Vance: Sulmet nisën sepse Irani nuk e kaloi testin e besueshmërisë
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se negociatat me Iranin për programin e tij bërthamor dështuan, pasi zyrtarët konstatuan se garancitë e ofruara nga Teherani, "nuk e kalojnë testin e besueshmërisë".
Për këtë arsye, sipas tij, presidenti Donald Trump autorizoi Operacionin Tërbimi Epik në Iran, i cili nisi më 28 shkurt.
Duke folur për Fox News më 2 mars, Vance tha se përfaqësuesit amerikanë - në mesin e tyre Steve Witkoff, Marco Rubio dhe Jared Kushner - zhvilluan bisedime "të kujdesshme" në Gjenevë, me synimin për të kufizuar aktivitetet bërthamore të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Bisedimet u ndërprenë për shkak të pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit.
"Asnjë nuk kundërshton që iranianët të prodhojnë izotope mjekësore; problem janë objektivat e pasurimit që shërbejnë vetëm për krijimin e armëve bërthamore", tha Vance.
Ai shtoi se Uashingtoni do të preferonte "një regjim miqësor në Iran, një vend të qëndrueshëm dhe një vend që është i gatshëm të punojë me Shtetet e Bashkuara".
Tërmet në Iran
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) bëri të ditur se një tërmet me magnitudë 4.3 goditi zonën e Gerashit në jug të Iranit.
Tërmeti u regjistrua në një thellësi prej rreth 10 kilometrash.
Autoritetet iraniane nuk kanë raportuar për ndonjë të lënduar apo dëme materiale.
Netanyahu: Operacioni kundër Iranit nuk do të jetë një “luftë e pafundme”
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i hodhi poshtë shqetësimet në lidhje me një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme.
"Dëgjoj që njerëzit thonë se do të kemi një luftë të pafundme këtu. Nuk do të keni një luftë të pafundme", tha Netanyahu për Fox News.
"Ky do të jetë një aksion i shpejtë dhe vendimtar, dhe ne do t'i krijojmë kushtet që populli iranian të marrë kontrollin e fatit të tij, për të formuar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike", shtoi ai.
Më herët, Forcat Mbrojtëse të Izraelit njoftuan se kanë nisur sulme të reja në kryeqytetin iranian, Teheran, si dhe në kryeqytetin libanez, Bejrut.
Kush mund ta udhëheqë Iranin?
Ndërsa Irani përballet me pasojat e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, që kanë vrarë disa - e ndoshta edhe dhjetëra - udhëheqës të lartë, Ali Larijani shfaqet si figurë kryesore në pushtetin e mbetur të vendit.
Politikan veteran, me një karrierë që përfshin pothuajse gjithë historinë e Republikës Islamike, Larijani u rikthye vitin e kaluar, pas një pushimi relativ, dhe që atëherë, ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.