Omani kap dy dronë
Në Oman, agjencia shtetërore e lajmeve raporton se dy dronë janë kapur në rajonin jugperëndimor të Dhofarit.
Droni i tretë thuhet se është rrëzuar pranë Portit Salalah - porti më i madh në Oman, i cili ndodhet gjithashtu në jugperëndim të vendit.
Agjencia e Lajmeve të Omanit raporton se nuk ka pasur viktima.
Trump: Mbrojtja dhe udhëheqja e Iranit janë shkatërruar
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Truth Social se “mbrojtja ajrore, Forcat Ajrore, Marina dhe udhëheqja janë shkatërruar”, duke iu referuar kështu situatës në Iran, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit.
"Ata duan të flasin. Unë thashë 'tepër vonë'", shkroi Trump.
Rutte: NATO-ja s'është e përfshirë në konflikt, por do të mbrojë çdo centimetër të vendeve antëtare
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një vizite në Shkup, deklaroi se aleanca nuk është e përfshirë në konfliktin në Lindjen e Mesme, por se do të mbrojë çdo centimetër të territoreve të vendeve anëtare.
Ai shtoi se qëllimi i fushatës së udhëhequr nga SHBA-ja dhe Izraeli në Iran, është neutralizimi i kapaciteteve bërthamore dhe raketore të regjimit të këtij vendi, i cili, sipas tij, paraqet kërcënim për rajonin, Izraelin dhe Evropën.
Rutte e cilësoi ish-udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, si përgjegjës për vdekjen e mijëra protestuesve gjatë këtij viti dhe për dhjetëra vepra terroriste ndër dekada.
Sekretari i NATO-s theksoi se askush nuk ka kërkuar përfshirjen e aleancës në konflikt, por shumë vende anëtare po ofrojnë mbështetje.
Komandantët e NATO-s, sipas tij, punojnë çdo ditë për sigurinë e vendeve anëtarëve përballë kërcënimeve - përfshirë ato terroriste.
Ambasada amerikane në Arabinë Saudite paralajmëron për "sulm të afërt"
Ambasada amerikane në Arabinë Saudite paralajmëron për "sulm të afërt" me raketa dhe dronë mbi Dhahran, ku ndodhet edhe një konsullatë e SHBA-së.
Qytetarëve amerikanë iu kërkohet të strehohen në vend dhe të "rishikojnë planet e sigurisë në rast të një sulmi".
Dhahran, në bregdetin lindor të Arabisë Saudite, është një qendër e madhe e industrisë së naftës.
Aty gjendet edhe selia e kompanisë kombëtare saudite të naftës, Aramco.