA-ja thotë se ka shkatërruar objektet e komandës dhe kontrollit të IRGC-së
Komanda Qendrore e SHBA-së - Centcom tha se, gjatë operacioneve të vazhdueshme në Iran, forcat amerikane kanë shkatërruar objektet e komandës dhe kontrollit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), kapacitetet e mbrojtjes ajrore iraniane, vendet e lëshimit të raketave dhe dronëve, si dhe aeroportet ushtarake.
"Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime kundër kërcënimeve të menjëhershme që vijnë nga regjimi iranian", tha Centcom.